Brickos

Qazim Berisha: VRASJET E USHTARËVE SHQIPARË NË ARMATËN JUGOSLLAVE, 1981-1991 II

Zymer Mehani: Monografia e Qazim Berishës, “Ushtarët shqiptarë, të vrarë në armatën jugosllave (1951 – 1993)” – Libër i dhembjes dhe i mallit II

NË KAPITULLIN E TETË gjenden biografitë e ushtarëve shqiptarë, të vrarë gjatë vitit 1988: Neshat Xhafer Gashi, u lind më 1969, në Orrobërd të Istogut. Në mars 1988 mobilizohet në Ribnicë të Sllovenisë, VP 1297/24. Pas shumë përndjekjesh dhe detyrimesh që çdo ditë të mbajë roje në kazermë, e njofton të motrën se i është përgatitur vrasja. Më 16 maj 1988 u sulmua, por kishte fat dhe nuk u qëllua. Më 18 maj 1988, po në të njëjtën roje sulmohet me breshëri armësh dhe vritet. Nuk u dha asnjë shpjegim; Osman Hajdar Ismajli u lind më 20 gusht 1968, në Gërbavc të Medvegjës. Shkoi në Armatën Jugosllave në Kazermën “Marshal Tito” në Titograd (sot Podgoricë) të Malit të Zi. Më 8 korrik 1988 u gjet i masakruar në lumin Moraça. U tha se kishte bërë vetëvrasje; Afrim Muhamet Lushtaku u lind më 21 janar 1966, në Prekaz të Skënderajt. Më 14 qershor 1988 mobilizohet në Kranj të Sllovenisë, VP 1098. Më 28 qershor 1988, në poligonin e kazermës fshehtas u sulmua me thikë nga mbrapa. U tha se vdiq nga infarkti!

NË KAPITULLIN E NËNTË hyjnë biografitë e ushtarëve që u vranë gjatë vitit 1989: Qamil Ramadan Thaçi, i lindur më 26 korrik 1968, në Demjan të Hasit të Thatë (Gjakovë). Në qershor 1988 e mobilizojnë në armatë, në Osjek të Kroacisë, VP 5530/41. Mbi Qamilin u bë një provë helmi. Papritmas iu dhanë 7 ditë pushimi. Dy veta e sollën deri në të hyrë të fshatit dhe pastaj u zhdukën. Në natën e parë filluan dhembjet e forta, ndërsa ai arriti vetëm të thoshte se “Më helmuan!”. Vdiq më 25 mars 1989, në Spitalin Ushtarak të Shkupit. Ushtria nuk dha asnjë shpjegim; Halim (Shaqir) Litaj (1970), nga Klina, vdiq në rrethana te pasqaruara, më 4 shtator 1989, derisa po e kryente shërbimin ushtarak në Doboj (Bosne e Hercegovinë); Xhavit Alush Berisha u lind më 16. 11. 1967, në Prugovc të Prishtinës. Më 17 shtator 1989 mobilizohet në Ushtrinë Jugosllave, në Sombor të Kroacisë, VP 3065/4-3. Vetëm dy muaj më vonë e dërgojnë në klinikën ushtarake të Beoradit. Më 12.12.1989 vdes dhe dërgohet pa asnjë shënim për varrim. U helmua; Enver Shaban Ramadani u lind më 5 maj 1970, në Brojë të Skënderajt. Më 1988 mobilizohet në ushtri, në Vitoviricë të Kroacisë. Në dhjetor 1988 i shkon për vizitë i vëllai, por nuk e lejojnë ta shoh, sepse sipas oficerëve Enveri ishte kokëfortë. Më 14 janar 1989 oficeri i tij e nxjerr nga dhoma në mesnatë, me arsyetim se duhet të shkojë në raport. Në mëngjes ushtrarët lajmërohen se ai bëri vetëvrasje; Izet Ismaili u lind më 11 shkurt 1949, në fshatin Banjë të Vushtrrisë, ishte major dhe së fundi shërbeu në Nish. Më 2 shkurt 1989, ishte kujdestar në kazermë. Dyshohet se atë natë ia kishin helmuar ushqimin. I kishin filluar dhembje të mëdha në stomak, prandaj kishte shkuar në Spitalin Ushtarak në Beograd. As familja nuk arriti ta nxirrte nga spitali dhe ta dërgonte diku jashtë. Vdiq më 16 mars 1989.

KAPITULLI I DHJETË përmban biografitë e ushtarëve që u vranë gjatë vitit 1990: Vahedin Xhimshit Hajrizi u lind më 22 tetor 1969, në Kuklibeg të Dragashit. Më 18 dhjetor 1989 urgjentisht mobilizohet në ushtri, së pari në Sombor e pastaj në Divulja të Trogirit (Kroaci). Ishte i rrezikuar vazhdimisht dhe këtë ia kishte thënë babait në telefon, por nuk arriti ta tërhiqte. Bisedat e tij i përcolli sigurimi ushtarak dhe Vahedinin e vrau vetëm pas tre muajve më 26 prill 1990; Hamit Jahë Haxhiu u lind më 1. 5. 1957, në Batushë të Gjakovës. Ishte kapiten i klasit të parë në Garnizonin e Nishit. Më 1 .2. 1990 një ekspeditë tankiste nga Nishi pa pjesmarrjen e tij kishte hyrë në Podujevë dhe kishte vrarë një qytetar para shtëpisë (Fadil Tallën). Në shenjë aktiviteti për të mbuluar reagimin e mëvonshëm të Hamitit, atë e helmojnë dhe vdes më 22 qershor 1990; Jetullah Haxhi Desku u lind më 15. 05. 1970, në Siçevë të Klinës. Më 18 mars 1990 mobilizohet në Ushtrinë Jugosllave VP 5920/12D të Suboticës (Vojvodinë). Pas dy muajve vritet në Kazermën “14 vojvigjanska divizija”, më 18 maj 1990; Halim Halil Gashi, u lind më 1969, në fshatin Akllap të Lipjanit. Ishte janari i vitit 1990, kur i refuzoi urdhërat e eprorit që të luftonte kundër forcave çlirimtare kroate. Atëherë, oficeri i tij i pashpirt ia drejton armën dhe e qëllon në kokë, duke e lënë të shtrirë në tokë, në Gospiq të Kroacisë; Xhevdet Hajredin Aruçi u lind më 12 qershor 1966, në Rrezallë të Skënderajt. Më 19. 5. 1990 urgjentisht u mobilizua në Tuzlla të Bosnje Hercegovinës. Më 27 qershor 1990 një bandë ushtrarësh, të drejtuar nga një oficer i garnizonit, me shufra hekuri e masakruan deri në vdekje; Fatmir (Adem) Tafaj (8 tetor 1970), nga fshati Grejkoc i Suharekës, derisa po e kryente shërbimin ushtarak, u masakrua më 27 gusht 1990, ne Sisak (Kroaci).

NË KAPITULLIN E NJËMBËDHJETË paraqiten biografitë e ushtarëve të vrarë më 1991 Xhevdet Pomak (1970), nga fshati Brod i Sharrit, u vra gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak, në Pakrac, më 1991; Agim Salih Gllareva u lind më 7 korrik 1971, në Vërbovc të Drenasit. Në Armatën Jugosllave shkoi më 1990. në Kërçovë të Maqedonisë së Veriut. Prej këtu e transferojnë në Dvor na Uni të Kroacisë. Aty vritet më 16 tetor 1991, në rrethana të pasqaruara; Lulzim Faik Rexhepi u lind më 19 shtator 1969, në Zabel të Epërm të Drenasit. Më 16. 12. 1990 mobilizohet dhunshëm në Ushtrinë Jugosllave. Shkon në Vutoviricë të Kroacisë, VP-1530/16. Më 16 1. 1991 Lulzimin e vranë njëherë e pastaj e hodhën nën rrotat e trenit, për të thënë se bëri vetëvrasje; Tahir Azem Gashi u lind më 25. 7. 1971, në Vërbovc të Drenasit. Më 16 qershor 1991 mobilizohet në Ushtrinë Jugosllave, në Osjek të Kroacisë, VP 5530/10. Vetëm një javë pas fillimit të ushtrimeve dërgohet në frontet e luftës kundër forcave çlirimtare të kroate. Më 16 shtator plagoset rëndë dhe pas tri ditë vuajtjeje vdes në një veturë, ku e gjejnë ushtarët kroatë dhe e varrosin në varrezat qëndrore të Osjekut; Ali (Nazif) Sahiti (24 maj 1971), nga Komogllava e Ferizajt, më 15 mar 1991, e derguan me dhunë për ta kryer shërbimin ushtarak në Garnizonin e Shtipit (Maqedoni e Veriut), VP-6381/3, ndërsa më 22 mars 1991, e transferojnë në frontet e luftës në Shtunj (Kroaci), VP-7260/5. Më 19 dhjetor 1991, një ushtar nga Rashka (Serbi) e vrau mu në mes të poligonit të kazermës. Kufomën e tij ushtria e mbajti në morg 26 ditë me radhë, pa e njoftuar familjen; Muharrem Faik Muharremi u lind më 28 prill 1971, në Katundin e Vjetër të Ferizajt. Më 5 tetor 1991, u vra me breshëri plumbash, në vendin e quajtur Bokanjac të Zarës (Kroaci); Sherif Kashtanjeva u lind më 19 prill 1970, në fshatin Nerodime të Ferizajt. Shkoi ushtar më 15 dhjetor 1990, në Shabac të Serbisë. Dy javë pa e kryer shërbimin ushtarak, ai kthehet i vrarë, në shtëpi, më 2 dhjetor 1991; Abedin Krasniqi u lind më 17 prill 1970, në Bardh të Vogël të Fushë-Kosovës. Pas 143 ditësh shërbim ushtarak në A(P)J, e kthejnë të vrarë, të mbyllur në arkivol, më 3 nëntor 1991 nga Knini i Kroacisë; Ejup Gashi u lind më 10 maj 1970, në fshatin Bardhi i Madh të Fushë-Kosovës. Ushtar shkoi në Llastovo të Kroacisë, më 24 dhjetor 1990. Pesëmbëdhjetë ditë pa e kryer shërbimin ushtarak, i kthehet familjes i vrarë, i mbyllur në arkivol, më 21 nëntor 1991; Setar Mustafë Ramadani u lind më 1972 në Osek Hilë të Gjakovës. Më 1991 u mobilizua në Armatën Jugosllave, të cilin e dërguan në frontin e luftës serbo-kroate. Nga mbrapashpina u vra më 1 shtator 1991 në Trebinje të Kroacisë, “sepse nuk kishte zbatuar urdhërat serbe!”; Vesel Duraku u lind më 1972, në fshatin Demjan të Gjakovës. U vra gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak, më 15 dhjetor 1991, nga snajperisti kroat, në Turanj, meqë serbët e kushin vënë dhunshëm në vijë të parë të frontit; Fadil Salihu, u lind më 27 korrik 1971, në Livoç të Poshtëm të Gjilanit. U vra gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak, në çlirimin e Gospiqit (Kroaci), më 23 tetor 1991; Elez Halipi u lind më 1991, në Kumanovë. U vra në Trebinje të Kroacisë, në vitin 1991; Taip Aliu u lind më 1972, në Forinë të Gostivarit. U vra në fillim të tetorit 1991, në një fshat të Dubrovnikut, ku po zhvillohej luftë e ashpër mes forcave çlirimtare kroate dhe tyre okupatore serbosllave; Abedin Buleshkaj u lind në vitin 1969, në lagjen Buleshkaj të Istogut. Pëson nga traumat që kishte duke parë skena të llahtarshme se çfarë po bënte ushtria fashizoide serbe ndaj popullatës kroate, më 1991, kur po shërbente në Pulë të Kroacisë Pas disa muajsh, ai kthehet në shtëpi, por i traumatizuar e vret veten; Enver Maksutaj u lind më 12 shkurt 1990, në Orrobërd të Istogut. Ushtar shkoi në Gjakovo të Kroacisë, në P.U.6318/18, më 18 nëntor 1990. Më 15 shtator 1991, dy muaj para se ta përfundonte shërbimin ushtarak, kthehet i vrarë në shtëpi; Selman Metaj u lind më 18 shtator 1971, në fshatin Shushicë të Istogut. Shkoi ushtar në mars të vitit 1991, në Knin të Kroacisë, në P.U. 1318/14. Pas shtatë muajsh shërbim ushtarak, i kthehet familjes i mbyllur në arkivol, më 20 shtator 1991. Versioni zyrtar ishte se gjoja duke u kthyer nga stërvitjet ushtarake, transporteri i ushtarëve ishte rrokullisur; Izet Bushi u lind më 1971, në fshatin Puset e Nikës. Më 28 qershor 1990, i vjen thirrja për shërbim ushtarak. Ai ishte caktuar të shërbente në Kazermën Ushtarake të Çuprisë së Serbisë, në P.U.4418/7. Në mëngjesin e hershëm të 1 janarit 1991, rreth orës pesë të mëngjesit, nga prapashpina u zbrazën breshëri plumbash në trupin e njomë të tij. Thuhet se këtë akt kriminal e kreu eprori serb, Predrag Nikoliq; Florim Kosumi u lind më 25 mars 1971, në fshatin Tugjec të Dardanës (ish-Kamenicë). Ai ishte caktuar ta kryente shërbimin në Karllovc të Kroacisë, në P.U.3293/23. Pas gjashtë muajsh shërbimi në Armatën Jugosllave kthehet i mbyllur në arkivol, më 23 qershor 1991; Muhamed Biçku u lind më 1 nëntor 1971, në fshatin Hogosht të Dardanës (ish-Kamenicë). Më 14 qershor 1991, ai shkon ushtar në Garnizonin Ushtarak në Dugo Sello. Pas dy majsh shërbim ushtarak, kthehet i vdekur, në arkivol; Muharrem Robelli u lind më 7 mars 1971, në fshatin Lajqiç të Dardanës (ish-Kamenicë). Ushtar shkoi më 17 mars 1991, në Kazermën ushtarake “Boshko Zhuniq” në Knin të Kroacisë, në P.U. 1318/18. Nga arma e një eprori maqedon, më 10 shtator1991, po jepte frymën e fundit në spitalin e Splitit të Kroacisë; Mursel Xhambazi u lind më 1971, në Cërvicë të Kërçovës. Ai ishte caktuar të shërbente në Kroaci. Atje po bëhej një luftë në mes forcave çlirimtare kroate me forcat tjera okupuese serbosllave. U vra më 1991, afër Dermishit të Kroacisë; Haki Dinë Morina u lind më 26 nëntor 1970, në Gllarevë të Klinës. Më 19 mars 1991 mobilizohet në Garnizonin ushtrak të Tivarit, VP-6330-20/4. Më pastaj e transferojnë në Trebinje (Bosnje e Hercegovinë) VP-6143/6. Më 23 tetor 1998 e nxorën në vijën e parë të luftës dhe e vranë pas shpine. U tha se shkeli në minë, por kur u hap arkivoli u gjetën plumbat në trup nga mbrapa; Nexhmedin Osmani, u lind më 1971. Shkoi në ushtri më 1991, kur vra gjatë kryerjes se shërbimit ushtarak, ne Novo Mesto (Slloveni), më 1991, pa u dhënë sqarime se si u vra dhe kush e vrau; Afrim Zylfiu u lind më 1970, në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut. Ushtar shkoi në Trebijne të Kroacisë, më 1991, kur vritet me plumba në kraharor nga një armatë fashiste serbosllave, po atë vit; Ejup Bedrolli u lind më 20 mars 1971, në fshatin Qellopek të Lipjanit. Ushtar shkoi më 24 dhjetor 1990, në Bjellovar të Kroacisë. Në mëngjesin e hershëm të 29 shtatorit 1991, Garda Çlirimtare Kroate e kishte sulmuar me raketa Kazermën e Bjellovarit. Ai sulm i rrufeshëm e kishte gjetë në tank Ejupin, të cilin e kishte kapluar zjarri; Samedin Fazli Krasniqi u lind më 26 shtator 1963, në Tërpezë të Malishevës. Më 24 dhjetor 1990 pas shumë ikjesh, mobilizohet në Llastovë të Kroacisë. Më 17 gusht 1991 e transferojnë në Shibenik. Samedini ishte ushtar i pasigurt, sikur edhe gjithë ushtrët shqiptarë. Sipas ushtarit Muharrem Ahmetaj nga Korisha, oficeri Urosheviq e nxori nga rreshti Samedinin dhe e dërgoi në raport me akuzën se po e organizonte dezertimin e ushtarëve shqiptarë. Natën kazerma rrethohet nga ushtarët kroatë të lirisë. Urosheviq i nxjerr ushtarët në vijën e parë dhe jep urdhër që të qëllojnë kroatët por Samedini nuk gjuan. Eprori e sulmon me armë automatike dhe pasi e palgosë ikë duke e lënë ushtrinë vetëm; Raif Miftari u lind më 23 gusht 1962, në fshatin Kapit të Medvegjës. Në vitin 1984, caktohet të shërbejë si kapiten në Tuzlla, deri më 27 prill 1991, kur vritet nga Armata Jugosllave; Burim Behrami u lind më 25 tetor 1972, në Mitrovicë. Ushtar shkoi më 17 mars 1991, në Osjek të Kroacisë. Pas shtatë muajsh shërbim ushtarak, vritet, atë ditë kur po i mbushte 21 vjet, më 25 tetor 1991; Rasim Istrefi u lind më 10 mars 1963, në Kovaçicë të Mitrovicës. Ushtar shkoi në Kërçovë të Maqedonisë së Veriut, më 15 dhjetor 1990. Pas disa muajsh transferohet në Karllovc të Kroacisë, ku vritet më 23 dhjetor 1991; Xhevdet Muzliukaj u lind më 20 mars 1971, në Shipol të Mitrovicës. Ishte 21 dhjetor 1991, kur erdhi kumti i zi se ishte vrarë në front të luftës, afër Karllovcit të Kroacisë; Mirsad Çekiç u lind më 1970, në Pejë. Ushtar shkoi në vitin 1991, në njërën nga kazermat e Beogradit. Ai, pas disa muajsh i kthehet i vdekur familjes Çekiç nga Peja; Afrim Bahtir Hyseni u lind më 1. 7. 1970, në Lumbardh (ish-Velikorekë) të Podujevës. Më 17 mars 1991 mobilizohet dhunshëm në Armatën Jugosllave në Vernik të Vojvodinës. Ndërkohë në kazermë kupton se do t’i dërgojnë në luftë në frontin e Vukovarit. Në fillim të prillit heq uniformën ushtarake dhe ik nga kazerma dhe vjen në vendlindje. Dy javë qëndron në ilegalitet, por pas dy javësh policia rrethon fshatin dhe ekzekuton Afrimin me rafal automatiku, duke e lënë dy ditë, për ta parë të gjithë; Rexhep Ahmeti u lind më 30 prill 1972, në Dobratin të Podujevës. Ushtar shkoi më 15 prill 1991, në Mostar të Bosnjes dhe Hercegovinës, në P.U. 7394/13. Pas dy muajsh shërbim ushtarak, kthehet, i vrarë nga armata serbosllave, më 3 gusht 1991; Shaip Behrami u lind më 20 mars 1971, në fshatin Pakashticë të Podujevës. Ai shkoi ushtar në dhjetor të vitit 1990, në Valevë. Pas disa muajve e transferojnë në Knin të Kroacisë, në P.U. 7280, prej nga kthye i vrarë, në arkivol; Fatmir (Nezir) Krasniqi, u lind më 9 maj 1967, në Prishtinë. U vra në kazermat e Smederevës, më 23 maj 1991, derisa po e kryente shërbimin ushtarak; Shukri Kelani u lind më 1971, në Prishtinë. Ishte fundi i shatorit 1991, kur Garda Kroate i kishte intensifikuar sulmet në kazermën që mbahej nga forcat okupatore serbe. Kazerma sulmohet. Ushtarët ishin nëpër tanke, kështu që tanku, ku ishte Shukriu, përfshihet në flakë, prej nga ai nuk mundi të largohej, por u dogj i tëri, me shokë; Skënder Kryeziu u lind më 8 mars 1969, në fshatin Capar të Prizrenit. Ishte 16 shtatori 1991, kur Skënderin e vranë, pse nuk deshi t’u përgjigjej urdhrave të eprorit gjakpirës që të luftonte kundër forcave çlirimtare kroate; Xhiman Alia u lind më 1971, në fshatin Skrobisht të Prizrenit. Ai shkoi në Pakrac të Kroacisë, në vitin 1991. Nuk kemi të dhëna se në çfarë rrethanash u vra. Vetëm dihet se ai humbi jetën atje; Bashkim Krasniqi u lind në vitin 1972, në fshatin Qifllak të Rahavecit. Prej Pozharevcit të Serbisë e dërgojnë në front me kroatët. Ishte 23 shtatori 1991, kur po kthehej trupi i pajetë i djaloshit të Qifllakut, për të rënë në shtratin e përjetësisë; Elmi Popaj u lind më 1 korrik të vitit 1971, në fshatin Fortesë (ish-Bellacërkë) të Rahovecit. Në vitin 1990, detyrohet t’i përgjigjet thirrjes për kryerjen e shërbimit ushtarak. Ai u vendos në garnizonin ushtarak Shën Pjetër, në Goricë, në Slloveni. Kur i kishin mbetur edhe pak ditë për përfundimin e shërbimit ushtarak, e kur familja po përgatitej për rikthimin e tij, ai vritet (28 qershor 1991), në agresionin e armatës serbe ndaj Sllovenisë; Vesel Gashi u lind më 1970, në fshatin Studençan të Suharekës. Shkoi ushtar në Bjellovar të Kroacisë, më 30 qershor 1991. Atje kishte mbetur në luftën kroato-serbosllave, bashkë me shumë shokë shqiptarë; Ilaz Fazliu u lind më 1970, në fshatin Polaticë të Tetovës. Nuk kemi të dhëna se ku shërbeu, vetëm dihet se në vitin 1991, kthehet i vrarë nga Armata Jugosllave, pas disa muajsh shërbimi; Numan Rexhepi u lind më 1971, në Tetovë. Trebinja u bë varr për ushtarët shqiptarë. Nga ai vend u kthyen të vrarë shumë ushtarë shqiptarë. Ishte viti 1991, kur ra ushtari shqiptar, Numan Rexhepi nga Tetova; Farush Emini u lind më 1 dhjetor 1971, në Zhiti të Vitisë. Shkoi në Armatën Jugosllave, në P.U. 8840/10, në Derventa të Bosnjes e Hercegovinës, më 16 mars 1991. Më 16 shtator 1991, ai u vra me një plumb në kokë, nga prapa, ngase e refuzoi luftën me kroatët; Mumin Shkodra u lind më 8 mars 1970, në fshatin Sadovinë të Vitisë. Më 1991, shkoi të shërbente në Garnizonin e Mitrovicës së Sremit, në Vojvodinë, në P.U.7375/2. E transferojnë në Vukovar të Kroacisë, në vatër të luftës. Ishte 2 tetori 1991, kur në një lokalitet të Shidit, vritet me plumba pas shpine nga eprorët shovinistë serbë, sepse nuk deshi të luftonte kundër forcave kroate; Samet Bogujevci u lind më 1 korrik 1967, në fshatin Pozharan të Vitisë. Më 13 tetor 1991, luftëtari i lirisë së Kroacisë, ra në altarin e lirisë. Ai ishte pjesëtar i Brigadës 118 të luftëtarëve vullnetarë shqiptarë; Shaban Bajrami u lind në vitin 1968, në fshatin Kapit të Medvegjës. Kishte ikur nga kazermat e Beogradit dhe në përleshje e sipër, vrau dy oficerë ushtarakë dhe plagosi dhe të tjerë, duke mbetur mbeti edhe vetë i vrarë, në qeshor të vitit 1991; Selajdin Rizvani u lind më 1971, në Reçicë të Tetovës. Shërbente në Dubrovnik të Kroacisë, që ishte në shënjestër të forcave okupatore serbosllave. Aty ishte i pozicionuar edhe Selajdini dhunshëm nga serbët, ku vra, më 1991.Vrasja e tij ishte e planifikuar për ta akuzuar ushtrinë kroate. 

NË KAPITULLIN E DYMBËSHJETË (TË FUNDIT) janë përfshirë biografitë e ushtarëve që u vranë në vitet 1992-1993: Ali Rrustemi u lind më 1972, në fshatin Reznik të Vushtrrisë. Ai shkoi ushtar më   28 qershor 1991, në Trebinje të Bosnjes dhe Hercegovinës, në P.U.6143/8. E e transferojnë në Prevllakë e në fund, në Knin të Kroacisë. Ai vritet më 27 maj 1992; Gëzim Hasani u lind më 11 nëntor 1971, në fshatin Strofc të Vushtrrisë. Ushtar shkoi më 15 qershor 1991, në Bërçko të Bosnjes dhe Hercegovinës, në P.U.9840/6. Pas gjashtë muajsh shërbimi, e transferojnë në Bllazhujë të Sarajevës, në P.U. 9785. Pas nëntë muajsh shërbim ushtarak në Armatën Jugosllave, kthehet i vrarë nga eprorët shovinistë serbë, i mbyllur hermetikisht në arkivol, më 16 prill 1992; Sefer Çukoci u lind më 10 dhjetor 1976, në fshatin Cërnillë të Ferizajt. Vritet më 23 gushtit 1993, kur heret në mëngjes rrethohet Familja Çukoci nga një ekspeditë policore; Enver Aliaj u lind më 27 janar 1969, në fshatin Sallagrazhdë të Suharekës. Në vitin 1984, u regjistrua në Shkollën Ushtarake të Kadetëve në Beograd, në drejtimin e kimisë. Ishte 8 qershori i vitit 1993, kur Enveri njëherë e përgjithmonë mbylli sytë nga një helmim vdekjeprurës; Isuf Krasniqi u lind më 15 prill 1965, në fshatin Gllobar të Drenasit, i vetmi djal ne familje, vdiq më 1996 si pasojë e presioneve dhe keqtrajtimeve të rënda gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak; Muhamet Osmani u lind më 10 dhjetor 1968, në fshatin Ballofc të Podujevës. Më 18. 06. 1988 shkoi ushtar në Shibenik të Kroacisë. Muhametin dhe disa ushtarë tjerë i burgosën me pretekst se kishin kontaktuar me Afrim Zhitinë. Nga pasojat e torturave në burg, vdiq më 20 prill të vitit 1996.

Kjo kaptinë mbyallet me shkrimin e prof. Qazim Berisha “NJË SEGMENT JETE I AUTORIT TË LIBRIT NË A(P)J “, për të përfunduar me disa poezi të tematikës së njëjtë.

3.

Armata Popullore e Jugosllavisë, gjithmonë ishte e dominuar nga strukturat politike dhe komanduese serbe, e cila për shumë ushtarë shqiptarë u bë varr i tyre, sepse ata po ktheheshin në arkivole, me “diagnozë – vetëvrasje”! Prej asaj ushrie me doktrinë fashishte dhe shoviniste, për çdo vit ktheheshin të vdekur mesatarisht nga 115 deri 125 ushtarë, shumica dërrmuese e tyre, të vrarë në mënyra të ndryshme (të kurdisura), por që mënyra e vdekjes mbahej në fshehtësi, përveç në rastet e fatkeqësive të komunikacionit. Organet kompetente kurrë nuk e kanë treguar të vërtetën për ushtarët e vrarë, as nuk ia kanë lënë vetes fajin. Gjithmonë “e kanë gjetur” fajtorin tek i vrari ose te ndonjë person tjetër “me çrregullime mendore”.  Vrasjet e tilla heshteshin dhe askush nuk përgjigjej për ushtarët e rinj, për kadetët dhe as për oficerët shqiptarë të burgosur, të ekzekutuar, të masakruar dhe të helmuar.

          Dukuria e ekzekutimit, e helmimit dhe e masakrimit të ushtarëve shqiptarë, në A J është e gjatë. Veç vrasjeve, që pësonin në kazermat serbo-jugosllave, në kazamatet e tmerrshme serbe, në burgjet e tyre shqiptarët kanë përjetuar tmerre, që nuk kishin ndodhur as në kohën e   Gestapos (Geheime Staatspolizei (Policia e Shtetit Sekret), që ishte policia sekrete zyrtare e Gjermanisë naziste, e formuar më 1933. Dëshmitë e të burgosurve janë   tronditëse.

          Si pasojë e një politike shoviniste ushtarake, si dhe trajtimi i egër antishqiptar që ndërmerrej në shërbimin ushtarak kundër shqiptarëve është fakt i pakontestueshëm që flet se gjatë viteve 1981-1991 nga shërbimi ushtarak u kthyen në arkivole 73 ushtarë shqiptarë, të martirizuar në kushte dhe rrethana të ndryshme. Prej tyre, 35 kufoma të ushtarëve të vrarë ishin të mbuluara në arkivole speciale dhe familjeve nuk iu lejua t`i shohin. Të gjitha këto raste janë trajtuar kryesisht, gjoja si vetëvrasje.

          Vrasja e ushtarëve shqiptarë në APJ është një fakt tejet i fuqishëm që tregon se shqiptarët nën Jugosllavinë komuniste kanë qenë vazhdimisht popull i persekutuar, i diskriminuar, i përndjekur, i vrarë dhe, së fundmi (më 1999), u ushtrua edhe gjenocidi e spastrimi etnik nga armata dhe policia serbe.

          Asnjëherë shqiptarët nuk ishin trajtuar si të barabartë në Armatën Jugosllave, ashtu siç nuk trajtoheshin njëjtë edhe në sfera të tjera të jetës politike, arsimore, kulturore etj.

          Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak, ushtarët shqiptarë ishin të vëzhguar dhe të mbikëqyrur me kujdes, veçanërisht nga shërbimi sekret i APJ-së. Vrasja e shpeshtuar dhe sistematike e tyre nëpër kazermat serbosllave u bë veçanërisht pas demonstratave të vitit 1981, kur u bënë shumë arrestime, burgosje, gjykime dhe dënime të rënda të tyre nga gjykatat ushtarake anembanë ish-Jugosllavisë, me   procese të kurdisura, me motive gjoja armiqësore ndaj shtetit dhe armatës jugosllave. Ato shërbyen që shumë të rinj shqiptarë të kalojnë vite burgjesh të rënda kudo nëpër ish-Jugosllavi.

          Se historia e Kosovës e shekullit njëzet ka qenë e përgjakshme dhe e stërmbushur me krime të llojllojshme, të bëra nga Serbia, dëshmon edhe ky libër i autorit Qazim Berisha, që flet për një seri vrasjesh të të rinjve shqiptarë (ushtarë, kadetë, ushtarakë) nga e ashtuquajtura Armata Popullore e Jugosllavisë.

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Forcat armike ndërmarrin ofensivë në tërë territorin e Kosovë të përfshirë në luftime. Në mbrojtje të pozicioneve tona në Gradinë bien pesë dëshmorë. Forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. (E diel 18 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Forcat armike ndërmarrin ofensivë në tërë territorin e Kosovë të përfshirë në luftime. Në mbrojtje të pozicioneve tona në Gradinë bien pesë dëshmorë. Forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. (E diel 18 prill, 1999)

Herët në mëngjes jemi zgjuar në befasi nga breshëria tejet e akorduar dhe e gjith …