Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit ka thënë për gazetën KOHA se veprimet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kanë çuar në pezullimin e Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, vendimi erdhi pas “kalimit të vijës së kuqe”, përfshirë përpjekjet për të penguar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje. “Për ne ishte shqetësues fakti që iu mohua e drejta qytetarëve, në këtë rast serbëve të Kosovës, për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre”, është shprehur zyrtari amerikan. Ai tha se nuk bëhet fjalë për një incident të izoluar, por për një varg veprimesh që kanë thelluar pasiguritë dhe tensionet në veri. “Ka pasur hapa destabilizues, për të cilët kemi ngritur shqetësime. Gjëja kryesore mbetet mohimi i të drejtës së qytetarëve për përfaqësim”, ka shtuar ai. Zyrtari ka kujtuar se SHBA kishte paralajmëruar se do të ketë pasoja nëse kjo qasje vazhdonte. “E pamë të domosdoshme të mbronim interesat tona”, u shpreh ai. Ambasada amerikane në Prishtinë tashmë ka shpallur pezullimin pa afat të Dialogut Strategjik, duke e arsyetuar me veprimet e qeverisë Kurti që, sipas saj, kanë rritur tensionet dhe jostabilitetin.
