Zyrtarja e BE-së i dërgon mesazh të prerë Kosovës: “Statusi i kandidatit nuk jepet automatikisht”

Ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka deklaruar se Kosova duhet të bindë të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së nëse synon ta marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Union. Në prag të shënimit të Dita e Evropës, Palatova tha se Brukseli pret nga Kosova stabilitet institucional, zgjedhje demokratike dhe përparim konkret në reforma dhe dialogun me Serbinë. “Brukseli nuk mund ta japë thjesht statusin e kandidatit. Ju duhet t’i bindni 27 shtetet anëtare”, deklaroi ajo, duke iu drejtuar institucioneve të Kosovës. Zyrtarja evropiane theksoi se zgjedhjet parlamentare duhet të jenë të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse, ndërsa pas tyre pret formim të shpejtë të institucioneve dhe krijimin e një qeverie stabile me shumicë funksionale në kuvend. Palatova rikujtoi se karakteri shumetnik i Kosovës mbetet një element me rëndësi për shtetet anëtare të BE-së dhe se kryeqytetet evropiane po vëzhgojnë mënyrën se si Kosova garanton përfshirjen dhe perspektivën për të gjitha komunitetet. Ajo tha se BE-ja pret vazhdim të zbatimit të marrëveshjeve të dialogut “me mirëbesim”, duke përmendur edhe angazhimet e fundit të konfirmuara nga kryeministri Albin Kurti në takimet me përfaqësuesit evropianë.

Kontrolloni gjithashtu

Endrit Thaçi në mbështetje të Bedri Hamzës: Kosovës i duhet ndryshimi, votoni 125

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur publikisht mbështetjen e tij …