Aleanca Kosovare e Bizneseve ka shprehur shqetësim të madh lidhur me masat dhe qasjen e fundit të institucioneve të Kosovës ndaj produkteve të importuara nga Shqipëria, duke paralajmëruar se pengesat tregtare po dëmtojnë partneritetin ekonomik mes dy vendeve shqiptare. Përmes një reagimi publik, AKB kritikoi Ministrinë e Bujqësisë dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë për, siç thuhet, krijimin e barrierave administrative dhe trajtim selektiv ndaj produkteve “Made in Albania”. Sipas AKB-së, Kosova është nënshkruese e marrëveshjeve ndërkombëtare si CEFTA dhe Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, të cilat garantojnë lëvizjen e lirë të mallrave dhe eliminimin e barrierave jo-tarifore. “Çdo pengesë artificiale në kufi, çdo vonesë e panevojshme apo trajtim selektiv i produkteve shqiptare dëmton jo vetëm ekonominë shqiptare, por edhe vetë bizneset, konsumatorët dhe partneritetin ekonomik mbarëkombëtar”, thuhet në reagim. AKB theksoi se mbështetja për prodhimin vendor dhe mbrojtja e konsumatorit janë të rëndësishme, por ato nuk duhet të përdoren si arsye për bllokim të mallrave apo krijim të pasigurisë për importuesit dhe prodhuesit shqiptarë. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, deklaroi se ekonomia kombëtare nuk forcohet me barriera mes shqiptarëve, por me bashkëpunim, standarde të përbashkëta dhe treg unik ekonomik. Aleanca kërkoi nga institucionet e Kosovës që të shmangin kontrollet selektive dhe të fokusohen në luftimin e produkteve jokualitative pa dallim origjine, si dhe në harmonizimin e standardeve mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
