24 vjet pas rënies në detyrë luftarake të dëshmorit Gëzim Hamza-PIKTORI

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi ka kujtuar dëshmorin e kombit Gëzim Hamza-PIKTORI në 24 vjetorin e rënies, ai me këtë rast ka thënë: Dëshmori i atdheut Gëzim Hamza-PIKTORI, jeton me veprën madhështore që e shkroi me gjak, sa të ketë jetë në truallin dhe nënqiellin shqiptar. Ai është i gjallë ndër breza, për porositë që na i la për së gjalli kur po luftonte me shpirt ndër dhëmbë me plagët e rënda të lirisë, që për pasojë të tyre, ai fitoi pavdekësinë, për të mbetur i gjallë përjetësisht në kujtesën e popullit tonë, si një emër i ndritur i luftës për çlirimin e Kosovës. Gjaku i derdhur i bashkëluftëtarëve në luftimet e korrikut 1998 në Rahovec, është gjak i kuq lirie. Lufta për mbrojtjen e Rahovecit, bashkoi luftëtarë nga Rahoveci, Malisheva, Suhareka, nga Drenica e Dukagjini. Luftimet ishin të ashpra, heroike dhe të përgjakshme. Vërtet, në këto luftime humbëm shumë bashkëluftëtarë trima të sprovuar në beteja e qytetarë të paarmatosur, por pesha dhe roli i UÇK-së dhe lufta jonë kundër pushtuesit ishte e gjallë, rezistenca jonë ishte e fortë dhe rruga e lirisë kërkonte nga ne çmimin e lartë të gjakut. Epopeja e UÇK-së në Rahovec, në ato ditë të nxehta korriku, u shkrua me gjak, me shembuj heroizmi e përkushtimi të UÇK-së e shqiptarëve liridashës, atyre që ia kthyen gjoksin furtunës, për ta ndalur, për ta goditur e për ta përzënë nga ky truall pushtuesin barbar serb.

Nderim dhe lavdi të përjetshme ‘PIKTORIT’!

Lavdi dëshmorëve të lirisë që ranë trimërisht në luftimet e korrikut ’98!

U kujtoftë përjetë Epopeja e UÇK-së në korrikun ‘98!

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe ambiente të jashtme

Kontrolloni gjithashtu

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës së Rahovecit 

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës …