Përparim Qazim Shala (10.5.1982 – 25.5.1999)

Përparim Qazim Shala (10.5.1982 – 25.5.1999)

Dëshmori i kombit Përparim Shala, u lind më 10 maj të vitit 1982, në fshatin Prapaçan të komunës së Deçanit. Ai pati fatin që bashkë me të atin të radhitet në Panteonin shqiptar të lirisë.
Qazim e Dushe Shala, prindërit e Përparimit i lindën e rritën shtatë fëmijë, gjashtë djem e një vajzë. Përparimi ishte më i madhi prej tyre. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Shkollimin e mesëm e vijoi në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan – në paralelen e Isniqit.
I frymëzuar nga lufta heroike e luftëtarëve çlirimtarë dhe i mbushur me urrejtje nga vrasjet e masakrat e forcave serbe mbi popullsinë civile, Përparimi edhe pse tepër i ri në moshë, më 25 nëntor 1998, i braktisi bangat shkollore për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’u radhitur përkrah babait Qazimit dhe axhës Enverit, të cilët që në fillim ishin angazhuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare, në kuadër të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, duke u dalluar për guxim e trimëri në betejat për liri.
Përparim Shala me bashkëluftëtarët e tij, deri më 11 maj 1999, veproi në kuadër të Brigadës “Jusuf Gërvalla” të UÇK-së, derisa u transferua në Batalionin Gardist të Zonës Operative të Dukagjinit. Më 11 maj 1999, sipas urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, formoi Batalionin e Tretë Gardist, i cili mori emrin e luftëtarit, organizatorit e komandantit të shquar Shkëlzen Haradinaj, i rënë më 16 prill të atij viti në një betejë të lavdishme në mbrojtje të popullatës civile në malet e Duboçakës. Në këtë periudhë gjithë Zona Operative e Dukagjinit ishte e përfshirë në luftime të rrepta e të pandërprera me forcat ushtarako-policore serbe. Pikërisht në këtë zonë ishin koncentruar forca të shumta ushtarako-policore e paramilitare serbe, të cilave nuk iu lejua as përparimi më i vogël. Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare po bënin një qëndresë heroike në të gjitha vijat e frontit. Në maj të vitit 1999, me qëllim të transferimit të të plagosurve nga frontet e luftës, që ishin në gjendje të rëndë shëndetësore, e luftimet në Zonën Operative të Dukagjinit po vazhdonin pandërprerë ditë e natë, duke patur edhe mbështetjen ajrore të aleatëve të NATO-s, Batalioni i Tretë Gardist ishte urdhëruar nga Komanda e Zonës për përcjelljen e të plagosurve deri për në Shqipëri. Bashkë me këta luftëtarë ishte edhe një grup i luftëtarëve të Zonës Operative të Pashtrikut, që shkonin drejt Tiranës për furnizim me armatim.
Edhe pse të vetëdijshëm për rrezikun e madh, njësiti i UÇK-së, i prirë nga luftëtarët e Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj”, nën drejtimin e komandantit Abdyl Mushkolaj dhe njësitit vëzhgues të udhëhequr nga Shkumbin Demalijaj, u ngarkuan me detyrën për të transferuar grupin e luftëtarëve të plagosur. Detyrimisht ata duhej të kalonin nëpër zonat e kontrolluara nga armiku. Nga Mazniku kaluan në Broliq, e prej andej në Strellc, për të kaluar nëpërmjet Bjeshkëve të Strellcit drejt kufirit.
Më 24 maj 1999, pas rrugëtimit të vështirë dyditor, nëpër terren të vështirë, nëpër borë e shi, mjegull e acar, kishin arritur të kalojnë Bjeshkën e Strellcit. Kolona ecën. Herë-herë ndalin të pushojnë pakëz, të ndërrohen ata që bartnin lesat me të plagosur, të marrin frymë apo që ekipi mjekësor t’u ndihmojë të plagosurve. Kishin lënë pas edhe stanet e Bjeshkëve të Belegut. Mjegull e dendur… Të lodhur… Të rraskapitur… Kolona ecën, nuk ndalet… Pjesëtarët e Gardës ishin në ballë të kolonës.
Arrijnë në trekëndëshin e dhunshëm kufitar të trojeve shqiptare, mbi stanet e Bjeshkës së Belegut, në Qafë të Bogiqes. Deri aty terreni ishte i mbuluar me mjegull të dendur. Sapo kishin arritur në një pozitë të caktuar, mjegulla ishte davaritur si me magji dhe kolona e luftëtarëve u gjend para zjarrit të gërshetuar të mitralozave të rëndë të njësive elite të ushtrisë serbe që kishin zënë pritat. Edhe pse të gjetur në një pozicion të papërshtatshëm lufte, pa municion të mjaftueshëm, me shumë të plagosur, të lodhur nga rruga e gjatë dhe e mundimshme nëpër mot të lig me shi e borë, Përparim Shala me bashkëluftëtarët bëri qëndresë mbinjerëzore. Këtë e dëshmuan edhe me rënien e pesëmbëdhjetë luftëtarëve të lirisë, madje edhe të njësitit pararojë të Batalionit Gardist, të përbërë nga Përparim Shala, Përparim Ferizaj, nga Kodralia e Deçanit, Nuredin Gërvalla, nga Krysheci i Pejës, e Valiant Ferizaj nga Kodralia. Aty ranë dëshmorë edhe Fehmi Demiqi, Naim Berisha, Xhavit Islami, Nazmi Gradina, Islam Krasniqi e Limon Morina. Ranë dëshmorë edhe luftëtarët e plagosur në fronte të ndryshme të luftës: Hajrush Demaj, Metë Lush Krasniqi nga Turjaka, Hysen Mehmeti dhe Nimon Musaj.
Njëherësh aty u plagosen rëndë e lehtë edhe njëmbëdhjetë luftëtarë të lirisë. Rëndë u plagosën Sali Ferizaj, Abdyl Mushkolaj, Shkumbin Demaliaj, Diamant Hasani, Hamid Cacaj, etj. Edhe eprori i Njësisë Speciale “Shqiponjat e Zeza”, Ramë Ukaj, që ishte i plagosur rëndë plagoset sërish, por arrin të tërhiqet dhe të mbijetojë. Luftëtari i njësitit pararojë, gardisti Sali Ferizaj, nga Kodralia e Deçanit, ndonëse i plagosur rëndë arrin të kthehet prapa dhe të tërhiqet deri në Strellc të Poshtëm, ku më 30 maj ishte zënë nga trupat serbe të stacionit policor të Deçanit, të stacionuar në punktin e Strellcit. Pasi e torturuan mizorisht, e ekzekutuan dhe trupin e tij e hodhën në bunar.
Përkundër dhembjes së madhe, rënia e këtyre dëshmorëve u dha forcë bashkëluftëtarëve për të luftuar edhe më fuqishëm kundër armikut deri në fitoren përfundimtare.
Eshtrat e katërmbëdhjetë dëshmorëve të rënë në Qafë të Bogiqes, u rrëmbyen nga forcat serbe dhe për disa vite rresht u konsideruan të zhdukur. Më vonë u gjetën në varrezën masive në afërsi të Beogradit, në Petrovo Sello, nën poligonin e qendrës stërvitore të Njësive Speciale të Armatës Jugosllave, në rrethinën e Klladovës. Më pas janë identifikuar në morgun e Rahovecit dhe janë varrosur me nderime të larta në tokën e atdheut të tyre.
Dëshmori Përparim Shala tetë vjet pas rënies është identifikuar nëpërmjet analizës së ADN-së. Më 20 gusht 2007, është varrosur me nderime të larta ushtarake në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan të Deçanit.
Në luftë për liri, ka rënë dëshmor edhe babai i dëshmorit, Qazim Hamëz Shala, luftëtar i Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”. Më 5 prill 1999, kur pas ofensivës masive, mbi 40 luftëtarë të plagosur rëndë po i transferonin nga spitali ushtarak i Zhebelit në drejtim të Burimit (ish-Istogut), një pjesë e kolonës bie në pritën e forcave serbe në mes të fshatrave Kotradiq dhe Vranoc. Në atë pritë Qazim Shala ishte zhdukur pa gjurmë. Njëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës, eshtrat e tij u gjetën në Lybeniq të Pejës. Më 14 tetor 2010, u varros në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan me nderime ushtarake pranë të birit dëshmor.
Heroizmit të Përparimit dhe të bashkëluftëtarëve të tij gardistë u janë kushtuar këngë e poezi. Në shenjë kujtimi për rënien e lavdishme, në vendrënien e dëshmorëve në Bjeshkët e Belegut është ngritur përmendorja e përbashkët për Përparim Shalën dhe 14 dëshmorët e tjerë të lirisë.
Familja e dëshmorit është nderuar me mirënjohje të shumta për djalin dhe prindin dëshmor, Përparim e Qazim Shalën. Këtyre dëshmorëve u është ngritur pllakë përkujtimore edhe në vendlindjen e tyre në Prapaçan. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …