KEK
Fillimi / Dëshmorët / Bekim Avdullah Sylka (11.3.1972 – 25.5.1999)
Bekim Avdullah Sylka (11.3.1972 – 25.5.1999)

Bekim Avdullah Sylka (11.3.1972 – 25.5.1999)

Rrjedhës së vrullshme të ngjarjeve që ushtruan ndikimin e vet për zhvillimin e shpejtë dhe për shtrirjen e rrufeshme të aktiviteteve të instrumentit të forcës në Rrafshin e Anadrinit, i kishin paraprirë shumë ngjarje si: Marshimi i Përgjakshëm në krye të të c ilit ishte profesor Ukshin Hoti, më 27 janar të vitit 1990 nëpër fshatrat e Lugut të Brestosit, vrasja e rahavecasit Et-hem Bekeri, delegat në Kushtetutën e Kaçanikut, i vrarë në Maribor të Sllovenisë, dinamika e ngjeshur e protestave për mbrojtjen e arsimit shqip, dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushën e Halit Gecit, Beteja e Prekazit, Beteja e Gllogjanit, Beteja e Bardhatinit më 12 maj 1998, Beteja e Gardhishtit dhe rënia e Mehedin Morinës më 14 maj, Beteja në Bokat e Kramavikut, aksionet guerile mbi stacionin policor të Drinasit, Granatimi i Drinasit, rënia heroike e Naser Veli Krasniqit në Drinas, rënia e Milaim Krasniqit të Pastaselit në Grykën e Bardhatinit, rënia e Elmi Morinës të Franajakës, rënia e Dëshmorëve të Prudës (Fortesë – Xërxë), vrasja e bujkut Ymer Delia në Rahavec në maj të vitit 1998 dhe Rasti Rrasat e Rhavecit. Këto dhe shumë ngjarje të tjera që raportoheshin nëpër botë, ndikuan që shumë të rinj ta braktisin Perëndimin dhe t’i kthehen Kosovës e cila thërriste ‘’O sot, o kurrë’’. Këtë zë dëgjonte edhe Bekim Sylka i Rahavecit, mërgimtar e bashkëpunues me Beqir Gashin e Sefë Mleqanit, të dy dëshmorë të kombit.
Bekim Sylka është i lindur në Rahavec më 11 mars të vitit 1972. Doli nga gjiri familjar i haxhi Jashar Sykës, i biri i Abdullahut, hotjan dhe i Hatije Çeskës, shaljane, të cilët kishin: Bekimin e Mizahirin dhe vajzat Duhanë e Sabinën. Bekimi ishte fëmia i parë, shpresë e familjes; fëmijë i zellshëm, gjeni i lindur, me talentin e pashoq e si fëmijë manifestonte temperaturë emocionale, për të dashur e për të urrejtur. I lindur dhe i rritur në një vatër patriarkore, Bekimi i vogël pati rastin për të dëgjuar prej familjarëve rreth vuajtjeve që të parët i patën hequr gjatë lëvizjeve të komitave serboçetnike në Rahavec e në Hoçë të Madhe, prandaj shumë herët i ra Bekim Sylkës që ta dallojë të mirën prej të keqës, i ra të frymëzohet prej veprave të Halit Hajdës, prej burrërisë së Sylkëve dhe prej trimërisë së dajallarëve Shaljanë.
Shkollën fillore e mbaroi në Rahavec dhe shquhet për zellin e madh që tregonte, prandaj i ati e udhëzoi që shkollën e mesme të fillojë në degët teknike. Këto i përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm në gjimnazin që sot mban emrin e Xhelal Hajdës – Tonit, dëshmor i kombit, bashkëluftëtarë i Bekimit.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, si shumë shqiptarë, rekrutohet dhunshëm në Armatën Jugosllave, më 18 korrik të vitit 1991, por ngjarjet që i kishte lënë më 1990 në Rahavec e Kosovë, rënia e Nesimi Elshanit, Agrohn Fetahut, Halim Hotit dhe Hilmi Krasniqit te Laku i Dëshmorëve në Brestos, nuk e lënë të qetë. Arrin ta braktisë Ushtrinë Jugosllave më 28 maj të vitit 1992. Policia e ndjek, prandaj merr rrugën e mërgimit, vendoset në Gjermani dhe sajon kontaktet e para me grupet që veç kishin shtrirë aktivitetet për mbështetjen logjistike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si shok i banimit me rapsodin Beqir Gashi, lidhet me Mujë Krasniqin dhe me veprimtarët e tjerë të Perëndimit. Kështu, prej nëntorit të vitit 1992, Bekim Sylka është në krye të detyrave që ia ngarkonin veprimtarët e Çështjes së Madhe e këto i ushtron deri në marrjen e lajmit mbi formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deri në daljen publike e deri në ditën kur mori lajmin se Xhelal Hajda – Toni kishte hyrë në Gllogjan e Selajdin Mullabazi – Mici gjenden në Likoc.
Ato ditë, braktis Gjermaninë dhe niset për në Shqipëri. Pas shumë provave për ta thyer kufirin Bekim Sylka së bashku me shokët, nëpërmjet Junikut, Gllogjanit dhe Dushkajës (Shqiponjës) arrin në formacionin e Batalionit të Rahavecit, i cili ato ditë kishte anacuar kah Rarasat e Rahavecit dhe ishte vendosur e kazermuar te Kërshi i keq. Bekimi arriti i veshur, i mbathur, i armatosur dhe profesionalisht shumë i përgatitur. Kishte, por edhe manifestonte një përvojë prej luftëtari, një forcë fizike e një fuqi morale plotë optimizëm. Për të mos i rënë kondicioni, ushtronte, por edhe i ushtronte rahavecasit e sapomobilizuar. Së andejmi operacionet përreth Rahavecit, Bekimin e gjejnë të përgatitur mirë dhe duke i prirë Skuadrës l të Kompanisë ll të Batalionit të Rahavecit. Edhe pse ishte afër dhe në Rahavec, nuk e vizitoi familjen deri më 27 korrik të vitit 1998, pas rënies së Rahavecit. Si i përgatitur mirë, merr pjesë në të gjitha operacionet, në Majën e Shkodranit, në Lugun e Ibrës, në Rrasat e Rahavecit, te Vorrezat Ortodokse, te Ujësjellësi i Rahavecit, te Kryqi i Aliagës, te Ura e Bërnajakës, te Posta e Rahavecit dhe në Rrihjet. Sqhuhet si komandues i guximshëm në Betejën te Lugu i Shqipeve, kur forcat serbe, u penguan, u zbrapsën, u thyen dhe u shkatërruan, prandaj nuk arritën në Malishevë, nga Rahaveci.
Më 3 gusht të vitit 1998, Bekimi së bashku me Xhelal Hajdën e Selajdin Mullabazin, niset për t’u riarmatosur dhe porsa e then Pashtrikun u bashkohet luftëtarëve të Zonës Operative Rrafshi i Dukagjinit dhe depërton në frontet e Shqiponjës dhe të Sukës së Cermjanit. Këtu lufton krah për krah me Fadil Nimanin, Shkëlzen Haradinajn, Sadri Lokajn, Xhelal Hajdën e Selajdin Mullabazin, të gjithë dëshmorët e kombit.
Në këtë zonë, Bekim Sylka afirmohet edhe më shumë, fiton një përvojë edhe më të madhe. Sukseset luftarake në Shqiponjë, në Gërgoc e Cermjan e ushqejnë me një optimizëm dhe vendos që së bashku me shokët t’i rikthehet Rahavecit. Kështu, me bashkëluftëtarët, Bekimi kthehet në Reti dhe komandant Toni e emëron përgjegjës në krahun perëndimor: Lis – Dervish – Izbisht – Hoçë e Vogël – Luqe – Arnine – Lisi i Bajrakut – Hamocet – Rahavec, të cilin pozicion Bekim Sylka e mban deri më 6 nëntor të vitit 1998, kur bijnë heroikisht Toni e Mici.
Pas rënies së kolonel Tonit e të Selajdin Mullabazit – Micit, Bekim Sylka emërohet komandant kompanie të Batalionit të Rahavecit, ndërsa vepron në tërë territorin të cilin e mbulonte brigada 124 ‘’Gani Paçarizi’’. Kur e vlerësoi se mund të zgjerohen fushëveprimet e Brigadës 124, Bekimi vepron në Hoçë të Vogël, Brestos, Nagac, Krushë e Madhe e Celinë, kurse depërton në Rahavec së bashku me Xhafer Kadirin e Selajdin Sokolin, së paku një herë në javë. Shfrytëzonte malet e Hamocit dhe rrugën që zbret kah Tumba e Hamzagës, Kryqi i Aliagës, Remniku, Ujësjellësi, Miniferma ‘’Parnas’’ deri në thellësi të Rahavecit, në rrugën e Ambulancës ku i kishte xhaxhallarët. Aktiviteti i Bekim Sylkës zgjerohet edhe më shumë kur arrin t’i njohë mirë Hamocet, Rrapishtet, Grykën e Bërnajakës, Lugun e Jollxhijës, Liqenin e Bllatës nga njëra anë, por edhe kurrizin deri te Rrihjet e Rahavecit në anën tjetër. Themelon Shtabin në Brestos, ndërsa zgjerohet kah Lisi i Bajrakut, Vorri i Daftit dhe Guri trigonometrik 439. Destinacioni bazë i Bekim Sylkës ishte dalja në Teftedarkë e së andejmi në Rrihjet e Rahavecit. Kësokohe, forcat serbe kishin pozicionet në: Tumbën e Hamzagës, pikë kjo që lidhej me Arën e Dervish Hamzës në të djathtë dhe me Kronin e Kajës e Kryqin e Aliagës në të majtë, mirëpo pa pretendime që të shtrihen kah Celina, por Brigada 124 ‘’Gani Paçarizi’’ me të cilën komandonte Skëder Hoxha, sipas urdhërit të Tahir Sinanit – Komandant Tropojës kishte pretendime që t’i marrë dy tumbat dhe Rrihjet e Rahavecit e së andejmi të depërtojnë në Rahavec nëpërmjet paralagjes ‘’Ali Sokoli’’. Dalja e Bekim Sylkës në Hamoc ishte promovim i një koncepti të depërtimit ‘’hap pas hapi’’ të cilin do ta mundësonte infrastruktura e projektuar nga vetë Bekimi në Hamoc; vendbanimi malor-pyjor i tipit të Dushkajës, transhetë me dalje kah Brestosi dhe Bllata e Rahavecit, istikamet në truall të butë, transporti i ujti të pijshëm dhe përcjellja e aktiviteteve serbe.
Luftëtarët e Bekim Sylkës kishin kampin e ngrehur me të gjitha infrastrukturat për sulm, për mbrojtje dhe tërheqje sipas projektit e me dakordin dhe vlerësimin profesional të komandant Tahir Sinanit kontributi i të cilit ishte shumë i rëndësishëm për ngrehjen e istikameve në Hamoc. Ky projekt kampor mbulohej me 15 ushtarë me të cilët komandonte vetë Bekim Sylka. Tashmë, Bekimi ishte luftëtar i shquar dhe kishte një përvojë të madhe luftarake të cilën e kishte mbledhur në Kroaci, në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit, në luftimet e Rahavecit dhe në thyerje të kufirit shqiptaro-shqiptar. Detyrën të cilën e kishte Bekim Sylka e kuptonte me seriozitet shumë të madh në krahasim me moshën pranda nuk flente as gjatë natës, mendonte për çdo gjë, sidomos ishte vigjilent në përcjelljen e lëvizjeve të forcave serbe të cilave u afrohej edhe deri 7-8 metra. Ndërsa në momentet kur tensionohej atëherë pinte çaj e thithte duhan pa masë e kur e shikoje të lënte përshtypjen e një luftëtari të rryer nëpër fushëbeteja.
Më 25 maj të vitit 1999, Bekim Sylka zbaton planin për marrjen e pozicioneve të reja në drejtimin e Rrihjeve të Rahavecit, prandaj edhe niset me skuadrën e parë duke qëndruar vetë në krye të detyrës. Prej forcave serbe e ndante një distancë minimale ushtarake (plumb kallashi). Synimi i Bekimit ishte pozicionimi në bunkerin e forcave serbe afër Rrihjeve, me ç’hap luftëtarët e lirisë do të hynin në Rahavec. Në anën tjetër dalja në Rrihje do të ishte fitore e luftëtarëve të lirisë pasi që do të ndërpritej korridori logjistik që shkonte prej Rahaveci, kah Rrihjet në Drejtim të Hoçës së Madhe. Por në orët e hershme, Bekim Sylka si duket nuk e pati Orën dhe merr Pavdekësinë mbi Shpatijet e Hamocit, sot Lugu i Bekimit, jo larg lapidarit për Bekimin, për Sabedin Hajdën e Mexhit Mustafën që mbetën legjenda për Betejat në Malet e Hamocit.
Rënia e Bekim Sylkës u bë një humbje e madhe, e tronditi brigadën 124 ‘’Gani Paçarizi’’ aq sa e kishte tronditur rënia e Tonit dhe e Micit, e tronditi Batalionin e Rahavecit të cilit ia preu elanin e avantazhit se luftëtarët e Bekimit, ato ditë veç kishin filluar operacionet nëpër paralagjen ‘’Ali Sokoli’’ në Rahavec. Brigada 124 kishte nën kontroll aksin rrugor të rajonales Xërxë-Rahavec dhe të pjesës së magjistrales prej Xërxe deri në Piranë, veçanërisht ëpzocopmet afër Teheve-Pajatat e Mullabazëve ku rezistonte Batalioni i Drinasit, kurse luftëtarët e Zonës Operative të Pashtrikut veç i patën harmonizuar operacionet me ‘’Shigjetën’’ dhe pretendonin për ta kaluar Urën e Fshejt, për të depërtuar në drejtimet: Rugovë, Gjakovë, Rahavec, Prizren e Therandë.
Kjo rënie, njëherit mbylli një kapitull më vete rreth ridepërtimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rahavec, por në anën tjetër hapi frontin e ri të luftimeve, hapi Betejën e Hamoceve e cila u bë shumë e përgjakshme, mirëpo edhe sinjal se serboçetnikët u kthyen në Hamoc, në Luqe, në Pajatat e Mullabazëve, në Malin e Dushkit, në Mileskë e në Paraleskë.
Trupi i pajetë i Bekim Sylkës varroset pranë Afërditë Ukshinit, Makbule Spahiut dhe Selim Berishës, mirëpo menjëherë pas konstatimit, më 26 qershor të vitit 1999, të afërmit e Bekimit e marrin dhe e vendosin në Kopshtin e Dëshmorëve në Rahavec, e përreth tij pastaj vendosen dëshmorët e tjerë: Sabedin Hajda, Mexhid Mustafa e Bajram Veliu dhe kështu u formua Kopshti i Dëshmorëve në Rahavec në krye të të cilit qëndrojnë Xhelal Hajda e Selajdin Mullabazi.
Heroizmi i Bekim Sylkës, vendosmëria e tij dhe dashuria ndaj Kosovës mbetën krenari për t’anë, Abdullahun, për nënën Hatijen, për të vëllanë Mizahir Sylkën e për motrat: Duhajën, Sabinën dhe gjyshen plakë Xhylsimën, e cila kurrën e kurrës, edhe pse e shurdhuar nga pleqëria, përherë u bë se dëgjon zërin e Bekës të cilin e priste për ta fejuar e për ta martuar, por ja se Bekim Sylkës i mbeti përgjysmë kënga e Mujës dhe e Beqës (Mujë Krasniqi, e Beqir Gashi):
‘’Kreshtat e Kosovës kanë marrë ngjyrë të kueq,
Krushqit e Dardanit janë nisë me marrë nuse!’’.
E Bekim Sylka u martua me Tokën Shqiptare, vetëm e vetëm që këto troje ta kenë një gjuhë, një flamur e të jenë të lira për jetë e mot.

Kontrolloni gjithashtu

Sadullah Selman Dibrani (25.10.1950 - 22.9.1998)

Sadullah Selman Dibrani (25.10.1950 – 22.9.1998)

Familja Dibrani nga Gradica e Drenicës, e cila në vitin 1963 ishte shpërngulur nga fshati ...