Gati tri dekada pas njërës prej masakrave më të rënda ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë, në Prishtinë ka nisur procesi gjyqësor për zbardhjen e përgjegjësisë penale për Masakrën e Reçakut. Por në sallën e gjyqit mungonin të akuzuarit. Më shumë se 20 ish-pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë serbe, të akuzuar në mungesë për vrasjen e 42 civilëve shqiptarë më 15 janar 1999, vazhdojnë të jetojnë në Serbi, ndërsa ndaj tyre nuk zhvillohet asnjë procedurë gjyqësore nga autoritetet serbe. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, forcat serbe rrethuan fshatin Reçak të Shtimes në orët e para të mëngjesit, duke e granatuar dhe më pas duke hyrë shtëpi më shtëpi. Civilët u torturuan, u vranë në oborre dhe një pjesë e tyre u dërguan në Kodrën e Bebushit, ku u ekzekutuan. Masakra e Reçakut u bë një nga ngjarjet që ndikuan në reagimin ndërkombëtar ndaj krizës në Kosovë. Përfaqësues ndërkombëtarë dhe organizata të ndryshme kanë dokumentuar vrasjen e civilëve, ndërsa autoritetet serbe edhe sot vazhdojnë ta mohojnë këtë version, duke pretenduar se bëhej fjalë për një “aksion policor” kundër pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Njëri prej emrave të përmendur është Goran Radosavljeviq Guri, ish-pjesëtar i forcave serbe, i cili në paraqitje publike ka mohuar vrasjen e civilëve dhe e ka cilësuar operacionin në Reçak si veprim policor kundër “terroristëve”. Ndërkohë, institucionet e Serbisë – përfshirë ministritë përgjegjëse dhe Prokurorinë për Krime Lufte – nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me të akuzuarit dhe masat ndaj tyre. Për të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave, nisja e gjykimit është një hap i vonuar drejt drejtësisë, por fakti që procesi zhvillohet pa praninë e të akuzuarve mbetet një nga shqetësimet kryesore.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
