Dr. Laver Stoka: Pamjaftueshmëria e valvulës aortike

Çfarë kuptojmë me pamjaftueshmëri të valvulës aortike? 

Aorta përbën damarin kryesor nëpërmjet të cilit gjaku i “pastruar” në mushkëri, pasi zbret në veshore të majtë e më tej në barkushen e po kësaj ane, pompohet drejt çdo qelize trupore. Gjatë kalimit të gjakut prej barkushes së majtë në aortë, valvula ndërmjet tyre hapet duke mundësuar kalimin e shpejtë, ndërsa gjatë lëshimit (të barkushes) që realizohet edhe rimbushja e saj me gjakun e ardhur më parë prej mushkërisë në veshore të majtë, valvula aortike mbyllet duke mos lejuar rikthim të gjakut prej aorte në barkushe(të majtë). Mirëpo, në disa sëmundje të lindura ose të fituara në jetë, normaliteti i funksionimit të valvulës aortike devijohet. Ajo mund të jetë karakterizuar me zgjerim ose me ngushtim të unazës valvulare. Si në sëmundjen e parë ashtu edhe në të dytën barkushja e majtë sforcohet, gjatë hedhjes së gjakut në këtë dammar kryesor drejt indeve dhe organeve të trupit. Në rastin e valvulës së zgjeruar fletët nuk arrijnë të puqen plotësisht me njera tjetrën, duke lejuar rikthim të gjakut në vendflakje(në barkushe të majtë). Sëmundja mund të emërtohet pamjaftueshmëria e valvulës aortike ose rikthimi aortik. Në sëmundjen tjetër valvulare kemi të bëjmë me zvogëlim të unazës ose ngushtim të saj. Në këtë rast kalimi i gjakut në aortë kryhet për një kohë më të gjatë duke kërkuar më shumë punë dhe më shumë energji të konsumuar prej barkushes së majtë. 

-Cilat janë shkaqet e mundshme të pamjaftueshmërisë valvulare aortike? 

– Si shkak i zgjerimit të vrimës që formojnë fletët valvulare aortike mund të jetë mahisja e këllëfit veshës nga brenda të zemrës(endokarditi). Procesi mund të shkaktojë rënie të fletës valvulare ose dëmtim të tyre me pasojë mos puthitjen në fazën e lëshimit të muskulaturës barkushore. Keqfunksionimi valvular mund të pasojë edhe çarjen në pjesën ngjitëse të aortës duke provokuar një situatë të mprehtë dramatike. Dëmtimet e rënda aksidentale dhe keqfunksionimi i një valvule artificiale mund të shoqërohen me rikthim gjaku prej aortës në barkushe të majtë. Disa defekte të lindura metabolike, sëmundje të indit lidhor(si ethja reumatizmale, mahisja e damarëve, mahisja reumatoide etj.) mund të bëhen shkak i ndryshimeve në fletët valvulare aortike duke mundësuar rikthimin e gjakut mbrapsht në barkushe. 

-Çfarë ndodh në sistemin qarkullues të gjakut në personat me pamjaftueshmëri të valvulës aortike? 

-Pamjaftueshmëria e fletëve të valvulës aortike, për të mbyllur vrimën në periudhën e lëshimit të barkusheve, bën që të rikthehet një pjesë e gjakut e dërguar për në indet dhe organet e personit. Kjo periudhë(e lëshimit të muskulaturës së barkusheve) jo vetëm që çlodhë këtë “gjysmë” të poshtme të zemrës, por realizon edhe zbritjen e gjakut prej veshoreve duke lehtësuar procesin e qarkullimit të gjakut si në gjysmë sistemin e vogël (mushkëri-zemër e majtë) ashtu edhe në gjysmë sistemin e madh (inde-zemër e djathtë). Vëllimi i barkushes rritet prej mbingarkesës me gjakun e kthyer mbrapsht prej aorte. Muskulatura e zemrës pëson ndryshime për të mundësuar kryerjen e një pune shtesë mbi atë normale. 
Trashja muskulare shoqëron rritjen vëllimore barkushore të majtë. Ky proces nuk kryhet menjëherë por gradualisht, duke kompensuar për njëfarë kohe relativisht të zgjatur kërkesat e indeve dhe organeve për gjak. Si i tillë personi mund të mos ndjejë shqetësime për vite ose dekada. Barkushja e majtë gjatë kësaj periudhe ndryshon formën dhe strukturën duke i ngjarë portokallit. Kjo është pasojë e humbjes së indit fijor lidhës, që shërben si skeleturë e mureve të zemrës. Zemra e lodhur tashmë vazhdon të rritet jo më si pasojë e punës së shtuar, por nga mbingarkesa me gjakun e kthyer mbrapsht pa pengesë. Kjo mbingarkesë do të ndikojë edhe tek rrjedha e gjakut të ardhur prej veshores së majtë në barkushe dhe në tërë sistemin e vogël qarkullues. Shpejtimi i ritmit të tkurrjeve është masë kompensatore që do të rraskapitë edhe më tej zemrën. 

-Çfarë shqetësimesh dhe dukuri kanë personat me këtë defekt valvular të aortës? 

– Sëmundja e pamjaftueshmërisë valvulare aortike mund të kalojë heshtur për një periudhë të gjatë kohe në formën kronike të saj. Në stadet e avancuara, vuajtësi ka mosngopje me frymë edhe gjatë sforcimeve të vogla. Ai ndjehet më lehtë ndenjur se shtrirë. Gjatë natës detyrohet të përdorë më shumë se një jastëk. Ky numër rritet krahas rëndimit të gjendjes. Krizat e natës të mosngopjes me frymë janë karakteristike në stadin e paaftësisë së zemrës, ku mbingarkesa e barkushes me gjak fillon të ndikojë edhe në qarkullimin e gjysmë sistemit të vogël(veshore-mushkëri). Shqetësim tjetër janë trokitjet e ndjera të zemrës në kraharor ose fluturimet në lukth. Këto mund të ndjehen jo vetëm në stadet e avancuara të sëmundjes, por edhe në fazat e hershme të saj. Dhimbjet e zemrës mund të shfaqen me rritjen e vëllimit të barkushes dhe trashjen e muskulaturës së saj. Për sa i përket zalisë dhe vdekjes së papritur, ato nuk janë të zakonshme në këtë grup pacientësh, por mund të takohen vetëm në një përqindje të kufizuar të tyre. 
Manifestimet e shpejta janë karakteristike për formën e mprehtë të pamjaftueshmërisë së fletëve valvulare për të ndaluar kthimin e gjakut mbrapsht, (pas dëmtimit fizik të rëndë, gjatë mahisjes reumatizmale të mprehtë dhe pas çarjes së pjesshme në segmentin ngjitës të aortas). Gjaku i rikthyer vrullshëm dhe papritur nuk arrin të përballohet me kapacitetin aktual të barkushes. Për pasojë ky presion i rritur do të ndikojë edhe në gjysmë sistemin e vogël(veshore e majtë-mushkëri) duke rritur presionin në damarët fijorë që rrethojnë hojëzat mushkërore. Kullimi i lëngut brenda tyre është i mundshëm, duke krijuar një situatë dramatike me mosngopje me frymë dhe shkumim prej goje.(ënjtja mushkërore e mprehtë). 
Vuajtësi me rikthim gjaku prej valvulës aortike ka si dukuri karakteristike tkurrjen e zemrës të shoqëruar me tundje të lehtë të kokës. Në anën e majtë të dërrasës së kraharorit(3-5 gishta të personit, poshtë kockës së tërthortë-klavikulës) mund të dëgjohet “murmuritje” gjatë lëshimit të barkushes. Ajo është më e fortë në stadet e vona të sëmundjes dhe mund të dëgjohet dobët ose edhe jo në formën e mprehtë të saj. 
Konstatimi i pulsacioneve në mollëzat e gishtave është një tjetër dukuri. Duke vënë manshetën mbi gju, evidenton në gropën sipër pulpës presion gjaku 60 mm Hg më të lartë se në krah. Presioni i vogël i krahut zakonisht zbret nën 60 mmHg në stadet e avancuara. “Murmuritje” dëgjohet mbi arterien e rrëzëkofshës kur mansheta e shtrënguar mbi gju ndalon qarkullimin e gjakut nën të. 

-Si mund të orientohemi drejt sëmundjes dhe konfirmohet diagnoza? 

Një person i kontrolluar rregullisht tek mjeku(së paku dy herë në vit pa qenë i sëmurë) mund të dyshohet herët dhe diagnostikohet qysh në stadin e parë të sëmundjes. Diferencimi duhet bërë me defekte të tjera valvulare të zemrës si ajo e arterit mushkëror dhe e ndërveshobarkushoreve. Historia e sëmundjes e marrë me kujdes, kontrolli fizik nga koka tek këmba dhe ekzaminimet plotësuese janë të nevojshme për të hequr dyshimet ose vërtetuar ato si të qena. Analizat rutine të gjakut, të urinës, filmimi me rreze x, shiriti i zemrës(EKG-ja) dhe ekzaminimi me ultra tinguj janë më të domosdoshme. Në rastet e veçanta mund të nevojiten ato më të sofistikuara si filmimi i kompjuterizuar me rreze X, rezonanca magnetike, kateterizimi etj. Shiriti i zemrës zakonisht evidenton valën Q të shprehur në lidhje të I, në aVL dhe në V3-V6, ndërsa në V1 mund të vërehet vala R e vogël. Çrregullime të përçimit mund të jenë të pranishme krahas trashjes së muskulaturës së barkushes së majtë(S nëV3 + R në aVL > 28 mm në burra dhe > 20 mm në gra ose S në V1 + R në V5 ose në V6 > 35 mm etj.) dhe zmadhimit të veshores( valë P me formë të gërmës M në lidhje të II dhe P si grep kasapi, gjysmë e parë pozitive dhe gjysma tjetër negative, në V1) së kësaj ane. 

-A mund të korrigjohet zgjerimi i valvulës aortike? 

– Vendosja e valvulës artificiale është zgjidhja më origjinale për këta vuajtës në shumicën e rasteve. Ndërhyrja mund të realizohet duke respektuar disa kritere standarte lidhur me gjendjen aktuale të zemrës, dhe damarëve që e ushqejnë atë. Përsa i përket ushqimit dhe veprimtarisë fizike kjo varion sipas stadit të sëmundjes. Dieta laktovegjetariane(kos, djathë, gjizë, fruta, perime, vezë, vaj bimor, drithëra etj) me energji të mjaftueshme dhe shijen e produktit natyror(pa kripë) do të ishte më e preferuara. Për mishngrënësit do të rekomandohet peshku dhe pula 1-3 herë në javë dhe jo më shumë. Heqja dorë prej veseve(alkolit, kafes, duhanit dhe drogës) e zgjat dhe e përmirëson jetën e vuajtësit. Sforcimi fizik është konsumues i energjive të zemrës, prandaj nuk duhet abuzuar. 
Një veprimtari normale ditore nuk përjashtohet në pacientët pa ndryshime në treguesit e punës së zemrës. 
Përjashtim bën vrapimi, kërcimi, puna fizike munduese, garat e notit dhe sportet e tjera që kërkojnë energji të shumta. Në stadin e përparuar të sëmundjes mjekimi ndihmës me zgjerues të enëve të gjakut, hollues të gjakut etj., mund të nevojitet duke u peshuar mirë dobia me dëmet e tyre. Për këtë arsye gjithmonë preferohen dozat më të ulëta duke bërë vëzhgimin e vuajtësit. Mjekimi parandalues me antimikrobikë mund të nevojitet në disa pacientë me mahisje të këllëfit të brendshëm të zemrës. Nifedipina, Enalaprili, Digoksina dhe shkarkuesit e urinës mund të përdoren në gjendjet përkatëse të presionit të lartë të gjakut dhe rënies së forcave pompuese të zemrës.

Kontrolloni gjithashtu

Qeveria e Kosovës është nën presion për miratimin e Projekt -Statutit të Asociacionit për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Gjendja dhe rrethanat politike në Kosovë lidhur me Projekt-Statutin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe …