Sabit Gashi: ANGAZHIMI PËR PAVARËSI NUK MUND TË PRODHOJË ASGJË MË TEPËR SE PRODUKTIN „AHTISARI“!

Po të flasim me gjuhën e prodhimit të produkteve mund të themi se tash jemi në prag të daljes në jetë të produktit politik të quajtur “Pavarësi e Kosovës”. Produkti është projektuar në vitin 1990 nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Është shpikur pa u bërë analizat e duhura se a kishte mundësi reale që të ndërtohej edhe një proces adekuat për finalizimin e këtij produkti. 
Procesi i prodhimit të këtij produkti politik ishte konceptuar nga ideatori i tij si një proces paqësor me çdo kusht, duke u mbështetur vetëm në faktorin e jashtëm si përcaktues i çdo faze të procesit. Projektuesi kishte premtuar se produkti do të ishte krejtësisht sipas aspiratës kombëtare të popullit shqiptar dhe do të realizohej shumë shpejt. Mjaftonte që populli të mos e bënte asnjë përpjekje të dhunshme dhe çdo gjë do të shkonte sipas projektit. Projektuesi ishte plotësisht i bindur për këtë. 
Vitet ecnin dhe finalizimi nuk vinte. Mosrealizimi i premtimeve filloi të nxiste padurimin. Filluan edhe dyshimet mbi zotësinë e projektuesit për ta realizuar këtë projekt. Projektuesi i bindur në saktësinë e projektit të vet shpikte lloj-lloj marifetesh, së bashku me faktorin e jashtëm, për ta mbajtur durimin. Por edhe kjo nuk mund të zgjaste deri në pakufi. Populli kishte nevojë ta realizonte kërkesën e tij dhe nuk mund të besonte as përjetësisht dhe as symbyllas. 
Populli filloi ta kërkonte një projektues të ri e të aftë për ta gjetur rrugën e duhur për realizimin e aspiratës së tij kombëtare. Pas fillimit të humbjes së besimit nuk vonoi shumë dhe projektin e jetësimit të aspiratës kombëtare (produktit politik) e mori përsipër Drejtoria Politike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 
Projektuesi i ri e kishte idenë fillestare që ta ndryshonte qëllimin politik që e kishte vendosur Lidhja Demokratike e Kosovës, sepse besonte se gabimi qëndronte pikërisht në vendosjen e gabuar të qëllimit. Pra, sipas projektuesit të ri, duhej synuar produkti politik “Bashkimi Kombëtar”, ndërsa procesi duhej të bazohej në mjete dhune që ishin të ligjshme, sepse nuk kishte rrugë tjetër për realizimin e kësaj kërkese krejtësisht të ligjshme. Kështu vendosi projektuesi i ri dhe në parim kishte të drejtë. 
Projektuesi i ri eci për pak kohë pas këtij koncepti, por që në pengesën e parë të zhvillimit të procesit u tërhoq. Tërheqja nga qëllimi i Bashkimit Kombëtar, si i vetmi produkt politik që duhej synuar, u arsyetua se ishte një vendim i domosdoshëm i kohës dhe rrethanave. Me këtë hap praktikisht edhe projektuesi i dytë u katandis në idenë e projektuesit të parë dhe pothuaj në momentin e marrjes së këtij vendimi mori edhe vendimin që të bashkëvepronte e të bashkëjetonte me projektuesin e parë, me Lidhjen Demokratike të Kosovës. 
Në heshtje dhe pa i kërkuar njëri-tjetrit falje për fyerjet dhe sharjet e bëra reciprokisht, dy projektuesit u bashkuan dhe në rrugë e sipër bënë së bashku mjaft ndryshime në përkufizimin e qëllimit politik (produktin e synuar) që e kishin proklamuar vetë. Pak nga pak produktit politik “Pavarësi e Kosovës” iu hoq krejt përmbajtja e premtuar nga dy projektuesit tashmë të bashkëdyzuar dhe mbeti vetëm forma e produktit. 
Ishte një forcë jashtë tyre që i shtynte këta projektues ta hiqnin përmbajtjen në vazhdimësi, deri sa e sollën këtë produkt në një emër pa përmbajtje. Ajo forcë jashtë tyre e vlerësoi saktësisht qenien pakurrizore të projektuesve dhe me pak shtytje i detyroi ata të hiqnin dorë nga përmbajtja. Pavarësia e premtuar humbi çdo element të pavarësisë kombëtare siç ishte premtuar në fillim. 
Kishte një forcë që e diktonte procesin e prodhimit të produktit politik të synuar. Kjo forcë dalëngadalë i detyronte vetë projektuesit të zhvishnin kërkesën politike nga elementet kombëtare shqiptare. Vetë procesi i kishte mbërthyer projektuesit që të pajtoheshin me zhveshjen nga elementet vitale qenësore kombëtare të projektit të tyre. I tillë ishte procesi që sa më shumë të bënin lëshime projektuesit, aq më shumë e lavdëronin projektin e tyre për t’ia bërë popullit sa më të ëmbël e më të pranueshëm. Aq më tepër projektuesit e ndjenin veten krenarë që ishin shpikës dhe zbatues të këtij procesi. Proces tejet interesant dhe çudibërës. 
Tash pas zhveshjes së plotë të përmbajtjes kombëtare të aspiratës së shqiptarëve (produktit politik të kërkuar nga populli) procesi i prodhimit të këtij produkti po përfundon. Produkti që u projektua si Pavarësi e Kosovës, i kthyer për pak muaj si Bashkim Kombëtar dhe i rikthyer sërish në Pavarësi po del nga procesi përfundimtar i prodhimit si produkt Made by Ahtisaari. 
Sido që të jetë, angazhimi për Pavarësi nuk ka asnjë mundësi ta ndërtojë një proces të mirëfilltë që do të përfundojë në diçka më të mirë se produkti “Made by Ahtisaari”. Nuk ka mundësi të prodhojë më shumë se kaq politika që nuk bazohet në shkaktarin e problemit: në çështjen e pazgjidhur shqiptare në Ballkan. Ky është maksimumi që mund të arrijë angazhimi për zgjidhje parciale të çështjes së pazgjidhur shqiptare. 
Autori ëshët Përgjegjës për Organizim i Lëvizjes për Bashkim.

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kritikon pengesat në funksionin mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar shumicën parlamentare për pamundësimin e …