Brickos

Mexhid YVEJSI: KOSOVA ME PAVARËSI- NJË MASHTRIM I RI…

Me 17 Shkurt 2008, në Prishtinë, tani më të gjithë e dinë, se Kosova e shpalli pavarësinë…
Pavarësinë e shpallën shqiptarët, por, në të vërtetë, këtë pavarësi e projektuan ndërkombtarët…
E projektuan ndërkombtarët jo për hatër të shqiptarëve, por për hirë të ”qytetarëve”… 
Kjo pavarësi është më e drejtë të quhet “Ahtisaari”… 
Kjo pavarësi ose kjo “Ahtisaari” nga dallkaukët tonë, pa iu bërë vonë, është pranuar, miratuar, fare pa e kundërshtuar… 
Aristofani i kishte shumë inat dallkaukët. Një ditë, njëri nga këta iu ngjit pas dhe ia bënte qejfin duke i miratuar çdo fjalë. 
Si e dëgjoi një kohë të gjatë, Aristofani i tha më në fund: 
Të lutem shumë, kundërshtom së paku një herë, që të kem përshtypjen se jam vetë i dytë…!
Shqiptarëve të Kosovës, kjo pavarësi, kjo “ahtisaari” iu është imponuar, tani përpara iu është shtruar, e zbukuruar, e maskuar, vetëm për t’i mashtruar… 

E vërteta është se kjo pavarësi është Pavarësi e Mbikqyrur, që çështjen shqiptare s’ka për ta zgjidhur, por edhe me më shumë nyje ka për ta lidhur… 
Kosova, me këtë pavarësi, vërtetë u bë shtet, por jo shtet i shqiptarëve, por shtet i “qytetarëve”, i të gjithë ”kosovarëve”… 
Kosova si shtet i “kosovarëve”, për fillim, është shumë mirë që po pranohet ndërkombtarisht, por më vonë ka me na dalë dardhë me bisht… 
Pse? 
Sepse, në sytë e ndërkombëtarëve, Kosova nuk njihet si shtet i shqiptarëve… Shqiptarët, që janë mbi 90%, shumicë, do të shndërrohen në pakicë, kurse të tjerët që janë nën 10%, pakicë, do të shdërrohen në shumicë…! 
Pse? 
Sepse pakicat kanë të drejta të garantuara, janë tej mase të privilegjuara, me shumicën shqiptare ata po bëjnë hajgare, sepse janë lazdruar prej bashkësisë ndërkombëtare… 
Pavarësia e Kosovës është Pavarësi e Mbikqyrur, e cila këmbë e duar ka me na lidhur, gojën me dry ka me na mbyllur…
Goja na lejohet me u hapë vetëm për ndonjë deklaratë të thatë…
Deklaratë të thatë, që s’ka manfat, deklaratë me rekomandime, me porosi, siç ishte Deklarata për Pavarësi…

Deklarata e Pavarësisë 

Në Deklaratën e Pavarësisë, ndër të tjera, siç e dëgjuam, siç e lexuam, shkruan: 

1. Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe Sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës. 
2. Ne e shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike… 3. Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën të përmbajtura në Planin e Ahtisaarit dhe mirëpresim kornizën që ai propozon…
Në paragrafin e 12, të fundit, shkruan: 12. Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të plotësojë dispozitat e përmbajtura në këtë Deklaratë, përfshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit…
Mjafton, për atë që mendon, se Deklarata e Pavarësisë është një Deklaratë e Varësisë, sepse ajo përqëndrohet në detyrimet, në obligimet e Kosovës dhe aspak në lirinë, pavarësinë e saj… 
Deklarata e Pavarësisë ka edhe tetë pika, paragrafe të tjera, më të forta se guri, të cilat do t’na mbështesin për muri…
Muri do të rritet me Kushtetuten e Republikës së Kosovës që po na përgatitet…

Kushtetuta e Republikës së Kosovës Kushtetutë e sëmurë…


Muri do të forcohet kur Kushtetuta të aprovohet…
Muri do të lartësohet kur Plani i Ahtisaarit fillon të zbatohet, kur Kosova fillon zyrtarisht, ligjërisht të coptohet, të sakatohet, të tjetërsohet…
Në Projekt-Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila kanë 16 Kapituj dhe 160 nene, në Kapitullin I, Dispozitat Themelore, Neni 1. (Përkufizimi i Shtetit) shkruan: 
1. Republika e Kosovës është shtet i pavarur, Sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm. 
Ky neni 1., i Kaptitullit të parë, sa i bukur duket për shqiparë, kështu siç shkruan në letër, por e vërteta është diçka tjetër…
Kosova nuk është e pavarur, sepse është e varur…
Kosova nuk është sovrane, haj medet, sepse, s’ka sovranitet…
Kosova nuk është shtet demokratik, as unik… 
Kosova nuk është shtet i pandashëm, sepse ndarja veç u ba, por dallkaukët, kanë sy, por s’dojnë me pa… 
Në nenin 2., shkruan: 
Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të saj…
Cilët janë shtetasit e saj? 
Kjo nuk tregohet, por nënkuptohet, janë “kosovarët”, pra, kurrsesi shqiptarët… Karakterit të “kosovarëve” “shumëetnik” – Kushtetuta e Republikës së Kosovës me simbole i qëndron besnik…
Në nenin 6., (Simbolet), shkruan: 
Flamuri, stema dhe hymni janë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës të cilat pasqyrojnë karakterin shumëetnik të saj. 
Kështu pra, qysh tani, Republika e Kosovës me “karakterit e saj shumëetnik” është në rrezik… Pse? 
Sepse, me “karakterin shumëetnik” Kosova po tjetërsohet, me Atdheun, Nanën Shqipni, po “armiqësohet”… 
Pse? 
Sepse në Kushtetutë shkruan: (Përkufizimi i Shtetit) 
Neni 3. Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjesë të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë e as të pranoj të bashkohet me ndonjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti. 
Më në fund, po e themë shkurtë, trup, urtë e butë: kjo kushtetutë është e smutë… Pse? 
Sepse është: anti-njerëzore, anti-shqiptare, anti-fetare, anti-kombëtare… Si interpretohet kjo? 
Në Kapitullin XIII, Dispozitat Përfundimtare, shkruan: 
Neni 143. (Interpretimi) 
1. Kushtetuta e Republikës së Kosovës do të interpretohet në pajtueshmëri me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, datë 26 mars 2007. Në rast kontradikte midis dispozitave të kësaj Kushtetute dhe dispozitave të Marrëveshjes, kjo e fundit do të mbizotërojë. 
Pra, Plani i Carit, Shën Ahtisaarit, do të mbizotëroj…
Do të mbizotërojë, do të thotë: Ne mbesim me gishta n’gojë…!
Me gjithë këtë, që mbesim me gishta n’gojë, Republika e Kosovës , kundër vetvetes, duhet të veprojë, të punojë… Pse? 
Sepse, në nenin vijues, që është nen obligues, detyrues, shkruan: 
“Republika e Kosovës merr përsipër të gjitha detyrimet në Propozimin Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e Statusit të Kosovës, datë 26 mars 2007 dhe do të ndërmarrë veprimet e duhura për implimentimin e tyre.” 
Deri në implimentimin e të gjitha detyrimeve të Planit të Ahtisaarit, Kosova e Pavarur do të jetë e Varur…
Kjo Pavarësi e Varur ose Mbikqyrur ka me na ndrydhur…
Kur Plani i Ahtisaarit të zbatohet në tërësi, atëherë kjo që tani po quhet Pavarësi – e që në të vërtetë është koloni, “Ahtisaari”, një mashtrim i ri, atëherë edhe të përgjumurit do të shohim me kthjelltësi se: 
Kosova nga Sërbia u shkëputë, por edhe Sërbia në Kosovë u futë…
Kosova jonë e dashur, Kosova jonë e shkretë edhe sa kohë ka me hjekë…!? Pse? 
Sepse me Planin e Carit, Shën Ahtisaarit, Kosova edhe me qenë shtet i ndërtuar, i zhvilluar, i lulëzuar, ky Plan ka për ta shkatërruar, varfëruar, shkretëruar…Pse? 
Sepse ne po jetojmë jashtë vetes. Kur nis të jetosh jashtë vetes, thoshte Hemingueji, atëherë gjithçka është e rrezikshme. 
Dhe krejt në fund, siç thoshte Gëte: 
”Më mirë është të ndodhin padrejtësi 
se sa të rregullohen në mënyrë të padrejtë.”

Kontrolloni gjithashtu

RrGK: Sot gjithë shoqëria duhet të bëhet zë ri i grave dhe vajzave

Ende pa kaluar 5 ditë nga rasti tragjik i vrasjes së gruas në Ferizaj, sot …