Hektarët e tokës pa zot të Kosovës

 


Plani i decentralizimit tashmë e ka stagnuar procesin e bisedimeve të filluara në Vjenë të Austrisë, mes palëve negociuese të Prishtinës dhe Beogradit. Përderisa të dyja palët qëndrojnë të patundur në planet e veta, parashihet që në takimin e katërt të fillojnë negociatat për çështjen kryesore, atë të qytetit tashmë të ndarë të Mitrovicës. Këtyre dy planeve tejet të vështira për zgjidhje kompromisi, do t’ i ndajshtohen edhe mjaft plane të tjera, të cilat kanë për qëllim copëtimin dhe pjesëzimin e territorit të Kosovës. Qeveria sllavomaqedone e Shkupit kërkon që sa më parë ta bëjë fakt të kryer vijën kufitare me Kosovën, nga e cila ka copëtuar hiq më pak se 2400 hektarë tokë, ndërsa kryeprifti ortodoks serb, Sava Janjiq, ka fituar të drejtën e pronës për hiq më pak se 800 hektarë tokë të Kosovës për Manastirin e tij, më shumë sesa kishte pasur prona ky farë “manastiri” në kohën e pushtimit serb të Kosovës, shënuar në Mesjetë nëpër Krisobulat e falsifikuara të Deçanit. Në vazhdën e këtyre planeve fatale për të ardhmen e Kosovës, disa qindra hektarë tokë do t’i kërkojë, në mos i ka përvetësuar tashmë Patrikana e Pejës, Kisha e Levishkës në Prizren, Manastiri i Graçanicës, Manastiri i Deviçit në Drenicë, ku asnjëherë dhe në asnjë kohë nuk ka ekzistuar qoftë vetëm një familje serbe. Pronat e tilla do të kërkojnë edhe kishat të tjera, të ngritura në kohën e pushtimit serb të Kosovës. Dhe, për të qenë ironia më shumë se cinike, kryetari i Partisë reformiste ORA, Veton Surroi, kërkon që të mos “problematizohet” çështja e 800 hektarëve tokë të shqiptarëve të Kosovës për Manastirin e Deçanit, pasi që ajo qenka pasuri kulturore e tërë Kosovës.
Ngjashëm, dhe si pasuri të tillë “kulturore” të tërë Kosovës do ta marrin nga një pjesë të këtij territori edhe kishat e tjera serbe, sepse vetëm kishat serbe paskan të drejtë të kenë prona deri në 800 hektarë, xhamitë dhe kishat katolike qenkan të privuara nga kjo e drejtë. Kjo ndarje e tokave të Kosovës po bëhet pa i pyetur pronarët e vërtetë, po bëhet “pazar pa hanxhiun”, meqë kështu ndodh në një vilajet, që nuk ka pushtet të vetin, por ka vetëm “sejmenë e çaushë”, të cilët zbatojnë urdhrat e “pashallarëve” aktualë.
Fillimi i copëtimit të tokave të Kosovës, tashmë është bërë realitet, të cilin po e sheh tërë bota, por bëhen sikur nuk po e shohin politikanët tanë të moderuar dhe shumë zemërgjerë. Ata, tokat e Kosovës, të lara sa e sa herë me gjak, duket sikur i konsiderojnë prona “trashëgim”të baballarëve të tyre dhe me to mund të bëjnë çfarë të duan. Kanë harruar këta axhaminj se me deklarata dhe me veprime të papërgjegjshme mund të nxisin revolta të rrezikshme gjithëpopullore, ose ndoshta këtë e bëjnë pikërisht me këtë qëllim, por jo për të mirë të ruajtjes së territorit të Kosovës.
Aneksimi i 2400 hektarëve tokë nga ish-RJ e Maqedonisë, ndarja, tashmë faktike e pjesës veriore të Kosovës, ndarja përgjysmë e qytetit të Mitrovicës, jeta e organizuar e serbëve nëpër enklavat e Graçanicës, të Shtërpcës, krijimi edhe i 16 komunave serbe në territorin e Kosovës, të cilat do të kenë lidhje horizontale mes veti ndërsa të gjitha tok do të kenë lidhje vertikale me Beogradin, nuk janë vetëm raporte të thjeshta e përshkruese, ditore, të gazetarëve e të analistëve, por janë një realitet faktik e tejet i hidhur, që po ndodh mu para syve tanë. Toka e pa zot e Kosovës tashmë po ndahet, po bëhet copa-copa. Kjo po ndodh në pikë të ditës, madje duke qenë realizues të kësaj ndarjeje vetë udhëheqësit tanë, të pozitës dhe të opozitës, sepse të gjithë janë pajtuar të negociojnë me Beogradin për të arritur marrëveshje kompromisi lidhur me përkufizimin e statusit të Kosovës, pavarësisht se në retorikën e tyre patriotike politikanët tanë nuk e harrojnë as për një çast formulën: “për një Kosovë të pavarur, demokratike, multietnike dhe të integruar në strukturat evropiane. Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Mic Sokoli dhe Sefë Kosharja

Më 20 prill të vitit 1881, në kodrat mes fshatrave Koshare, Slivovë, u zhvillua Beteja mes forcave turke dhe atyre shqiptare

Më 20 prill të vitit 1881, në kodrat e fushat  mes fshatrave Koshare, Slivovë, një …