Driton Avdiu : A janë parimore kritikat e opozitës

 


Kritikat e opozitës parlamentare kosovare ndaj qeverisjes aktuale, qofshin me të drejtë apo jo, nuk kanë të ndalur.

Por a janë parimore këto kritika?
Nëse shikohen me vëmendje statistikat e përgjigjes së votuesve ndaj procesit të zgjedhjeve në Kosovë nga paslufta e këndej, shohim se me kalimin e viteve ka një rritje të vazhdueshme të numrit të atyre që abstenojnë nga e drejta themelore demokratike e votimit. Kjo në njëfarë mënyre duket e pakuptimtë nëse shikojmë një parametër të ndryshëm nga i sipërpërmenduri – atë të numrit të partive politike të pranishme në skenë. Ky numër tregon tendenca të vazhdueshme rritjeje që nga paslufta. Por përkundër rritjes së “ofertës” politike, përgjigjja ndaj kësaj “oferte” nga ana e zgjedhësit ka ardhur duke u zvogëluar në vazhdimësi. Për një vëzhgues sipërfaqësor të situatës, kjo në pamje të parë mund të duket e pakuptimtë.
Por si është e mundur që në një vend me numër në rritje të problemeve shoqërore, si dhe me numër në rritje të partive që proklamojnë se angazhohen për zgjidhjen e këtyre problemeve, – besimi në politikën, pra edhe në atë opozitare, bie gjithnjë e më shumë?! E pse ky zhgënjim edhe ndaj opozitës?
Përgjigjja është e thjeshtë.
Në shumë raste opozita e sotme është sjellë dje pikërisht ashtu siç sillet sot pozita aktuale dhe si e (keq)përdor ajo pushtetin.
Pra, dështimet e opozitës së sotme (së paku të asaj pjese të opozitës që veten e konsideron me potenciale për të ardhur sërish në pushtet) e kanë burimin në paraqitjen e dobët të djeshme të saj, kur vetë ishte në pushtet.
Ajo dje nuk tregonte efikasitet dhe transparencë në shpenzimet e parave të taksapaguesve të Kosovës (kujtojini milionat e mbetura në buxhetin e varfër të Kosovës së varfër në fund të çdo viti buxhetor dhe garën pastaj se si më parë të shpenzoheshin këto mjete në fund të vitit). Në emërimet në pozitat me peshë në administratën publike, në të shumtën e rasteve ajo nuk udhëhiqej nga parimi i aftësisë dhe i përgatitjes profesionale, por nga çelësi i dëgjueshmërisë partiake dhe afrisë politike. Në mungesë të ideve të veta dhe të guximit politik, ajo dje ishte dëgjuese dhe zbatuese e plotë e të gjitha këshillave të “miqve tanë ndërkombëtarë”. Ajo dje e dëgjonte qytetarin dhe dëshironte të dëgjohej nga qytetari vetëm në periudhën parazgjedhore dhe asnjëherë më vonë pas marrjes së pushtetit. Kështu sillej opozita e sotme (apo së paku pjesa më e madhe e saj) deri dje sa ishte në pushtet. Kështu nëpërkëmbte ajo interesin e qytetarëve dje; kurse sot pretendon se përfaqëson dhe mbron po të njëjtin interes.
Por të mos harrojmë: janë opozitarët e sotëm dhe pushtetarët e deridjeshëm që votuan për një varg projektligjesh që sigurojnë favore krejt të pamerituara për deputetët e Kuvendit të Kosovës. Janë po të njëjtit që votuan për mëditje shtesë gjatë “angazhimit tejet të madh” me rastin e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt edhe tani nga pozitat “opozitare”. Janë po të njëjtit “opozitarë” që votuan në bllok për të gjitha projektligjet e të ashtuquajturit decentralizim që buron nga Pakoja e Ahtisarit, i cili jo që e afron popullin shqiptar me pakicën serbe, por e thellon shumë më tepër ndarjen e brendshme të Kosovës dhe e dëmton rëndë funksionalitetin e këtij shteti, kurse sot ankohen dhe ngritin zërin për forcimin e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë.
Të gjitha këto argumente janë më se të mjaftueshme që dëshmojnë se ajo që sot e quan veten opozitë është sjellë njësoj sikur pozita dhe në të gjitha rastet kur e ka pasur mundësinë dhe i është dhënë rasti ta dëshmojë të kundërtën, ka dështuar. Prandaj edhe humbja e besueshmërisë së “opozitës” në sytë e qytetarëve të Kosovës është pasojë e dështimit të vetë kësaj opozite. Përgjigjen për shkakun e kësaj gjendjeje të opozitës duhet kërkuar dhe besoj se e gjejmë në vetë atë. Çdo përpjekje për ta zhvendosur shkaktarin e kësaj apatie të “opozitës” diku gjetkë është gabim themelor në hapa. Është shumë e vështirë – për të mos thënë e pamundur – të jesh ndryshe nga pushtetarët e sotëm, kur në kohën kur ke qenë vetë në pushtet je sjellë po sikur ata. Madje, nga ky aspekt, kritikat e “opozitës” janë të pamoralshme.
Më e keqja qëndron në faktin e humbjes së besimit të qytetarit të rëndomtë në mundësinë e ndryshimit të kësaj gjendjeje për të mirë; dhe në këtë humbje besimi kanë dhënë kontribut të madh si pozita, ashtu edhe opozita e sotme. Kthimi i këtij besimi të humbur është kusht i domosdoshëm për ta filluar ndryshimin e bindjes së qytetarit për politikën, e cila deri më sot është perceptuar si mjet për pasurim të shpejtë dhe të lehtë për ata që kanë qëndruar në krye të saj. Kjo bindje në të vërtetë ka qenë e mbështetur fort në sjelljen e politikanëve që e kanë (keq)përdorur pushtetin, qofshin në pozitë apo në “opozitë”. Do të duhet punë e madhe e mbështetur në shembuj praktikë për t’u çrrënjosur bindja e gabuar se çdo politikan është dallaveraxhi.
Por këtë punë madhore nuk mund ta kryejë opozita e sotme shterpe…

Kontrolloni gjithashtu

Britania e Madhe: Kosova e Serbia duhet të jenë të përfshira në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja

Sigurimi i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës ishte tema e diskutuar në seancën e fundit …