Nebih Fazliu: 28 Nëntori i paharruar

Të shkruash për 28 Nëntorin nuk është e lehtë. Nuk është e lehtë sepse kjo ditë është nga më të shënuarat në historinë tonë kombëtare. Kjo ditë ngërthen në vetvete përpjekjet e panumërta e të përgjakshme të popullit tonë për liri e pavarësi. Janë të shumta luftërat e përgjakshme por edhe të lavdishme që bëri popull ynë për të ardhur deri te kjo ditë. Ne nuk do të ishim këta që jemi sot, po të mos ishte 28 nëntori i djeshëm. Ne nuk do të ishim këta që jemi sot, po të mos ishin të parët tanë të mençur, trima e të papërkulur përpara vështirësive të panumërta, rrebesheve e stuhive të kohës. Sa herë ka ardhur kjo ditë, ne i kemi nderuar të parët tanë, luftërat e tyre të lavdishme, kemi nderuar vetveten tonë. Më 28 nëntor 1912 në Vlorë u shpall pavarësia e Shqipërisë, u ngrit flamuri kombëtar dhe u formua qeveria e parë kombëtare nën kryesinë e Ismail Qemalit. Kufijtë e kësaj pavarësie të shpallur nga Ismail Qemali, shtriheshin gjithë andej, siç thotë populli ynë, “aty ku i thuhet ujit-ujë e bukës-bukë”. Sa herë ka ardhur kjo ditë, ne e kemi festuar atë. E kemi festuar këtë ditë edhe kur kemi qenë nën pushtim klasik, në rrethana shumë të vështira. E kemi festuar këtë ditë kudo ku kemi qenë. Dhe s’ka dyshim se do ta vazhdojmë të festojë prapë, pavarësisht çfarë thonë politikanët e sotëm.
Sot, kryeministri i Kosovës, e heqë nga kalendari i festimeve 28 nëntorin. Të heqësh dorë nga 28 nëntori, do të thotë të heqësh dorë nga vetvetja, do të thotë të heqësh dorë nga e kaluara e jonë e lavdishme, ta varrosësh atë, do të thotë ta vrasësh të ardhmen tënde. Por a duhet ne të lejojmë ne një gjë të tillë? A duhet ne të lejojmë një turp të tillë? A duhet ne ti lejojmë përpjekjet për shkombëtarizim tonë? A duhet ne të lejojmë të sillen kështu me ne? A duhet ne të lejojmë….
Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk duhet ta miratojnë një projektligj të tillë. Ata duhet me forcë ta kundërshtojnë një gjë të tillë. Disa prej deputetëve të këtij kuvendi, kanë vuajtur në kurrizin e tyre torturat më çnjerëzore nga pushtuesit nëpër burgjet jugosllave, pikërisht për këtë flamur të lavdisë e krenarisë kombëtare. Disa prej deputetëve të Kosovës kanë qenë bashkëluftëtar të dëshmorëve të kombit, që kanë dhënë jetën për liri, pavarësi e flamur. Dëshmorë e kombit janë mbuluar me flamur kombëtar dhe janë përcjellë në banesën e tyre të fundit. Prandaj, deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk duhet të lejojnë kurrsesi që data 28 nëntor, të mos figurojë si festë kombëtare. Nëse në damarët e tyre rrjedh gjak i kulluar shqiptar, ata nuk duhet të pajtohen me këtë projektligj…
Populli ynë nuk duhet të pajtohet me këtë. Ai duhet të ngrihet kundër këtij projektligji antishqiptar. Ai duhet të përdorë forma të ndryshme për ta kundërshtuar këtë. Ai duhet ti thotë ndal kësaj të keqeje të madhe. Sot o kurrë, populli duhet të ngrihet në këmbë për të kundërshtuar projektligjin në fjalë. Sot o kurrë, subjektet që kanë qëllime të larta patriotike duhet të bashkohen për të kundërshtuar. Duhet të bashkohen, si një trup i vetëm, dhe së bashku më popullin ta pamundësojnë miratimin e tij. “Bashkimi bënë fuqinë”,- thotë i madhi popull. Le ta dëgjojmë këtë mësim të madh të tij. Le të ecim gjurmëve të mësimeve të tij. Le ta dëgjojmë sot këtë mësim, se nesër bëhet vonë.
(Autori i këtij shkrimi është Përgjegjës për Riorganizim i LKÇK-së)

Kontrolloni gjithashtu

Qeveria e Kosovës është nën presion për miratimin e Projekt -Statutit të Asociacionit për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Gjendja dhe rrethanat politike në Kosovë lidhur me Projekt-Statutin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe …