Kosova dhe Kiribati shumë shpejt do të vendosin marrëdhënie diplomatike, dhe do të thellojnë bashkëpunimin në mes dy vendeve. Kështu ka thënë Ministri i Jashtëm, njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës, Behxhet Pacolli, pas takimit me kryetarin e Kiribatit, Taneti Mamau, në margjina të takimeve të shumta bilaterale, që po zhvillohen me rastin e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork. “Zhvillova një takim miqësor me Presidentin e Kiribatit, Dr. Taneti Mamau. Kiribati ka njohur herët Kosovën. Shumë shpejt do të lidhen edhe marrëdhëniet diplomatike, ndërsa bashkëpunimi dypalësh do të thellohet”, ka thënë Pacolli.
