RKL: Shantazhet e EULEX-it kundër eprorëve të UÇK-së shkelin edhe të drejtat elementare të njeriut

 


Shantazhet e EULEX-it kundër personaliteteve me ndikim në Kosovë, para së gjithash shkelin të drejtat elementare të njeriut, sepse me shantazhe, kërcënime për humbje të karrierës dhe burgosje, në rast të mos bashkëpunimit, EULEX-i po kthehet në një mision fantom, diktatorial, që ka për qëllim diskreditimin e luftës së UÇK-së, devalvimin e luftës sonë çlirimtare, barazimin e  viktimës me xhelatin dhe “larjen” e Serbisë nga mëkatet, në mënyrë që ajo, krejt e “pastër” të futet në Bashkimin Evropian. Fakti, që EULEX-i nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe bashkëpunon me Serbinë në të gjitha segmentet, lë për të kuptuar se angazhimi i këtij misioni ka qenë dhe po mbetet në funksion të rikthimit të Kosovës nën sovranitetin e Serbisë.


Arrestimi dhe caktimi i paraburgimit për ish-eprorin e lartë të luftës së UÇK-së dhe kryetarin  komunës së Therandës, Blerim Kuçi  është shembulli konkret i sjelljes antinjerëzore të këtij misioni, i cili kërcënon dëshmitarët, i shantazhon ata dhe kur nuk pranojnë të bashkëpunojnë edhe i arreston. Kështu ka vepruar regjimi titist në Kosovë dhe njëjtë ka vepruar edhe regjimi kriminal i Milosheviqit. Dallimi qëndron në faktin se regjimi policor i Milosheviqit ka ushtruar dhunë brutale deri në likuidim fizik të liridashësve të Kosovës, ndërsa hetuesit e EULEX-it përdorin dhunë psikike, shantazhin, arrestin dhe burgun  si mjete për të arritur qëllimet. >>>


Duke folur lidhur me këto shantazhe, Blerim Kuçi, në Qendrën e Paraburgimit, në Prizren,  ka theksuar se arrestimet e EULEX-it i ngjajnë kohës së Rankoviqit. Ai ka deklaruar para zyrtarëve të KMDLNJ-së  “Nuk e di a jam i dënuar apo jam në paraburgim, kjo është një dilemë për mua. Ky është proces politik. Kanë filluar të merren me mua qysh kur Ramush Haradinaj është dërguar sërish në Hagë. Konsideroj se nuk kam çka të them dhe do ta mbroj veten në heshtje. Më kanë bërë  edhe shantazhe duke  më thënë po e humbkam   karrierën politike, por kjo  nuk kanë rëndësi për mua. Nuk dua të merrem me çështje, që në një të ardhme mund t’i shqetësojnë njerëzit pa asnjë lloj faji. Nuk mund, as nuk dua që ta bartë kohën e kaluar në ditët e sotme. Nuk dua ta shqetësoj askënd. Proceset që po i zhvillon EULEX-i i ngjajnë kohës së Rankoviqit kur ka pësuar edhe familja ime në atë kohë. Do ta kundërshtoj këtë kohë  që të mos përsëritet”, ka nënvizuar ish eprori i UÇK-së, Blerim Kuçi.


Përpjekjet e EULEX-it, që përmes Blerim Kuçit ta inkriminojë  luftën e UÇK-së dhe konkretisht deputetin e Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj tashmë po bëhen fare hapur, ashtu sikur po veprohet edhe në instanca më të ulëta me disa dëshmitarë të improvizuar e të mbrojtur,  të cilët për përfitime materiale po bashkëpunojnë me hetuesit e EULEX-it, duke inskenuar rrëfime dhe duke etiketuar personalitete me rëndësi të luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare.


Fushata e EULEX-it ka të bëjë me një strategji në esencë antishqiptare, me qëllim për ta ndihmuar Serbinë në procesin e bisedimeve me Kosovën, në mënyrë që rezultati i bisedimeve të shkojë në favor të Serbisë dhe në dëm të pavarësisë së Kosovës.


Jo rastësisht, kjo fushatë, ka filluar të vihet në jetë pikërisht me rastin e  fillimit të  bisedimeve Kosovë-Serbi, në kohën kur delegacioni i Beogradit  zyrtar deklaron hapur se bisedimet po zhvillohen sipas kornizave të rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe kushtetutës së Serbisë, e cila Kosovën e trajton si pjesë të këtij shteti. Këto konstatime të kryesuesit të delegacionit serb, nuk iu bëjnë fare përshtypje krerëve tanë politikë, të cilët ndryshe flasin e krejt ndryshe veprojnë.


Me rastin e arrestimit të 9 pjesëtarëve të UÇK-së, më 16 mars nga EULEX-i, pastaj përpjekjeve për ta arrestuar deputetin,  Fatmir Limaj, arrestimi i  kryetarit të komunës, Blerim Kuçi dhe paralajmërimin për intensifikimin e arrestimeve, kreu politik dhe institucional i vendit nuk është treguar as po tregohet në nivel të detyrës. Deklaratat  verbale dhe gjithnjë të vonuara  kundër arrestimeve, bëhen sa për sy e faqe, ndërkohë që bashkëpunimi i Policisë së Kosovës dhe i Ministrisë së Brendshme me EULEX-in vazhdon.


Edhe reagimi i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së nuk është unik  me faktin se në mesin e këtyre organizatave ka presion politik, nga qarqe të caktuara qeveritare, madje ka edhe kërkesa që të mos demonstrohet në rrugë, duke mos dhënë asnjë arsyetim të qëndrueshëm.


Megjithatë, gjesti i ish eprorit të UÇK-së, dhe kryetarit të komunës, Blerim Kuçi, është një shembull që to të mbahet mend për të mirë.  Ai me shembullin e tij burrëror i ka  treguar EULEX-it, por edhe përkrahësve të këtij misionin nga shqipfolësit e Kosovës, se luftëtarët e vërtetë të lirisë, pavarësisht rrethanave, në të cilat janë gjetur gjatë luftës, pavarësisht mospajtimeve, që edhe mund të jenë shfaqur kohë pas kohe, ata i kanë mbetur besnikë idealit të lirisë dhe kapitalin e tyre kombëtar nuk e shndërrojnë në favor politik apo karrierë  në dobi të qëllimeve të EULEX-it apo të faktorit ndërkombëtar, që po bën përpjekje ta devalvojë luftën e UÇK-së, me qëllim për ta ruajtur status quonë dhe  me qëllim për t’ia falur “mëkatet” Serbisë dhe popullit serb.


Misioni EULEX po vazhdon shantazhet. I pari i këtij misioni, z. De Marnak ka rikonfirmuar se fushata e EULEX-it kundër çlirimtarëve të Kosovës  nuk do të ndalet derisa do të shqyrtohen të gjitha akuzat, që i ka ngritur Ministria serbe e Drejtësisë, e bazuar në dosjet e kohës së Milosheviqit.


Në një situatë të tillë, kur pazaret politike me vendin po bëhen në disa nivele, sikur janë bisedimet e dis-favorshme  me Serbinë, arrestimi i luftëtarëve të lirisë, shtrirja e fuqishme e administratës së Beogradit mbi pjesën veriore të Kosovës, kriza e vazhdueshme qeveritare, të cilën po e nxisin autoritetet e caktuara ndërkombëtare, liridashësit e vërtetë të Kosovës duhet të mobilizohen, për të mos lejuar kthimin prapa, për të mos lejuar të nëpërkëmbët gjaku i dëshmorëve dhe lufta jonë e drejtë për liri, të cilën e ka përkrahur Amerika, Anglia dhe një segment pro amerikan i disa shteteve të Evropës.


Kreu aktual politik dhe institucional i Kosovës, nuk i mbron luftëtarët e lirisë dhe as i ka mbrojtur ndonjëherë. Shumica e krerëve politikë dhe institucionalë e kanë pranuar shantazhin ndërkombëtar, me qëllim për të ruajtur postet e favoret, që sjellë veshja me pushtet. Në një gjendje të tillë, luftëtarët e lirisë, aktualisht nuk ka kush i mbron. Është momenti i fundit që ata të vetorganizohen për të mbrojtur vetveten dhe vlerat e luftës së UÇK-se. Në të kundërtën, do të bëhet vonë përgjithmonë.

Kontrolloni gjithashtu

Memli Krasniqi kritikon ashpër Vetëvendosjen për kandidaturën e Haxhiut: “Shkelje kushtetuese dhe përçmim ndaj qytetarëve”

Kryetari i PDK, Memli Krasniqi, ka reaguar me tone të ashpra pas insistimit të Lëvizjes …