Ahmet Qeriqi: Shqipëria dikur e “izoluar” tani e “lulëzuar”

 


Rrëfimi për Shqipërinë, për cilën do periudhë të ekzistencës së saj ka  veçantitë specifike. Ishte dikur Shqipëria mesjetare, që përbëhej nga dhjetëra principata, prijësit e të cilave për ta shfryrë mërinë kundër njëri tjetrit, apo për t ia grabitur tokat njëri tjetrit, thërrisnin në ndihmë ushtritë e Bizantit dhe më shpesh fiset barbare sllave të Rashkës, ndërsa  këta të fundit  pasi e mundnin njërin pre tyre, e nënshtronin edhe prijësin, që i kishte ftuar.  I tmerrshëm por edhe i çuditshëm është rrëfimi për Shqipërinë e kohës së sundimit të Perandorisë Osmane, ku shqiptarët luftuan kundër turqve dhe përkrah tyre, madje shpeshherë në të njëjtën betejë, shqiptarët vriteshin e gjymtoheshin, duke luftuar kundër njëri tjetrit, disa me çallma të bardha e të tjerët me plisa, po ashtu të bardhë.>>>


Dhe aq shumë ishin përzier dhe zier shqiptarët në kazanin e madh të Perandorisë, sa ndodhte që vëllai vriste vëllanë pa e njohur fare se e kishte vëlla. ( Në prill të vitit 1881, kur forcat e Dervish Pashës ishin pozicionuar në Fushën e Shtimes, një anas i kësaj ane dezerton nga ushtria turke dhe niset drejt shtëpisë ku kishte lindur. Vëllai, i tij, i cili kishte zënë pritë, duke e parë nga larg se një njeri i veshur me rroba turke dhe me pushkën krahut ia kishte mësyrë lagjes, duke menduar se ishte ndonjë vëzhgues turk, tërheq këmbën e kapaklijes dhe e vret. Ndërkohë, dalin anëtarët e tjerë të familjes dhe identifikojnë birin dhe vëllanë e tyre, të cilin nuk e kishin parë 12 vjet. Vendi,  prej asaj dite, quhet: “Varri i nizamit”.)


Me këtë rast nuk po flasim për Shqipërinë e Ismail Qemalit dhe të Ahmet Zogut, por do të kufizohemi në disa segmente të  “izolimit” të Shqipërisë së Enver Hoxhës dhe “lulëzimit” të Shqipërisë së Sali Berishës.


 


Shqipëria e Enver Hoxhës


 


Pavarësisht bindjeve politike dhe ideologjike, Shqipëria e Enver Hoxhës kishte lulëzuar në shumë segmente, meqë kishte filluar nga zeroja dhe çdo lulëzim ishte i dukshëm, i prekshëm dhe motivues.


Nga popullata 90 për qind analfabete, Hoxha e arsimoi dhe e shkolloi mbarë popullin, elektrifikoi vendin, zhvilloi bujqësinë, siguroi bukën në vend, hapi shkolla e fakultete, krijoi një ushtri të fortë dhe të armatosur mirë, ndërtoi spitale, uzina, infrastrukturë rrugësh, hekurudha, hapi katër herë më shumë sipërfaqe  tokë pune sesa kishte në kohën e Zogut, liroi femrën nga vargonjtë e kanuneve dhe e emancipoi në një nivel të lakmueshëm, zhvilloi artet, kulturën, filmin, letërsinë, edukatën e pastër familjare e shoqërore, që nuk kishte asgjë të keqe, për shkak se  quhej edukatë  socialiste.


Shqipëria e Enver Hoxhës ishte bërë faktor në luftë kundër imperializmit dhe social-imperializmit. Shteti shqiptar jetonte i izoluar dhe vazhdimisht i provokuar nga Jugosllavia, Greqia, Italia, Cia KGB-ja, por ai nuk u nënshtrua.  Në Shqipëri lanë kockat që gjithë ata që u munduan ta përmbysin nga brenda e nga jashtë. Janë gjallë shqiptarët, është e pranishme një literaturë e tërë, që hedh dritë në këto konstatime. Edhe pse jo aq e zhvilluar, Shqipëria ishte shteti më i pastër ekologjikisht në Ballkan e pse jo edhe në Evropë. Lexo dhe shiko  revistat e kohës dhe do bindesh në vitalitetin e mijëra shqiptarëve e shqiptareve, meqë në Shqipërinë socialiste  nuk kishte AIDS, nuk kishte malarie, li, murtajë, ato ishin çrrënjosur. Nuk kishte njerëz me mbipeshë trupore, nuk kishte parazitë e bjerrakohës, ose kishte fare pak.


Shqiptari i rilindur, i arsimuar, me shëndet vital, kishte zënë hapat me bashkëmoshatarin e tij kudo në botë, qoftë në sporte, në art, kulturë, letërsi, në armatë,  pothuajse në të gjitha sferat e jetës.


Ishte edhe “lufta e klasave, e cila me fjalë e sintagma të tjera për nga formulimi, ishte dhe është e përhapur kudo. “Lufta e klasave” sot është lufta politike mes forcave kundërshtare kudo në botë dhe nuk ishte specifikë e veçantë e kohës së regjimit të diktaturës së Proletariatit të Enver Hoxhës.


Është e vërtetë se në kushte izolimi ishte reduktuar liria e mendimit, e lëvizjes së lirë dhe ushtrimit të fesë. Ishin luftuar kultet fetare, idolet, magjitë, mashtrimet dhe të gjitha format e përfitimit parazitar.


S’do mend se regjimi i tillë kishte shumë të meta, dobësi, të cilat edhe filluan ta gërryejnë nga brenda, meqë bota  e re po ndërtohej në stilin e internacionales komuniste e cila asokohe ishte shtrirë në shumicën e vendeve të botës, sidomos në Lindje, sipas motos:


Botën mizore  ne do ta shkatërrojnë


Që nga themeli  dhe paskëtaj


për veten tonë do ta ndërtojmë


botën e re në vend të saj.


Nuk ishte Shqipëria i vetmi vend në Ballkan që ndërtonte botën e re në vend të botës së vjetër.


 


 


Shqipëria  e Sali Berishës


 


Kryeministri, Sali Berisha, fryhet si gjeldeti sa herë del para kamerave, qoftë duke shqyer gurmazin me akuza të çmendura e të çmeritura drejtuar Edvin Ramës, qoftë duke përjetuar ekzaltime shpirtërore, kur flet për të arriturat e Shqipërisë, qoftë duke bërë grimasa e duke marrë poza qesharake si një kloun i dresuar, në rastet kur mendon se ia ka arritur qëllimit. Janë të rralla rastet kur Berisha është esëll, apo ndoshta fajin e kanë mediet të cilat na prezantojnë vetëm skenat që ata përzgjedhin, sipas bindjes dhe politikave të tyre redaksionale.  Për dallim nga miku i tij, italiani pervers, Berluskoni, i cili zihet me kamerë duke fjetur dhe duke bërë grimasa në Senat, Sali Berisha është gjithnjë zgjuar si ujku i stepave, i gatshëm për të sulmuar dhe për ta ndërruar disponimin sa hap e mbyll sytë.


Është e vërtetë se Shqipëria ka “lulëzuar” dhe po ndryshon  në disa segmente, si në trafiqe, banditizëm, krijim të klaneve mafioze  ndër më të fuqishmet në rajon, të lidhura me struktura më të larta të shtetit,në Shqipërinë e Salos aksidentet me pasoja fatale janë të përditshme, dhe mbështetur në statistikat zyrtare gjatë vitit mbyten mijëra shqiptarë dhe mbesin invalidë dhjetëra mijëra të tjerë. Në Shqipërinë e sotme vrasjet janë të përditshme, është rikthyer hakmarrja, po lulëzon prostitucioni, homoseksualizmi, AIDS-i,  kanë lulëzuar të gjitha llojet e trafiqeve, të drogës, të armëve, të shpërthimit të armëve sikur ndodhi në Gërdec, të trafikimit të fëmijëve, të vajzave që trafikohen e martohen me serbë të moshuar,  sidomos në veri të Mitrovicës dhe kudo në Mal të Zi dhe në Serbi. Shqipëria e Berishës ka prodhuar rreth 30,000 prostituta shqiptare që ushtojnë zejen e tyre, në Greqi dhe në Itali, e gjithandej nëpër botë. Shqipëria varet ekonomikisht nga kapitali grek, serb e italian.


Kisha greke, në krye me antishqiptarin e përbetuar Janullatos  e cila ka shfronësuar zyrtarisht Kishën autoqefale shqiptare, me përkrahjen e Berishës, në pjesën  jugore të vendit  ka ngritur rreth 200 kisha ortodokse të stilit grek, duke injoruar dhe anashkaluar elementet autentike të kishave të vjetra ortodokse shqiptare. Shqipëria e “lulëzuar” e Sali Berishës po ndryshon  me ngritjen e monumenteve madhështore të ushtarëve kriminelë, grekë, të cilët gjatë kohës së luftës të Dytë Botërore kishin lënë eshtrat e tyre duke vrarë shqiptarë, kuptohet gra e fëmijë. Por në Shqipërinë e lulëzuar të Sali Berishës, përditë po rrënohen monumentet e luftëtarëve të lirisë së Shqipërisë. Gjatë këtyre 20 viteve janë rrënuar e dëmtuar hiq më pak se 800 pllaka përkujtimore, monumente dhe obelisqe të ngritura gjatë kohës së regjimit komunist në Shqipëri. Nëse vazhdon kështu, Mali i Zi dhe Serbia mike e Berishës, do të ngrehin edhe monumentin madhështor të 10.000 ushtarëve kriminelë serbë e malazez, të cilët u vranë gjatë rrethimit të Shkodrës.  Edhe në këtë drejtim Shqipëria, së cilës i ka mbetur vetëm emri po “lulëzon”, por jo për shqiptarët.


Shqipëria sot ndodhet në ankand publik dhe atë mund ta blejnë dobiçet, Fazliqët dhe të gjithë “iqët” e “osët” e tjerë nëse nga shitblerja fiton Berisha me të vetët.  Tirana sot është qyteti më i ndotur në Evropë, mbase edhe në botë, ndërsa Berisha premton ngritjen e centraleve atomike në Vlorë e gjetkë, si ato centralet e famshme, por fatale të Çernobilit.


Nuk janë vetëm këto fenomene të Shqipërisë së “lulëzuar” të Sali Berishës e të Fatos Nanos. Ka edhe shumë, madje ka aq shumë sa nuk numërohen dot, se po të numërohen, njeriu normal shkallon nga mendja.


 


Është thënë disa herë se gjatë kohës pesëdhjetëvjeçare  të sundimit komunist, regjimi i Enver Hoxhës ka mbajtur në burg rreth 6.000 mijë kundërshtarë politikë ndërsa 1200 prej tyre i ka pushkatuar. Edhe nëse ka qenë ashtu, për 20 vjetët e sundimit të demokracisë pa fre në Shqipëri janë mbytur dhjetë herë më tepër njerëz, qoftë në kacafytjet për pushtet,  si ato të viteve 1991- 1997, qoftë në komunikacion, qoftë me motiv gjakmarrjen, pronën, apo si pasojë e krimeve të ndryshme, që ndodhin për çdo ditë. Nga Shqipëria, gjatë këtyre 20 viteve në kushte dhe rrethana të caktuara kanë ikur rreth dy milionë shqiptarë. Në Greqi, numri i shqiptarëve që punojnë dhe jetojnë atje kap shifrën deri në 800 mijë. Trafikantë dhe mafiozë me prejardhje nga Shqipëria gjenden sot në të gjitha shtetet e Evropës. Edhe në këtë segment Shqipëria po “lulëzon” dhe po e përmirëson  imazhin e keq të kohës së Enver Hoxhës, kur ishte krejt e izoluar dhe tani është krejt e hapur, lakuriq fare. Dhe tash që Evropa po i heq vizat, pritet ikja edhe e një milioni tjetër, andaj Shqipëria do të bëhet edhe më e lulëzuar deri në ditën kur do të zhbëhet dhe do të mbetet pre e orekseve të pangopura greke, sllavo-bullgare, serbe e malazeze.


Politikanët servilë dhe të nënshtruar të Shqipërisë, e kanë katandisur vendin në një Sodomë, si ajo e kohës biblike, ku lejohen të gjitha amoralitetet e perversitetet, ku lejohet sodomia dhe trafiqet, ku në emër të hapjes dhe demokracisë ka humbur çdo kod moral e njerëzor, ku po shthuret familja dhe vlerat tradicionale kombëtare.


Kjo është ana ironike, por realiste e “lulëzimit” të Shqipërisë. Për të arriturat e sotme le të flasin apologjetët e Berishës..

Kontrolloni gjithashtu

Britania e Madhe: Kosova e Serbia duhet të jenë të përfshira në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja

Sigurimi i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës ishte tema e diskutuar në seancën e fundit …