Të indinjuar me trajtimin që është duke iu bërë në emër të drejtësisë komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, TMK-së e FSK-së, gjeneral Sylejman Selimit, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar protesta. OVL e UÇK-së nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se është duke analizuar dhe përcjell situatën aspak të mirë që po behët kundër vlerave të Luftës së lavdishme çlirimtare dhe pjesëtarëve të saj. Rasti i fundit i mbajtjes në burg, pa vendim të prerë dhe pa bazë juridike të Komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, TMK-së e FSK-së, Gjeneral Sylejman Selimit është kulmi i marrëzive të kësaj “drejtësie” dhe i të gjithë atyre institucioneve dhe institucionalistëve që i kanë futur veshët n’lesh e po heshtin para kësaj padrejtësie që po i behët Gjeneral Selimit. Është parë dhe tani më është e kuptueshme për secilin qytetar së Gjeneral Sylejman Selimi po mbahet padrejtësisht në burg, madje për mbajtjen e tij në burg nuk ka asnjë bazë juridike, sepse në të dyja rastet ku Gjeneral Selimi ka qenë i akuzuar, është shpallur i pafajshëm, si në rastin “Drenica 1” dhe “Drenica 2”. Ky proces është kryekëput politik. Në fillim të javës do të njoftojnë për mënyrën dhe formën e protestave, ndoshta edhe të demonstratave gjithë popullore në mbrojtje të së drejtës për Gjeneralin dhe vlerave të luftës, thuhet në komunikatën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
