Komuna e Ferizajt fitoi 150,000€ grant për angazhimin në fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën”

Se qeverisja e Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu është e përkushtuar si asnjëherë më parë në mbrojtjen e mjedisit dhe ngritjen e nivelit të pastërtisë në territorin e Ferizajt, po dëshmohet me shpërblime të shumta në gara të ndryshme për mbrojtjen e mjedisit e së fundi edhe për angazhimin në fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën”. Një vazhdimësi e përkushtimit ndaj mjedisit dhe politikat e mirëfillta konsistente mjedisore, po japin rezultatet e pritura. Paraditen e së enjtes, në ceremoni zyrtare, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi dhe Luan Hasanaj nga “Ta Pastrojmë Kosovën” kanë ndarë certifikatat dhe çekun e grantit të performancës për komunat që kanë shënuar suksese domethënëse gjatë fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” anekënd vendit për kujdesin ndaj mjedisit dhe largimin e mbeturinave. Komuna e Ferizajt është përzgjedhur ndër komunat me vlerësimin më të lartë, më të suksesshme në Kosovë në eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave, sasisë së grumbulluar dhe deponuar në deponinë qendrore gjatë kësaj fushate si dhe menaxhimin e tërësishëm, të suksesshëm të kësaj fushate në mbrojtje dhe promovim të një ambienti më të pastër jetësor. Nga kriteret e lartpërmendura, Komunës së Ferizajt i është akorduar granti i performancës në lartësinë e 150,000 eurove, si shpërblim për angazhimin e treguar dhe menaxhimin e suksesshëm të kësaj fushate në komunën tonë. Për të pranuar zyrtarisht këtë çek dhe certifikatë, mori pjesë drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Arben Halili, shoqëruar nga drejtori i Urbanizmit dhe Mjedisit, Lulzim Aliu, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi, kryeshefi i KRM “Pastërtia”, Dukagjin Hetemi, koordinatori rajonal i fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” në Rajonin e Ferizajt, Kenan Gashi dhe bashkëpunëtorë të tjerë. Komuna e Ferizajt, falënderon publikisht të gjithë akterët e përfshirë në fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën” në Ferizaj, anëtarët e task-forcës lokale, institucionet arsimore, bashkësitë fetare, organet e sigurisë, shëndetësore dhe të gjitha organizatat shtetërore kontribuuese në këtë fushatë. Veçanërisht një falënderim të posaçëm, Komuna e Ferizajt, rezervon për organizatat e shoqërisë civile dhe mijëra vullnetarë të angazhuar në këtë fushatë në Ferizaj. Në këtë garë, Ferizaj është komuna e parë që shpërblehet, me rangimin me më së shumti pikë nga komunat tjera. Njëlloj me këtë shumë të grantit, u shpërblyen edhe 3 komuna tjera, kurse 6 komuna tjera do të marrin shuma më të vogla të grantit të performancës nga gjithsej 10 komuna fituese të këtij granti.

Kontrolloni gjithashtu

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës së Rahovecit 

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës …