Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli parasheh që taksa të pezullohet për 120 ditë derisa Serbia të plotësojë 10 kushte. Serbia do të njoh të gjitha dokumentet e mallrave, licencave, vulat dhe dokumentacionin e Republikës së Kosovës sikurse edhe barkodin dhe banderolat e saj. Ndërkohë që dogana e Serbisë duhet të pushojë përdorimin e vulave të strukturave paralele serbe në Kosovë. Bile kërkohet që e gjithë diaspora shqiptare e cila kalon transit nëpër Serbi të mos keqtrajtohet dhe të kalojë lirshëm njësoj sikurse udhëtarët e vendeve të treta. Dokumenti nëntë faqesh thotë që Serbia të mos e pengojë më pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe të zbatohet marrëveshja për energjinë. Pak a shumë të ngjashme janë edhe shtatë kushtet e vëna ndaj Bosnje dhe Hercegovinës. Ndërkohë që bëhet pezullimi i përkohshëm i tarifës doganore do të lejohen të hyjnë vetëm mallrat që importohen ose rieksportohen nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina të cilat shoqërohen me dokumente të Republikës së Kosovës dhe i referohen me emrin e saj kushtetues. E në rast se këto kushte nuk pranohen për 120 ditët e pezullimit atëherë Kosova do të vazhdojë tarifën doganore prej 100 për qind por edhe do të vendos masa të plota reciprociteti. Kësisoj edhe Kosova nuk do t’i njoh dokumentet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë dhe Bosnjës.
