Haradinaj dhe Limaj vizituan Komunën e Malishevës

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj dhe Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, të shoqëruar edhe nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti, të mërkurën pasdite kanë vizituar Komunën e Malishevës, ku janë pritur nga Kryetari i Komunës, Ragip Begaj dhe qeveria komunale. Ata po ashtu kanë vizituar edhe një prodhues, ku janë njoftuar me punën dhe aktivitetin e kompanisë “Ylli”, si një nga prodhuesit e suksesshëm, që eksporton prodhimet në Gjermani. Fillimisht, në takimin e zhvilluar në zyrën e kryetarit Begaj, kryeministri Haradinaj dhe zëvendëskryeministri Limaj, janë njoftuar nga ana e kryetarit, me zhvillimet e përgjithshme në Komunën e Malishevës, për bashkëpunimin në mes të nivelit lokal dhe atij qendror, si dhe për nevojat që ka Komuna e Malishevës. Kryeministri Haradinaj, e vlerësoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin në mes të dy niveleve, si dhe ka thënë “Qeveria është e përkushtuar që edhe Malishevën ta përkrahë përmes projekteve konkrete, që ndikojnë në zhvillimin e përgjithshëm të Malishevës”.

Më pas, kryetari Begaj, i ka njoftuar krerët e Qeverisë së Republikës së Kosovës, me të gjitha nevojat që ka Malisheva, duke filluar nga problemi i furnizimit me energji elektrike, përkatësisht nevojën e ndërtimit të transformatorit 110 kilovatësh, për Malishevën, si faktor kryesor për zhvillimin ekonomik. Më pas e ka njoftuar edhe me çështje tjera, duke filluar nga nevoja për furnizim me ujë për pije, nga sistemet e ujëmbledhësve të mëdhenj, pastaj rregullimi i digës së liqenit në Mirushë, si një nevojë emergjente, problemi i pa zgjidhur i pronave, problemet me pagesat në fushën e arsimit, si rezultat i kontratës kolektive, e cila ndikon direkt në buxhetin komunal dhe çështje tjera. Kryetari Begaj, gjithashtu e ka falënderuar qeverinë e vendit, për investimet në Malishevë, investime të cilat ndikojnë direkt në jetesën e qytetarëve, si ndërtimi i qendrës së banimit kolektiv, ndërtimi i rrugës transite për Malishevën, zonën ekonomike dhe projektet tjera, përmes së cilave po ndihet përkrahja e qeverisë për Komunën e Malishevës. Kryeministri Haradinaj, u interesua për të gjitha fushat e zhvillimeve në komunë, duke filluar nga energjia, uji, realizimi i buxhetit, pronat, sporti, kultura, dhe të tjerat, duke mos e lënë anash as bashkëpunimin në mes ministrive dhe komunës.

Më pas, kryeministri Haradinaj, zëvendëskryeministri Limaj, deputeti Hoti dhe kryetari Begaj, kanë vizituar edhe fabrikën e prodhimit të dyerve dhe dritareve “Ylli company” në Carrallukë ku janë njoftuar me aktivitetin e kësaj kompanie prodhuese. Sipas pronarit, Xhevat Hoti, kompania, më shumë se gjysmën e prodhimeve i eksporton në tregun gjerman, ndërsa ka të punësuar rreth 50 punëtor. Ai gjithashtu i paraqiti edhe problemet me të cilat ballafaqohet, duke u nisur nga problemi i furnizimit jo të mirë me energji elektrike, e që për të është problem më i madh që duhet të bëhet zgjidhje emergjente. Në vizitën e tij në Malishevë, kryeministri Haradinaj, u zotua se për të gjitha kërkesat dhe nevojat e Komunës së Malishevës, do të angazhohet seriozisht për zgjidhjen e tyre, pasi qeveria në çdo mënyrë do të përkrahë zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin e komunave.

Kontrolloni gjithashtu

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës së Rahovecit 

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës …