Jakup Krasniqi

Idetë e kundërta nuk i duhen kombit për shkatërrim, por për zhvillim

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka thënë se Kosova nuk duhet të udhëhiqet as nga të vjetrit apo të rinjtë si moshë, shteti duhet të udhëhiqet nga njerëzit që dinë, duan e kanë vizion se si drejtohet shteti. Sipas tij, kombi ynë kurrë nuk ka pasur më shumë nevojë sesa sot për një burrështetas të mençur, i cili rrethohet nga bashkëpunëtorë të ditur e besnikë të atdheut. “Është e vërtetë se pjesëtarët e UÇK-së kanë qenë pakicë, por Lufta Çlirimtare është bërë për çlirimin e Kosovës, është bërë për lirinë e të gjithë qytetarëve të saj, edhe të atyre që kishin lidhje të shumëfishta me Jugosllavinë e Titos e patën nevojën që të shkëputeshin nga ajo”, tha ai.  Por, një gjë është e sigurt, Ata që e mbërthejnë kombin në korridoret e errëta të historisë së shkuar, të lënë pa ardhmëri! Kombit i duhen idetë e kundërta e progresive për zhvillim e përparim, por jo “idetë” për konfrontim e shkatërrim! Këtë reagim, ish zëdhënësi i UÇK-së. Jakup Krasniqi e ka postuar pas deklaratës së Veton Surroit, i cili ditë më parë tha se UÇK-ja ka qenë pakicë që kurrë nuk e ka përfaqësuar shumicën në Kosovë.

Postimi i plotë

Kushdo që mendon se krahu i luftës ( si politikë) duhet të lidhet vetëm me UÇK-në e ka gabim, pasi krahu i rezistencës kombëtare shtrihet në disa gjenerata, sidomos të atyre që jetuan, vepruan, luftuan dhe ëndërruan pandërprerë deri te lufta përfundimtare çlirimtare e 1999-tës por edhe asaj që tashmë ka arritur moshë pjekurie që nga përfundimi i saj. Luftën, në përgjithësi, gjë e ditur kjo, por luftën çlirimtare në veçanti, askund në botë popujt nuk e kanë zgjidhje të dëshirueshme, por të imponuar. Ndoshta përkufizimin më të mirë për ketë e ka dhënë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili ka thënë: “Të kërkosh luftë është çmenduri, por t’i përgjigjesh asaj kur ta imponojnë të tjerët është urti, është mençuri”! Dhe kombi ynë kurrë nuk ka pasur më shumë nevojë sesa sot për një burrështetas të mençur,i cili rrethohet nga bashkëpunëtorë të ditur e besnikë të atdheut.

Gjithashtu është e vërtetë se pjesëtarët e UÇK-së kanë qenë pakicë, por Lufta Çlirimtare është bërë për çlirimin e Kosovës, është bërë për lirinë e të gjithë qytetarëve të saj, edhe të atyre që kishin lidhje të shumëfishta me Jugosllavinë e Titos e patën nevojën që të shkëputeshin nga ajo. Lëvizja Kombëtare Klandestine me Ushtrinë Çlirimtare ua dhanë atë mundësi. Nëse individë të caktuar pas luftës çlirimtare janë shndërruar në lakmitarë e grabitës, të korruptuar e haraçxhinj qoftë nga padija, qoftë nga motive të ulëta, panjerëzia, duke u bërë gogolë të së keqes. Gogolë të tillë kanë gjeneruar edhe vendet më demokratike të botës, por kjo sortë e njerëzve askund, as tek ne, nuk mund ta rrëmbejë as idealin, as vizionin e njerëzve që iu kanë prirë proceseve liridashëse e çlirimtare.

Pra, duhet të jemi të vetëdijshëm se edhe ata që i udhëhoqën idetë e rilindësve, të pavarësistëve, të demokratëve apo të komunistëve, nuk kanë qenë shumicë, por iu kanë shërbyer shumicës së shqiptarëve. Dihet se njerëzit me ideale, me integritet e vizion, kudo e kurdo kanë qenë e janë pakicë. Vetëm ne shqiptarët mendojmë se të gjithë janë Skënderbegë a Enver Hoxhë, Mic Sokola a Adem Jashara, se të gjithë janë të gjithëdijshëm e hekurin e hanë me dhëmbë, se të gjithë mund të bëhen deputetë a ministra, kryeministra a presidentë pa ia ditur hallin vetes!

Njëzet vjet pas Luftës Çlirimtare kemi gjeneratën më vitale të kombit, e cila nuk lidhet as me pacifizmin e paraluftës, as me Lëvizjen Klandestine për Çlirim, as me Luftën Çlirimtare, madje as me argatët e jugosllavizmit. Kjo është gjenerata e Lirisë dhe e Pavarësisë se Kosovës. Në Kosovën e lirë e të pavarur, kjo gjeneratë ka kërkesa të tjera, kërkesa në rrethana lirie e pavarësie. Këto aspirata të reja kërkojnë që të kenë drejtues me vizion të qartë për kombin e shtetin. Sigurisht jo ata që i kishim në 20/30 vjetet e fundit.

Gjenerata e Lirisë dhe e Pavarësisë duhet ta dijë të kaluarën, por nuk mund të jetojë me lavdinë e djeshme. Kësaj gjenerate i duhet jeta në të sotmen dhe përgatitja për të ardhmen! Gjeneratës që po e përjeton dhe gëzon Pavarësinë i duhet perspektiva, e cila nuk ndërtohet me sharje e britma, e as me ndarjet armiqësore të historisë.

Qytetarëve tanë iu duhen parti ideologjike e demokratike që i nxjerrin ata nga labirintet e ndarjeve historike me oferta programore për një perspektivë zhvillimi, arsimimi, punësimi e mirëqenieje. Kjo politikë e ky vizion u duhet shqiptarëve sot! Ndonëse njerëzit e dëshmuar për veprimtari atdhetare, te tri dekadave të fundit të shekullit XX, edhe pse kishte në lista zgjedhore të 6 tetorit 2019 në të gjitha partitë politike, mbeten jashtë Kuvendit të ardhshëm, përkundër përvojës se tyre të madhe e të dëshmuar kombëtare e politike. Ndoshta ishte rastësi, ndoshta?! Apo, mbase nuk ishte koha e tyre, ashtu si nuk ishte koha e Kreshnikut Mujë pas zbulimit të barotit?!

Por, një gjë është e sigurt, Ata që e mbërthejnë kombin në korridoret e errëta të historisë së shkuar, të lënë pa ardhmëri!

Kombit i duhen idetë e kundërta e progresive për zhvillim e përparim, por jo “idetë” për konfrontim e shkatërrim!

Shkurt: Kosova nuk duhet të udhëhiqet as nga të vjetrit apo të rinjtë si moshë, shteti duhet të udhëhiqet nga njerëzit që dinë, duan e kanë vizion se si drejtohet shteti! Përvoja, kujtesa e përkushtimi i njerëzve është shfrytëzuar në çdo epokë të historisë, edhe në ato më primitive, pse koha e jonë dhe vetëm për ne të jetë ndryshe?

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …