leoni

Adem Lushaj

Msc. Adem Lushaj: HC-të në Deçan për interesa të manastirit

Deçani është njëra ndër komunat që posedon resurse të shumta natyrore e që janë të favorshme për zhvillimin ekonomik, sidomos resurset që janë në masivin e Bjeshkëve të Nemuna. Lumëbardhi i Deçanit është njëri ndër resursit më të rëndësishme të zhvillimit, qoftë për atraksione turistike apo si burim i energjisë elektrike. Resurset natyrore duhet shfrytëzuar për zhvillim të qëndrueshëm, sikurse që duhet shfrytëzuar edhe Lumëbardhin tonë. Mirëpo, zhvillimi i qëndrueshëm, pos komponentës ekonomike, ngërthen në vete, edhe komponentin social dhe atë mjedisor. Asnjë deçanas apo ekspert mjedisor, nuk është kundër shfrytëzimit të resurseve natyrore për qëllime ekonomike, e aq më pak për zhvillimin e Deçanit që ka mbetur ndër komunat më të pa zhvilluara, për arsye politike e të ndikuara nga Manastiri. Investimet që bëhen në ndërtimin e Hidrocentraleve në rrjedhën e Lumëbardhit, janë investime me prapavijë jo të mirë, ngase prapa këtyre investimeve qëndron Manastiri i Deçanit, i cili dirigjohet nga politika e Beogradit.

Në arsyetimin zyrtar të institucioneve, është thënë se “me ndërtimin e këtyre HC-ve, pos që do investohen rreth 55 milion euro, do kemi edhe shumë të punësuar dhe respektim të standardeve të duhura ligjore”. Këtë arsyetim zyrtar le ta vlerësojnë qytetarët e kësaj komune, pasi që janë vlerësuesit më të mirë për numrin e të punësuarve dhe si janë përfillur standardet ndërkombëtare. Pos këtyre, deçanasit në vazhdimësi po ankohen për mungesë të ujit për pije, sikurse që kishte raste kur uji ishte i pa përdorshëm, ngase ujësjellësi ishte dëmtuar gjatë kryerjes së punimeve.

Gjatë sezonës verore, deçanasit nuk kanë mundësi të shijojnë freskinë e ujit të Lumëbardhit dhe bukuritë natyrore që ofron “Gryka e Deçanit”, ngase mbi 10 km sasia më e madhe e ujit, futet nëpër tuba që dërgojnë për te “Hidrocentrali i Manastirit”. Futja e ujit nëpër tuba (gypa), duke lënë shtratin e lumit pa “asnjë pikë uji”, e rrezikon biodiversitetin natyror (gjatë verës rrezikohet minimumi biologjik për peshqit dhe shtazët ujore), paraqet krim mjedisor, e që është e dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Me investimet e bëra është shkel Ligji për Zonat e veçanta të mbrojtura, Nr. 03/L-039, i vitit 2008, përkatësisht Neni 5 i këtij Ligji. (Aktivitetet e Ndaluara brenda Zonave të Veçanta të Mbrojtura: a) ndërtimet apo zhvillimet industriale, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve tranzite në zonat rurale; dhe b) ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo ndotjen e mjedisit).

“Ligji në fjalë” nuk lejon investimet që zhvillojnë komunën, sidomos rregullimin e rrugës si parakusht për investime në projektet turistike. Pra, dyftyrësi në interpretim dhe respektim të këtij ligji, nga i cili përfiton vetëm manastiri. Ligji duhet të ndryshohet dhe të jep mundësinë për realizim të projekteve të cilat do jenë për interes të zhvillimit të qëndrueshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Bekim Hamëz Jashari: Sot i dhamë lamtumirën e fundit, veteranit të UÇK-së, Ragip Jasharit

Sot i dhamë lamtumirën e fundit, veteranit të UÇK-së, bashkëluftëtarit të Komandantit Legjendar, Adem Jashari …