Philip Reeker: SHBA-ja do t’i vazhdojë bisedimet me BE-në dhe palët tjera të interesuara për dialogun Kosovë - Serbi

Philip Reeker: SHBA-ja do t’i vazhdojë bisedimet me BE-në dhe palët tjera të interesuara për dialogun Kosovë – Serbi

Ushtruesi i detyrës së ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Philip Reeker, ka thënë se SHBA-ja do t’i vazhdojë bisedimet me Bashkimin Evropian dhe palët tjera të interesuara për dialogun Kosovë-Serbi. Zyrtari i lartë amerikan i bëri komentet gjatë një tele-konference për gazetarë, pikërisht në ditën kur në Bruksel janë takuar delegacionet e Kosovës dhe Serbisë. Në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se cili është aktualisht roli i Shteteve të Bashkuara në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas nismës së BE-së për të rifilluar procesin, dhe nëse ka bashkëpunim mes SHBA-së dhe BE-së, Reeker tha se “i vjen mirë për rifillimin e dialogut” dhe se SHBA-ja do ta mbështesë këtë proces. “Mendoj se Kosova dhe Serbia duhet të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje dhe ne e mirëpresim këtë mundësi”, tha Reeker. Ai konfirmoi se të premten në Bruksel do të takohet me përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak. Sipas zyrtarit të Departamentit të Shtetit, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet edhe më tutje një përparësi e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Ai rikujtoi edhe nismën e përfaqësuesit të Posaçëm të Shtëpisë së Bardhë, Richard Grenell.

Kontrolloni gjithashtu

Arianit Koci kritikon Albin Kurtin për pjesëmarrjen në operën “Syrigana” në Drenicë

Avokati Arianit Koci ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për pjesëmarrjen e …