Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka kërkuar në Kuvendin e Kosovës, që një herë e mirë të zgjidhet çështja e pensionistëve kontributdhënës, të cilëve nuk u njihet stazhi i punës që nga paslufta, por vetëm stazhi i punës para vitit 1999. Dhe përkundër kësaj, stazhi ka një prag prej 15 vitesh për t’u konsideruar për pension kontributdhënës. Haxhiu, në fjalën e saj tha se do ta paraqesë një rezolutë në Kuvendin e Kosovës për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ajo ka thënë se këto dispozita ligjore, të bazuara në ligjet e ish-Jugosllavisë, diskrimonojnë kontribuesit. Ajo ka thënë se po përfitojnë pikërisht ata që i ishin nënshtruar sistemit në atë kohë, ngase vetëm ata nuk ishin larguar dhunshëm nga puna. Haxhiu propozoi që secili t’i njihet stazhi i punës dhe secili të paguhet për aq kontribut sa ka dhënë.
