Ali Ahmeti

RKL: Ali Ahmeti zotohej për postin 4-vjeçar të kryeministrit, më në fund pranon tre muaj të fundit të mandatit

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, është një politikan mjaft kontrovers, por shumë pragmatik për të shfrytëzuar gjithçka që është e mundshme me çdo mjet e metodë, me qëllim për të qëndruar në pushtet,  në rrethanat e “luftës” së tij ashtu sikur bëjnë edhe të gjithë të tjerët, që pushtetin e  kanë qëllimin e parë dhe të fundit në jetë. Ali Ahmeti  ka arritur të mbahet në pushtet, edhe atëherë kur i ka shkelur me të dyja këmbët interesat e shqiptarëve në Maqedoni, edhe atëherë ku ka avansuar ndonjë pozicion, por gjithmonë në bashkëqeverisje me sllavomaqedonët shumicë dhe asnjëherë i bashkuar me liderët shqiptarë të partive të tjera politike, për çka e kanë fajin të gjithë, jo vetëm Ali Ahmeti.

Njeri i fjalëve të mëdha, i retorikës bombastike shpeshherë edhe teatrale, i prononcimeve deri edhe skandaloze në medie, sikur ishte rasti kur kishte deklaruar se “shqiptarët nuk u dashka  të bashkohen me një shtet dhe t’i prishin katër shtete të Ballkanit’, pastaj zotimi gjatë zgjedhjeve të fundit se shqiptarët në krye me atë do ta marrin qeverisjen e Maqedonisë, si kompromis për koalicion  qeveritar me LSDM-në, pse jo edhe me VMRO-në dhe mjaft prononcime të tjera politike, pa asnjë mbulesë.

Është e ditur se deklaratat e politikanëve makiavelistë vlejnë vetëm deri  sa të kumtohet deklarata vijuese, kështu që ata as kanë dhënë as u shkon në mendje të japin përgjegjësi për fjalën publike, sepse, për mjerimin tonë kombëtar, janë vetë shqiptarët që i votojnë di të tillë, meqë i nxjerrin nga radhët e veta, ashtu sikur janë vetë.

Pozita aktuale e shqiptarëve në Maqedoni, është më e mirë sesa ka qenë ndonjëherë dhe kjo nuk ka si mohohet, por nuk është kjo merita e Ali Ahmetit, as e politikanëve  të tjerë shqiptarë, por në radhë të parë është merita e Zoran Zaevit dhe e elektoratit të tij politik, në Maqedoni. Kjo nuk ka si mohohet, por tani po shihet qartë se edhe Zaevi i ka disa vija të kuqe, deri ku mund të pranojnë avansimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni, të cilët sipas Kushtetutës aktuale, edhe pse zyrtarisht përbëjnë një të tretën e popullsisë, nuk janë komb shtet-formues i Republikës unitare të Maqedonisë.  Maqedonia e Veriut, e cila nën presionin sistematik të Greqisë dhe të BE-së, u detyrua ta ndërrojë edhe emrin kushtetues, mbetet shtet i maqedonëve me prejardhje bullgare e sllave, me kohë i përcaktuar për  kombësi maqedone  dhe i pakicave kombëtare, me të drejta që parasheh Kushtetuta e vendit.

Ali Ahmeti i di të gjithë këto, por si çdo politikan tjetër, gjatë fushatës zgjedhore premtoi se do me çdo kusht do të marrë postin e kryeministrit të vendit dhe arriti sërish të fitojë shumicën nga radhët e partive shqiptare, duke u zotuar se fitorja e tij në zgjedhje, nënkupton postin e kryeqeveritarit, por nuk ndodhi kjo. Edhe po ta përkrahnin të gjitha partitë e tjera shqiptare, në Maqedoni, Ali Ahmeti nuk do të mund të bëhej kryeministër i një shteti unitar, sikur është Maqedonia me Kushtetutën e vet. Madje po të kishte qenë i detyruar të lidhte koalicion me partinë nacionaliste VMRO-DPMNE, ai nuk do të fitonte as postin e kryekuvendarit, sikur e fitoi në koalicion me Zaevin. Këto i di fare mirë, Ali Ahmeti dhe të gjithë ata që i vënë pas, andaj nuk ka hije të bëhet hopa, pa kërcyer hendekun.

Lidhur me jehonën e keqe që pati koalicioni ku Ali Ahmeti iu nënshtrua krejtësisht, Zoran Zaevit ka reaguar edhe opozita shqiptare në Maqedoni.

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë dënuar marrëveshjen mes LSDM-së  dhe BDI-së për qeverinë në Maqedoninë e Veriut. Në reagimin e përbashkët, thuhet se BDI-ja është mashtruesja kryesore pasi shkeli me të dyja këmbët premtimin që qeveria e re do të kishte një kryeministër shqiptar, dhe jo vetëm në 100 ditët e fundit. Edhe LSDM-ja  nuk mbetet mbrapa pasi deklaroi para zgjedhjeve se nuk do të bënte koalicion me BDI-në. “Së pari, ka mashtruar BDI-ja, e cila sot e ka shkelur me të dyja këmbët premtimin e vetëm parazgjedhor për kryeministër shqiptar dhe, së dyti, ka mashtruar LSDM-ja, e cila para zgjedhjeve thoshte se “në asnjë mënyrë nuk do të bëjë koalicion me BDI-në”. Prandaj për koalicionin tonë kjo qeveri nuk meriton asnjë respekt politik dhe, si e tillë, do të ketë përballë 12 deputetë dhe një popull që nuk do ta lejojë mashtrimin dhe uzurpimin e vullnetit politik” – thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.

Kontrolloni gjithashtu

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Shikoni këtë foto të Aziz Kelmendit. Është origjinale, nuk ka kurrfarë  retushimi. Para se të …