Deklarata e Avokatit të Popullit

Deklarata e Avokatit të Popullit lidhur me 10 Dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut

Në deklaratën  e Avokatit të Popullit lidhur me 10 Dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut thuhet: 73 vjet më herët, bota bëri përpjekjen e saj të parë për të artikuluar në një dokument të vetëm të gjitha ato të drejta të cilat njerëzit besonin se ishin të lidhura me vet ekzistencën e tyre si qenie. Që nga ai 10 Dhjetor i 1948, kur edhe u miratua Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, njerëzimi asnjëherë nuk ka reshtur së kërkuari jetësimin e atyre garancive ligjore, duke theksuar rolin e madh që e ka për shoqërinë dhe botën demokratike mbrojtja dhe respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Pandemia Covid 19 ishte një tjetër “luftë” e llojit të vet mes individit dhe shoqërisë, ku bota u desh të gjejë “mesin e artë” në mes të ruajtjes së shëndetit të njerëzve dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit, si vlera që, në një situatë të jashtëzakonshme, e kanë sfiduar jashtëzakonisht shumë njëra-tjetrën.

Pikërisht për këtë temë, Avokati i Popullit sot ka publikuar Raportin për Ndikimin e Pandemisë Covid 19 në të Drejtat e Njeriut në Kosovë, me të cilin, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut e ka vënë në qendër të të gjitha përpjekjeve dhe interesave të tjera shtetërore.

Avokati i Popullit e shfrytëzon këtë ditë për të kujtuar se mbrojtja e të drejtave të njeriut, është kauza më e pastër dhe më e vlefshme për të cilën duhet luftuar secilën ditë, për secilin njeri, pa dallim.

Kontrolloni gjithashtu

Specialja lejon Prokurorinë të zbulojë materiale shtesë në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Gjykata Speciale në Hagë kanë miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për të …