Dr. Gani. S. Pllana dhe Dr. Sadete Pllana: "Fjalor terminologjik i teorisë së mekanizmave dhe të makinave

Dr. Gani. S. Pllana dhe Dr. Sadete Pllana: “Fjalor terminologjik i teorisë së mekanizmave dhe të makinave

Redaktor: Prof. dr. Agron Duro

Në muajin dhjetor doli nga shtypi fjalori: FJALOR TERMINOLOGJIK I TEORISË SE MEKANIZMAVE DHE TË MAKINAVE

Fjalori në fjalë, hartuar nga autorët Dr. Gani S. Pllana dhe Dr. Sadete Pllana, është një kontribut me vlera të veçanta terminologjike, fryt i një përvoje shumëvjeçare të autorëve në fushën e terminologjisë. Fjalori është përftuar si vepër nga studimet e veçanta të kryera nga autorët në fushën e terminologjisë.

Duhet nënvizuar qysh në fillim, se në Fjalor është pasqyruar në mënyrë të veçantë puna e kryer për terminologjinë e fushave teknike, si: fusha e mekanikës teorike dhe të zbatuar, e kinematikës, e makinave dhe mekanizmave etj., prej të cilave janë nxjerrë pothuajse termat e shqipëruar dhe termat shqip në përgjithësi me barasvlerësit e huaj, të cilët janë vlerësuar, rivlerësuar dhe vështruar nga ana teknike, por gjithsesi, pa i ndryshuar ata. Kështu, ata janë paraqitur në Fjalor në bllok sinonimik, ku si terma parësorë janë dhënë termat shqip, ose, sipas rastit, termat e huaj si: bosht udhëzues (ngarës) (drive shaft; Antriebswelle), elementi i mekanizmit (mechanism element; Mechanismenelement), nyjë tesë (çernierë) kinematike (kinematic joint; Kinematisches Gelenk) etj.

Vlera më parësore e Fjalorit, qëndron pikërisht në paraqitjen në të të termave teknikë, që do t’i bëjnë një shërbim të madh terminologjisë që është në qarkullim, për t’i forcuar asaj fizionominë shqipe dhe kryesisht për t’i rritur motivueshmërinë, qartësinë e koncepteve etj.

Ideja e zgjidhjes së disa problemeve themelore të terminologjisë është vënë në bazë të konceptimit të Fjalorit si vepër, çka del edhe nga mikrostruktura dhe makrostruktura e tij.

Ballafaqimi i shqipes me anglishten e gjermanishten për Terminologjinë e Teorisë së Mekanizmave dhe të Makinave lehtëson punën edhe për trajtimin të çdo problemi teorik të terminologjisë, meqë terminologjia e gjuhës shqipe krahasohet me dy gjuhë që shërben si model standardizimi ndërkomëtar për terminologjinë teknike (krahas anglishtes si e parë, e gjrmanishtes si e dytë). Kështu, duke u mbështetur në Fjalor, mund të jepen zgjidhje me të drejta në standardizimin e terminologjisë teknike shqipe për përcaktimin më drejtë të termit standard shqip, duke u bazuar në mënyrën e zgjidhjes së këtij problemi në gjermanishte.

Duke u nisur nga sa parashtruam më sipër, mendojmë, se Fjalori i mësipërm, duhet konsideruar si një vepër terminologjike e veçantë, me orientim studimor, me vlera praktike zbatimore.

Po kështu, ai do të shërbejë si model i përzgjedhjes së termit standard, duke u mbështetur në dy gjuhë standarde në fushën e terminologjisë, siç janë anglishtja e gjermanishtja, çka ka vlerë të veçantë të nënvizohet, sepse këto dy gjuhë janë pasqyruar në mënyrë shumë të mangët, për të mos thënë aspak, në Fjalorët terminolologjikë të shqipes, qoftë teknikë, qoftë edhe në ata joteknikë. Këtë fakt e nënvizojmë, sepse ballafaqimi me anglishtne e gjermanishten, dhe kryerja e kësaj pune me profesionalizëm në këtë vepër terminografike nga autorët (si njohës të mirë të terminologjisë teknike, si të anës gjuhësore, ashtu edhe të asaj konceptore), përbën një kontribut të veçantë. Kjo ia rrit vlerën Fjalorit dhe e bën shumë të domosdoshëm botimin e tij. Ai do t’u shërbejë studiuesve të terminologjisë, studentëve universitarë në studim për terminologjinë e makinave dhe mekanizmave, hartuesve të teksteve mësimore teknike e të fjalorëve, jo vetëm terminologjikë, por edhe joterminologjikë, ku, në këta të fundit, termat zënë vendin e tyre dytësor.

Tiranë, dhjetor 2021 Redaktor: Prof. dr. Agron Duro

Kontrolloni gjithashtu

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të ndjeshëm kulturor dhe kombëtar që ilustron gjendjen e shqiptarëve autoktonë në Sanxhakun e Pazarit të Ri. Rrafshnalta e Peshterit, një trevë e rëndësishme në Sanxhak, me mbi 95 për qind të popullsisë myslimane me prejardhje shqiptare, u okupua nga Serbia dhe Mali i Zi në vitin 1912. Në më shumë se 200 vendbanime të kësaj zone, edhe sot në disa fshatra dëgjohet gjuha shqipe, e cila ka mbijetuar, pavarësisht mohimit të identitetit kombëtar dhe të drejtës për vetëdeklarim. Një rast i tillë është ky i fshatit Ugëll (Ugao), në kufi me Malin e Zi, ku banorët na kanë dërguar fotografi të të dy epitafeve të shkruara në gjuhën shqipe për Fatë Aliçkaj (1910–1966), e lindur në Jezgroviq të komunës së Tutinit dhe e vendosur në Ugëll. Epitafet janë përgatitur për të shënuar varrin e saj në varrezat e fshatit Ugëll, por për arsye ende të paqarta nuk janë vendosur kurrë. Dyshohet se për shkak të tekstit të epitafit në gjuhën shqipe, familjarët nuk kanë pasur guximin t’i vendosin ato. Kjo po ndodh pavarësisht faktit se në kohën e vdekjes së saj, gjuha shqipe flitej nga të gjithë banorët e zonës. Në emër të Kryesisë së Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, i drejtohemi Ministrisë për Evropë e Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, respektivisht Ambasadës së Republikës së Shqiptare në Beograd, që ta vizitojnë këtë fshat dhe të njihen nga afër me gjendjen e të drejtave të shqiptarëve në Sanxhak. Shoqata jonë ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Boshnjak (BNV), përmes së cilës ka status participues e konsultativ në këtë institucion dhe vepron në Sanxhak. Rasti i epitafeve është vetëm një nga qindra shembuj të diskriminimit që pengon zhvillimin e jetës normale në këtë krahinë të banuar me shqiptarë autoktonë. Ismet Azizi Kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”

“Kosova për Sanxhakun”: Rasti i epitafit në gjuhën shqipe në fshatin Ugëll të Peshterit në Sanxhak

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të …