Pavarësisht acarit dhe situatës me pandemi, shumë qytetarë dhe pjesëtarë të PSD-së kanë protestuar para Ndërtesës të Qeverisë së Kosovës. Pjesëtarët e Policisë fillimisht ishin vendosur para objektit, një orë para se të fillonte protesta e thirrur nga Partia Socialdemokrate, për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë. Policët kanë qëndruar para objektit të Qeverisë, pasi që organizatorët e protestës kanë paralajmëruar se para këtij objekti do të mbahen fjalimet kryesore të protestës. Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka bërë të ditur edhe më herët se protesta do të jetë paqësore. Ne nuk do të ndalemi, jo vetëm të shtunën, sepse ky vendim është po aq skandaloz dhe i padrejtë”, tha ai.
Pasi Policia është zhvendosur pak, protestuesit janë përpjekur të vendosen në shkallët e objektit të Qeverisë. Aktivisti i PSD-së, Nol Nushi ka kërkuar që të lirohen shkallët e objektit për të mbajtur një fjalim. Por, një gjë e tillë s’është lejuar dhe ka ardhur deri te konfrontimi. Protesta u mbajt kundër propozimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Aktivistët e Partisë Socialdemokrate dhe protestuesit e tjerë në fund të manifestimit të sotëm kanë gjuajtur poqa elektrikë dhe qirinj në drejtim të objektit të Qeverisë së Kosovës, në shenjë pakënaqësie ndaj propozimit për shtrenjtim të rrymës. Në këtë protestë kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të PDK-së. Në mesin e protestuesve janë parë edhe deputeti i kësaj partie, Hisen Berisha, si dhe veprimtarja politike, Besa Ismaili
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë para protestuesve se s’do të ndalen, derisa të tërhiqet mbrapa propozimi për shtrenjtim të rrymës.