Një rrugë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, në Maqedoninë e Veriut është emërtuar me emrin e politologut Ukshin Hoti  

Në 23-vjetorin e rrëmbimit të tribunit popullor, dijetarit dhe politologut të madh, Ukshin Hoti, një rrugë me emrin e tij është emërtuar në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, në Maqedoninë e Veriut. Ky është një lajm jashtëzakonisht i mirë sepse emri i Ukshinit nga Krusha e Madhe po zë vendin meritor kudo në hapësirat shqiptare. Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi ka thënë se: Ukshin Hoti është figurë e përmasave kombëtare e më gjerë, jo vetëm për shkak të mendimeve të tij që ndriçojnë rrugën tonë drejt përparimit, por edhe sepse ai e donte me një pasion të veçantë kombin dhe popullin e tij të shtypur nga pushtuesit e egër. Ukshin Hoti është i të gjithë shqiptarëve, trashëgimia e tij vepruese dhe intelektuale, i përkushtohet plotësisht lirisë, barazisë dhe mirëqenies së kombit që ai i përket me krenari. Është në interes të historisë sonë kombëtare, që figurat e larta si e Ukshin Hotit, t’i institucionalizojmë sa më shumë, në mënyrë që emri dhe sakrifica e tyre mos të harrohet, por të mbrohet e të bëhet pjesë e përditshmërisë sonë. Si kryetar i Rahovecit, shpreh mirënjohjen time për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që dhanë kontribut për emërtimin e kësaj rruge, duke u nisur nga kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu, Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Drejtori i Arkiviit të Kosovës, bashkëvendësi im punëtor e i respektuar, Bedri Zyberaj, si dhe zyrtarë të tjerë shqiptarë në institucionet e Maqedonisë së Veriut. Duke nderuar figurën përndritëse të Ukshin Hotit, ju të dashur bashkëkombës, nderuat të gjithë kombin shqiptar. Faleminderit!

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Agim Aliu priti në takime ndaras disa nga kandidatët për deputet nga radhët e PDK-së

Kryetari i komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu në kuadër të aktiviteteve të rregullta ditore …