Sekretari organizativ i degës së Vetëvendosjes në Pejë, Arton Muhaxheri ka dhënë dorëheqje nga ky subjekt dhe në të njëjtën kohë ka aderuar në radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Në një sqarim të afishuar në rrjetet sociale, ai ka qartësuar disa nga arsyet që e kanë shtyrë të marrë një vendim të tillë. Sipas tij, pakënaqësia e krijuar me nivelin qendror të Vetëvendosjes kanë bërë që ai të jap dorëheqje. Muhaxheri ka thënë se “Vetëvendosje është bërë deponi e mbledhjeve të njerëzve që vijnë nga subjektet e tjera”. “Vetëvendosje është koncepti dhe vlera në të cilin kam besuar, por të cilën sot nuk po e njohë as vetë sepse ajo tashmë ka rrëshqitur në një dimension tjetër, përdorimi i tymit dhe gazit në Kuvendin e Kosovës në të parën here ka qenë simpatik për të shprehur revoltën kundër “Marrëveshjeve” por vazhdimi i veprimeve të tilla ka qenë shqetësues jo vetëm për mua si strukturë e Lëvizjes Vetëvendosje por për të gjithë qytetarët e vendit, madje më këto veprime pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare nuk ka qenë aspak e mirë për të mos thëne ka qenë shqetësuese”, thuhet në letrën e Muhaxherit. Më tej, ish-aktivisti i Vetëvendosjes ka thënë se përderisa kishte përkrahje nga qytetarët e Pejës, ai përballej me shantazhe dhe spekulime nga Vetëvendosje.
