Anëtarë të PSD-së në protestën e tyre kundër Gjykatës Speciale, hodhën mjete shpërthyese dhe tymuese ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët në numër të madh po e ruanin objektin ku po mbahej takimi i Trendafilovës me disa krijesa të OJQ-ve. Kjo nxiti reagimin e njësive më elite të policisë të cilët arrestuan kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj dhe pesë anëtarëve të tjerë të kësaj partie. Policia shpërndau pjesën tjetër të protestuesve përmes gazit lotsjellës dhe sprejt, ku nuk kursyen as gazetarët, me ç’rast disa prej tyre edhe u lënduan. Molliqaj tha se kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, është e padëshiruar në Kosovë, pasi e njëjta ka një qëllim politik që me paraqitë UÇK-në si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Molliqaj akuzoi kryeministrin Albin Kurti se po i gëzohet qëndrimit në Hagë të ish krerëve të UÇK-së. Ai tha se bash tash kur ish krerët e UÇK-së po qëndrojnë në Hagë, Kurti po i jep autonomi serbëve në Kosovë. Pas qetësimit të situatës, nënkryetari i PSD-së, Qëndron Kastrati kërkoi lirimin e Molliqajt dhe të arrestuarve të tjerë, derisa akuzoi policinë se është instrumentalizuar nga vendimet politike dhe se ka përdorur dhunë jo-proporcionale ndaj protestueseve. Ai po ashtu paralajmëroi se do të ndërmarrin edhe veprime të tjera në kundërshtim të Gjykatës Speciale.
