Shtohet forma e re e përgjegjësisë penale kundër Hashim Thaçit

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar në çështjen penale ndaj Hashim Thaçit dhe katër të akuzuarve të tjerë – Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi – duke shtuar një formë të re të përgjegjësisë penale ndaj Thaçit për “shtytje” në pengimin e administrimit të drejtësisë. Ndryshimet u reflektuan në pikat 1, 2 dhe 3 të aktakuzës, në përputhje me vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Vendimi i Apelit erdhi pasi pranoi pjesërisht ankesën e ZPS-së, duke konsideruar se Thaçi kishte shtyrë Fazliun, Smakajn dhe Kilajn për të penguar zyrtarët në kryerjen e detyrave të tyre, një vepër e dënueshme me burgim deri në pesë vjet. Kjo u bë e mundur përmes interpretimit të nenit 32(3) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, që sipas shumicës së Panelit të Apelit, është i aplikueshëm edhe për vepra me dënim deri në pesë vjet, në kundërshtim me qëndrimin e mëparshëm të gjyqtares së procedurës paraprake. Dosja pritet t’i kthehet gjyqtares së procedurës paraprake për shqyrtim të mëtejshëm mbi bazën e provave dhe elementeve të reja të paraqitura në këtë fazë të procesit.

Kontrolloni gjithashtu

Afati për presidentin po afrohet, institucionet ende pezull

Kosova po hyn në një fazë të ndjeshme institucionale, ndërsa 4 marsi afati i fundit …