Një objekt që dyshohet të jetë Kishë Ortodokse Serbe po pretendohet se ka filluar të ndërtohet ilegalisht në njërën nga kodrat e Graçanicës, vetëm pak kilometra larg Prishtinës. Lajmin e ka raportuar ekskluzivisht gazeta online Reporteri.net, e cila ka siguruar edhe pamje nga ajri të vendit ku ndodhet ndërtimi. Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se punimet janë ndërprerë që nga data 22 prill 2025, me urdhër të përkohshëm të lëshuar nga prokurori i shtetit. Ndaj ndërtimit është kërkuar edhe urdhër ndalues përfundimtar nga gjykata, ndërkohë që hetimet janë duke vazhduar. Rasti po trajtohet nga prokurori Arianit Salihu dhe përfshin dyshime për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar (neni 414) dhe ndërtimit pa leje (neni 359) sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas legjislacionit në fuqi, ndërtimi i objekteve fetare kërkon miratim të posaçëm nga MMPHI. Kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje për rastin, ndonëse është kontaktuar disa herë nga gazeta. Në vendin e ngjarjes është parë një person që u prezantua si sekretar i Kishës Ortodokse Serbe, me emrin Millosh, i cili nuk pranoi të deklarohej, duke i udhëzuar gazetarët të kontaktojnë Dioqezën e Rashkës dhe Prizrenit. Nga Komuna e Graçanicës, nënkryetari Leutrim Ajeti pranoi se ka dëgjuar për ndërtimin, por nuk është marrë personalisht me çështjen, duke e cilësuar si përgjegjësi të sektorit të urbanizmit.
