Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar pas një takimi me Zyrën e Rregullatorit për Energji se kërkesa për anulimin e rritjes së çmimit të rrymës për konsumatorët dhe bizneset nuk ka marrë mbështetje nga rregullatori. Bajrami theksoi se ZRrE-ja i ka bërë të qartë se vendimi për shtyrjen e rritjes së çmimit prej 16.1% mund të ndodhë vetëm nëse ndërhyn Qeveria e Kosovës përmes një subvencioni prej 50 milionë euro, për të mbuluar diferencën e çmimit. “ZRrE-ja argumentoi se pa këtë mbështetje financiare vendimi do të mbetet në fuqi. Ne theksuam se nuk ka kushte për zbatim të modelit të tregut të hapur, sepse nuk ka konkurrencë reale në treg,” u shpreh Bajrami. Ajo alarmoi për pasojat e drejtpërdrejta që do të ketë kjo rritje për mbi 1,300 biznese, të cilat, sipas saj, po përballen me oferta të KESCO-s që janë deri në 260% më të larta. Bajrami theksoi se një vendim i tillë do të rëndojë sektorin privat – si punëdhënësi më i madh në vend – dhe do të nxisë një valë të re inflacioni, që do të jetë e papërballueshme për qytetarët dhe bizneset, përfundoi ajo.
