Isuf Ismaili: Një ditë emocionuese - kënaqësi sportive dhe krenari shqiptare

Isuf Ismaili: Një ditë emocionuese – kënaqësi sportive dhe krenari shqiptare

Në Volketswill të kantonit Cyrih – Zvicër më, 18 maj 2025, në këtë ditë shumë të bukur e mbresëlënëse u mblodhën nxënësit shqiptarë të shkollave shqipe në Zvicër dhe zhvilluan lojëra futbolli, ku u bë një turne dhe disa aktivitete të tjera kulturore, ku fryma e përkushtimi atdhetar për shqiptarësinë tonë e për tërësinë e Shqipërisë u shfaq me gjithë shpirt, nga të vegjlit e shkollave shqipe, nga nxënësit e përkushtuar e të zellshëm, të cilët me flamuj shqiptarë e veshje ngjyrash kuq e zi, karakteristika këto që shfaqin tërë bukurinë e harmonisë e krenarisë sonë, i përfunduan me sukses të shkëlqyer aktivitetet kulturore e sportive.

Që në orët e hershme të mëngjesit profesor Vaxhidi, mësueset Qefser Sejdiu, Anita Duriçi, Minire Azemi, Teuta Myrtaj, Lumnije Klinaku, Nuraj Ilazi, Mersime Muja e disa mësimdhënës të tjerë kishin shkuar për t’i pritur nxënësit e prindërit e tyre.

Prof. Dr. Vaxhid Sejdiu për javë të tëra u mor me organizimin e këtij turneu, i cili jo vetëm si mësimdhënës, por edhe si organizator e veprimtar i shfaq me këmbëngulje e përkushtim të pashoq të gjitha vlerat e veprimtarive, siç qe edhe kjo sotmja. Ai me gjithë dashamirësinë e shkëlqyer edhe ndaj prindërve edhe ndaj kolegëve e strukturave organizative shoqërore i fton të gjithë për bashkëpunim e për organizimin e veprimtarive e aktiviteteve, sa arsimore, sportive po aq edhe kulturore, por barrën kryesore e merr dhe realizon vetë. Por, natyrisht edhe mësimdhënëset e cekura më sipër dhe disa mësues e veprimtarë të tjerë dhanë ndihmësen e tyre për mbarëvajtjen e aktiviteteve kulturore e sportive.   Megjithëkëtë, profesor Vaxhidi  interesohet edhe për detajet më të vogla, të cilat shumica e madhe e njerëzve as  që i vënë re.

Isuf Ismaili: Një ditë emocionuese - kënaqësi sportive dhe krenari shqiptare

 

Ai e ka takuar në Tiranë futbollistin më të mirë të kombëtares shqiptare Lorik Cana, i cili i kishte premtuar se në aktivitetet e lojërave të futbollit që do të bëhen prej nxënësve shqiptarë, do të vinte, ndaj sot ai u gjend pranë nxënësve e mësimdhënësve.

Fëmijët, prindërit, e të gjithë pjesëmarrësit shfaqnin gjithë admirimin e respektin për futbollistin e mirënjohur Lorik Cana, ata kërkonin të bënin fotografi dhe të merrnin autograf nga ai. Fëmijët gjithë entuziazëm, mblidheshin rreth tij dhe ai u kënaq shumë duke e shprehur mirënjohjen e thellë e dashurinë të madhe për fëmijët.

Natyrisht që edhe turneu përfundoi me lojërat të cilat i zhvilluan skuadrat e shumta të nxënësve, në një atmosferë tepër emocionuese dhe mbresëlënëse.

18 maj 2025

Kontrolloni gjithashtu

Poezi nga Xheni Krypi

Poezi nga Xheni Krypi

1. Më lër edhe pak Më lër të jetoj edhe pak, o rrugë e vdekjes, …