Në fushën e politikës, veçanërisht në demokracitë në zhvillim, lidershipi shpesh ngatërrohet me figurën e fortë, të vetëbesuar dhe të pakundërshtueshme. Kjo qasje ngjall shpesh një lloj iluzioni, ku lideri nuk shfaq më shenjat e dështimit, as nuk e ndan fajin me strukturën politike, por përkundrazi, e mbështjell çdo të jashtme, çdo kritikë, parregullësi apo dështim – brenda vetes, për ta kontrolluar apo për ta mohuar atë. Kjo sjellje nuk është thjesht strategjike, por shpesh është shenjë e një narative personale të ndërtuar mbi mitin e liderit të padështueshëm. Në ketë tekst analitik pikërisht do ndalem në këtë fenomen: kur lideri politik dëshiron të fshehë të jashtmen brenda vetes dhe si ky mekanizëm reflekton në qeverisjen dhe perceptimin e tij publik. Por fillimisht ta themi se çka është e jashtmja. E jashtmja në ketë kontekst do të thotë skandalet dhe ngjarjen që shihen dhe trajtohen në opiniomnin public dhe mediatic nga secili, por që tentohet të fshihen Brenda vet liderit.
Brendësimi i të jashtmes: Një qasje narcisiste apo strategji politike?
Kur lideri zgjedh të mos pranojë publikisht dështimet, por i “futet vetes” duke u shfaqur si mbrojtësi i së vërtetës së heshtur, ai shndërrohet në një figurë politike që ka frikë nga ekspozimi. Mbase tanimë bëhet fjalë për një çështje e cila edhe mund të konsiderohet si fenomen, sidomos për disa vende specifike. Kjo mënyrë e të vepruarit ka dy shtylla kryesore:
- Mbrojtja e mitit të pathyeshmërisë
Në këtë qasje, lideri dëshiron të ruajë një pamje të jashtme koherente dhe triumfaliste, edhe kur realiteti është ndryshe. Ai përdor gjuhën për të mbuluar realitetin dhe krijon narracione paralele, shpesh nëpërmjet diskurseve populiste apo patriotike. - Brendësimi i përgjegjësisë si formë kontrolli total
Në vend që të lejojë që kritika të artikulohet nga jashtë, lideri e përthith çdo kritikë brenda vetes, dhe kështu e shndërron krizën në një akt individual – në një formë të kontrollit total mbi narrativën politike të atyre kunder nesh.
Ky model është i rrezikshëm për demokracinë, sepse shkatërron pluralizmin e mendimit dhe vështirëson ndarjen midis vetes dhe funksionit të përkohshëm të pushtetit. Lideri bëhet simbol i shtetit, dhe çdo kritikë ndaj qeverisjes kuptohet si sulm ndaj tij personalisht. Për më tutje, ndahet në ne për shtetin dhe ata kundër shtetit dhe kundër nesh.
Rasti i Albin Kurtit: Ndërmjet refuzimit të jashtmes dhe krijimit të një miti personal
Qasja e Albin Kurtit në lidership është e ndërtuar mbi një filozofi të konfrontimit me sistemin dhe të vetëparaqitjes si alternativë radikale ndaj së vjetrës. Megjithatë, që nga ardhja në pushtet në vitin 2021, kjo figurë politike ka kaluar nga një simbol rezistence në një lider institucional, duke marrë mbi vete barrën e gjithë strukturës shtetërore. Në këtë rrugëtim, ai ka demonstruar një prirje të qartë për të brendësuar dështimet e qeverisjes dhe për të ndërtuar rreth vetes një mur mbrojtës që pengon dialogun e sinqertë me jashtësinë politike – qoftë kjo opozitë, media apo qytetarë. Dorën në zemër në mexhmin e institucioneve ai dhe partia e tij kanë dëshmuar katërcipërisht se nuk dinë të menaxhojnë dhe se dijen më të madhe e kanë në keqperdorinin e pushtetit dhe parasë publike.
Dështimet në politikën e jashtme dhe retorika e brendshme
- Dialogu Kosovë-Serbi: Konfrontim pa strategji afatgjatë
Albin Kurti ka pasur një qasje të tensionuar ndaj procesit të dialogut me Serbinë. Nga refuzimi i Asociacionit deri te përplasjet me BE-në dhe SHBA-në, Kurti ka projektuar një narrativë që e shfaq atë si mbrojtës të sovranitetit absolut, duke shmangur nuancat diplomatike dhe kërkesat pragmatike të realitetit ndërkombëtar. Megjithëse në planin moral kjo qasje mund të gjejë mbështetje në opinionin publik, në planin praktik ka sjellë izolim të Kosovës dhe humbje të mbështetjes ndërkombëtare.
Përplasjet me emisarin e BE-së, moszbatimi i marrëveshjeve të dakorduara dhe qasja e njëanshme në veri të Kosovës kanë rezultuar me masa ndëshkuese ndaj vendit dhe një ftohje evidente me aleatët perëndimorë. Ky dështim është përthithur nga Kurti si “luftë për të drejtën” dhe është fshehur brenda një retorike nacionaliste, ku lideri paraqitet si i vetmi që mbron interesat e vërteta të vendit.
- Raportet me SHBA dhe mungesa e elasticitetit politik
Refuzimi i këshillave strategjike nga SHBA dhe vendosja e Kosovës në një pozitë të vështirë në raport me aleatin historik tregon për një qasje të brendësuar ndaj së jashtmes: çdo kritikë ndërkombëtare shihet si presion që duhet përballuar, jo si mundësi për përmirësim. Kjo e bën qeverisjen e Kurtit hermetike dhe jo fleksibile. Të mire në dukje, por të keqe në realitet.
Politika ekonomike dhe dështimet e përditshmërisë
- Inflacioni dhe menaxhimi i krizës ekonomike
Gjatë mandatit të tij, Kosova është përballur me rritje të çmimeve, krizë të furnizimeve dhe përkeqësim të fuqisë blerëse të qytetarëve. Reagimi institucional ka qenë i ngadaltë, me masa të pjesshme sociale që nuk kanë qenë të mjaftueshme për të përballuar sfidën e inflacionit. Megjithatë, qeveria nuk e ka pranuar këtë si dështim, por e ka mbuluar me diskursin për “përgjegjësitë globale” dhe me slogane për “qeverisje të pastër”.
Në vend të analizës së pasojave konkrete mbi jetën e përditshme, lideri ka zgjedhur të heshtë për problemet reale dhe të projektojë sukses përmes një lente ideologjike: “jemi më mirë se ata që ishin para nesh”.
- Infrastruktura, energjia dhe papunësia
Asnjë reformë madhore në sektorët e rëndësishëm nuk është ndier realisht nga qytetarët. Investimet strategjike mungojnë, ndërsa tranzicionet e gjata burokratike kanë bllokuar progresin. Sërish, ky dështim nuk është artikuluar si mungesë planifikimi, por është përthithur nga lideri si pjesë e një “transformimi afatgjatë” – që për momentin, mbetet i padukshëm.
Politika e brendshme: Dualizmi midis moralit dhe realitetit
- Pastrimi i administratës si ideal, jo si realitet
Kurti ka premtuar një administratë profesionale dhe të depolitizuar. Në praktikë, emërimet politike nuk kanë pushuar, ndërsa shumë poste kyçe janë mbushur me njerëz lojalë ndaj partisë. Kjo dëshmon për një mosndarje të qartë ndërmjet idealit moral dhe realitetit institucional. Dështimi i reformës nuk trajtohet si gabim, por si proces në rrugëtim – një tjetër mënyrë për të fshehur të jashtmen brenda vetes. - Mungesa e dialogut me opozitën dhe shoqërinë civile
Në vend që të nxisë një frymë bashkëpunuese dhe demokratike, qeveria Kurti ka mbyllur veten në një qark të brendshëm vendimmarrës. Kjo sjellje përjashtuese është formë tjetër e përthithjes së jashtmes – duke e reduktuar vendimmarrjen në një akt të njëanshëm, e jo si proces gjithëpërfshirës.
Kur lideri bëhet pasqyrë e vetvetes, jo e shoqërisë
Lideri që fsheh të jashtmen brenda vetes nuk është më shërbyes i qytetarëve, por pasqyrë e egos së vet. Kjo qasje e bën atë më shumë figurë mitike sesa funksionale, dhe më shumë simbol sesa instrument ndryshimi. Në këtë rast, Albin Kurti ka ndërtuar një narrativë personale që përpiqet të mbajë gjallë shpresën e përhershme, duke i shndërruar dështimet në beteja morale dhe çdo kritikë në komplot politik. Por për një demokraci që kërkon maturi institucionale, kjo qasje është e pamjaftueshme. Në thelb, lideri i mirë nuk është ai që s’i dështojnë politikat, por ai që pranon dështimet dhe mëson prej tyre. Brendësimi i dështimeve nuk është forcë – është frikë nga transparenca. Dhe lidershipi i vërtetë nuk frikësohet nga pasqyrimi i realitetit, por e përdor atë për të ndërtuar më mirë.
Nëse Albin Kurti dëshiron të jetë lider afatgjatë dhe jo figurë kalimtare, ai duhet të kuptojë se nuk mjafton të jetë simbol. Duhet të jetë zë, reflektim dhe përgjegjësi. Sepse në politikë, nuk fiton ai që fsheh më mirë, por ai që përballon më mirë të vërtetën.