Heronjtë kanë vetëm Ditëlindje” – Me akademi përkujtimore u shënua 70-71-vjetori i lindjes së Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit

Në një atmosferë të mbushur me emocione, krenari dhe respekt të thellë për jetën sublime të heronjve të kombit, në Prishtinë u mbajt akademi përkujtimore me rastin e 71-vjetorit të lindjes së heroit Fehmi Lladrovci dhe 70-vjetorit të heroinës Xhevë Lladrovci.

Akademia, e organizuar nën patronatin e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, mblodhi bashkë familjarë, bashkëluftëtarë, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë të shumtë, të cilët me nderim përkujtuan jetën dhe veprën e çiftit legjendar të lirisë.

Në fjalën e tij, kryetari i Prishtinës Përparim Rama foli me ndjenjë për rrugëtimin patriotik të Fehmiut dhe Xhevës, duke i cilësuar ata si simbol të dashurisë për atdheun dhe të sakrificës së përjetshme për lirinë e Kosovës. Ai tha se historia e tyre nuk është vetëm histori e një familjeje, por histori e vetë qëndresës shqiptare.

“Në emër të prishtinasve, me respekt të thellë për Drenicën, përulemi sot para Fehmiut dhe Xhevës, para dy zemrave që rrahën njësoj për lirinë e Kosovës”, u shpreh Rama.

Me emocion të veçantë foli edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili rikujtoi ditët e vështira të luftës dhe njohjen e tij të parë me Fehmi Lladrovcin. Ai tha se ardhja e Fehmiut në Kosovë, pas rënies së Zahir Pajazitit, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahut, kishte rikthyer shpresën dhe besimin se Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të forcohej edhe më shumë.

“Fehmiu dhe Xheva ishin njerëz që nuk e njihnin kompromisin kur ishte fjala për lirinë. Ata jetuan bashkë, luftuan bashkë dhe ranë bashkë për Kosovën. Lajmi për rënien e tyre na tronditi, por nuk na befasoi, sepse ata ishin lindur për heroizëm. Heronjtë kanë vetëm lindje”, tha Haradinaj.

Në emër të familjeve të dëshmorëve, Bekim Jashari tha se Fehmiu dhe Xheva mbeten frymëzim i përhershëm për brezat që vijnë, duke shtuar se kujtimi për ta jeton në çdo familje shqiptare që e ndjeu peshën e luftës për liri.

Ndërsa, në emër të familjes Lladrovci, foli kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili falënderoi organizatorët për nderimin e bërë ndaj figurës së Fehmiut dhe Xhevës. Me emocione të dukshme, ai kujtoi vuajtjet, sakrificat dhe përkushtimin e familjes ndër vite, duke përmendur edhe kontributin e grave të familjes që, qysh nga vitet ’70, kishin hapur dyert për veprimtarët e çështjes kombëtare.

Ai rrëfeu edhe momente të rënda nga koha e luftës, duke përmendur hyrjen ilegale në Kosovë në vitin 1992, si dhe dhimbjen për rënien e dëshmorit Luan Haradinaj. Ramiz Lladrovci kujtoi gjithashtu se Fehmiu kishte mbetur i vrarë shpirtërisht që nuk kishte qenë pjesë e betejës heroike triditore të familjes Jashari në Prekaz.

Akademia u përmbyll mes emocionesh të forta me një interpretim koral , duke i dhënë ngjarjes një dimension të veçantë artistik e kombëtar, në nderim të jetës dhe veprës së pavdekshme të Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit.

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: NUK DUHET TË PRITET SI STRUÇI (Makushi) ME SQEP NË RËRË

Letër e hapur!  Çka na sjell 16 shtatori i këtij viti?! Si do të veprojnë …