Adnan Adem Berisha (15.2.1971 – 29.5.1998)

Adnan Adem Berisha (15.2.1971 – 29.5.1998)

Dëshmori i kombit Adnan Berisha, u lind më 15 shkurt të vitit 1971, në një familje me tradita atdhetare, në fshatin Pozhar të komunës së Deçanit. Mixha i dëshmorit, Hysen Berisha, ishte luftëtar i lirisë që kishte luftuar gjatë Luftës së Dytë Botërore në formacionet atdhetare të Demë Ali Pozharit, në luftë për mbrojtjen e trojeve të rrezikuara shqiptare nga sulmet çetniko-partizane në Plavë e Guci, Pazar të Ri e më gjerë. Përndjekjet ndaj kësaj familjeje kishin vazhduar me theks të veçantë pas instalimit të pushtetit jugosllavo-titist në Kosovë. Gjatë të ashtuquajturit Aksion për Mbledhjen e Armëve, i zbatuar gjatë dimrit të egër të vitit 1955/1956 kundër popullit shqiptar, nga Aleksandër Rankoviqi me kompaninë e tij vrastare, edhe familja e Adnanit ishte në shënjestër të regjimit jugosllav, e cila u bastis e persekutuaimit me pretekst të kërkimit të armëve.
Përkundër shtypjes së egër, vrasjeve e burgosjeve që ushtroi regjimi okupues serb, megjithatë te populli shqiptar nuk arriti ta shuajë ndjenjën e gatishmërisë për t’u ngritur në luftë për liri. Kjo u dëshmua edhe në luftën çlirimtare, ku si gjithherë rinia shqiptare, nën emblemën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u bë bartëse e proceseve liribërëse.
Prindërit e dëshmorit, Adem e Ajne Berisha, i lindën dhe i rritën shtatë fëmijë, katër djem e tri vajza. Adnani ishte më i madhi prej fëmijëve. Shkollën fillore e kreu në Lumbardh dhe në Irzniq, ndërkaq të mesmen në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Studimet universitare i vazhdoi në Fakultetin Elektroteknik në Universitetin e Prishtinës, mirëpo pas përfundimit të vitit të dytë të studimeve, për shkak të kushteve të vështira ekonomike, u detyrua t’i ndërpresë studimet dhe të punësohet si automekanik për të siguruar ekzistencën e familjes.
Adnani mori pjesë në protestat dhe demonstratat e organizuara kundër okupimit serb, gjatë viteve 1989-1991, por edhe në demonstratat e vitit 1997. Radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu bashkua në pranverën e vitit 1998, menjëherë pas shpërthimit të luftës frontale në rajonin e Dukagjinit, përkatësisht Betejës së 24 Marsit në Gllogjan. Si pjesëtar i rregullt i UÇK-së u angazhua më 15 prill, në kuadër të Shtabit Lokal në fshatin Pozhar. Gjatë organizimit të stërvitjeve ushtarake me të rinjtë e fshatit Pozhar, të cilët i stërvitnin eprorë të shquar të UÇK-së nga Shtabi Rajonal i UÇK-së në Gllogjan, Adnani dëshmoi zotësi e zhdërvjelltësi, prandaj u emërua zëvendësepror i stërvitjeve në Pozhar. Mori pjesë në vijat e para të frontit në Llukë të Epërme, në Carrabreg e Dashinoc.
29 maji i vitit 1998, ishte dita e lavdisë së dëshmorit Adnan Berisha, i cili ra në krye të detyrës, derisa gjendej në pikën e vëzhgimit, te Ura e Pozharit. U varros të njëjtën ditë me nderime ushtarake në varrezat e fshatit Pozhar.
Adnan Berisha është dëshmori i parë nga fshati Pozhar që ra në luftë për liri. Nga ky fshat, në luftë për liri ranë edhe Kadri e Shkëlzen Berisha, pinjojë të familjes së gjerë të Demë Ali Pozharit. Pikërisht ky fshat, veçanërisht që nga fundmarsi i vitit 1999 deri në përfundim të luftës, u bë arenë e luftimeve të rrepta ndërmjet njësiteve të UÇK-së dhe forcave pushtuese serbe, të cilat pësuan humbje të vazhdueshme në betejat e njëpasnjëshme. Këtu luftuan luftëtarët e UÇK-së nën komandën e komandantit zulmëmadh Shkëlzen Haradinaj, Komandant për Operacione Luftarake i Zonës Operative të Dukagjinit, këtu ranë dëshmorë eprorët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, Elez Gecaj e Maxhun Berisha.
Dëshmori Adnan Berisha ishte martuar një muaj para rënies. Familja e tij është nderuar me mirënjohje të shumta për sakrificën e bërë, nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës – Ministria e Mbrojtjes, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, komuna e Deçanit, Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së etj. Është përjetësuar me shkrime në librin “Heronjtë e Dukagjinit”, në librin e dëshmorëve të Universitetit të Prishtinës – “Në kërkim të dijes dhe të lirisë”, etj. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Një plejadë djelmoshash të zgjedhur mal e vërri, që patën braktisur Kosovën si të ndjekur, …