Kryetari i komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti ka uruar 2 Korrikun – Dita e Deklaratës Kushtetuese të vitit 1990. Në urimin e kryetarit Haliti thuhet:
Të dashur qytetarë të Komunës së Vitisë
Në emër të institucioneve komunale dhe në emrin tim personal, ju shpreh urimet më të sinqerta me rastin e 2 Korrikut, Ditës së Deklaratës Kushtetuese të vitit 1990, që shënon një ndër ngjarjet më të rëndësishme në rrugën e shtetformimit dhe lirisë së Kosovës.
Sot, kur shënojmë 35 vjetorin e kësaj date historike, kujtojmë me respekt e mirënjohje të thellë guximin, vendosmërinë dhe vizionin e atyre burrave dhe grave që më 2 Korrik të vitit 1990, në rrethana të vështira dhe nën presion të madh politik, morën vendimin historik për të shpallur Deklaratën Kushtetuese, duke i hapur rrugë krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës.
Kjo datë është simbol i aspiratës së popullit tonë për liri, barazi dhe vetëvendosje. Është dëshmi e pjekurisë politike dhe e qëndresës së popullit tonë, që kurrë nuk u përkul përballë padrejtësive dhe pengesave.
Në këtë përvjetor jubilar, uroj që fryma e unitetit dhe bashkëpunimit që na udhëhoqi atëherë, të na udhëheqë edhe sot, në ndërtimin e një Kosove demokratike, të zhvilluar dhe evropiane, ku çdo qytetar ndjehet i barabartë dhe kontribuon për të ardhmen më të mirë të vendit tonë.
Gëzuar 2 Korrikun – Ditën e Deklaratës Kushtetuese!
Me respekt,
Sokol Haliti
Kryetar i Komunës së Vitisë