Reagon OVL e UÇK-së: Deklarata e Kurtit për Thaçin e Veselin, dëshmi e frikës nga drejtësia dhe një sulm i papërgjegjshëm ndaj vlerave të luftës

Deklarata e Albin Kurtit për Thaçin e Veselin, dëshmi e frikës nga drejtësia dhe një sulm i papërgjegjshëm ndaj vlerave të luftës.
Ne, OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së, dënojmë me ashpërsi deklaratën e fundit të ish Kryeministrit Albin Kurti, i cili pretendon se ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, po japin “instruksione politike nga burgu në Hagë”.
Ky deklarim publik është jashtëzakonisht i papërgjegjshëm dhe politikisht i rrezikshëm, veçanërisht në një kohë kur ndaj Thaçit dhe të tjerëve është ngritur një aktakuzë e re, që përfshin pretendime për frikësim, pengim dhe hakmarrje ndaj dëshmitarëve, nëpërmjet komunikimeve të mundshme nga institucioni i paraburgimit.
Dhe tani, vetë ish Kryeministri i Kosovës mbështet publikisht një narrativë që mund të përdoret drejtpërdrejt në dëm të tyre, duke i dhënë jehonë të panevojshme një çështjeje që është tashmë nën vlerësim gjyqësor ndërkombëtar.
Z. Kurti, kur s’mund të ndihmosh, të paktën mos i dëmto!
Gjatë këtyre pesë viteve paraburgim të zgjatur, asnjëherë nuk ke bërë një vizitë, as një fjalë nuk ke thënë për keqtrajtimet e tyre, ndonëse e gjithë Kosova dhe personalitete të shumta ndërkombëtare kanë reaguar për padrejtësitë që po u bëhen.
Në vend që të kryesh detyrën tënde si Kryeministër për të mbrojtur qytetarët e vendit, ti zgjedh t’i godasësh ata në momentin më të ndjeshëm të betejës së tyre për drejtësi.
Kjo frikë që ke ndaj ish krerëve të UÇK-së, se mund të kthehen të pafajshëm dhe me dinjitet në vend, nuk është vetëm e jotja, por është frika që ndajnë edhe armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve dhe të së vërtetës historike të luftës sonë çlirimtare.
Ne, OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së, do të qëndrojmë në mbrojtje të luftës së drejtë të popullit tonë, të vlerave të saj, dhe të secilit që dha gjithçka për lirinë dhe shtetin e Kosovës.
Nuk do të heshtim përballë gjuhës që përçmon dhe rrezikon të vërtetën tonë historike.

Kontrolloni gjithashtu

Përplasje në seancën e Kuvendit: Deputetja Salihu akuzon për shkelje të Kushtetutës, Dehari ia ndal mikrofonin

Seanca e Kuvendit është shoqëruar sot me tensione, pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, …