Partia Demokratike e Kosovës, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për të refuzuar kërkesën për vendosjen e masës së sigurisë ndaj Njoftimit Publik të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike. Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, e cilësoi këtë vendim si një gabim të madh juridik dhe ekonomik që, sipas tij, po favorizon paligjshmëri dhe po dëmton rëndë ekonominë e vendit. “ZRRE ka bërë shkelje flagrante të legjislacionit dhe po e detyron sektorin privat të dalë në tregun e lirë në mënyrë të dhunshme dhe jashtëligjore. Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mjetet ligjore dhe demokratike për të mbrojtur interesat e bizneseve dhe qytetarëve”, u shpreh Shala. PDK, së bashku me OEK dhe SHPK, ka qenë ndër parashtruesit e kërkesës për pezullimin e vendimit të ZRRE-së, por Gjykata Themelore refuzoi kërkesën, duke arsyetuar se legjislacioni nuk parasheh mbrojtje ligjore për padi kolektive.
