Deklaratat e fundit të përfaqësuesve qeveritarë se “nuk mjafton një vit për ndryshimet kushtetuese” janë dëshmi e mungesës së vullnetit politik dhe e dështimit të kësaj qeverie për ta çuar vendin drejt integrimit europian dhe për të respektuar vetë Marrëveshjen e Ohrit. Prej ditës së parë të mandatit, përveç bllokimit të perspektivës evropiane, kjo qeveri dhe partnerët e saj kanë sulmuar themelet e barazisë dhe të Marrëveshjes së Ohrit: • kanë shfuqizuar balancuesin, duke cenuar përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera; • kanë zhvlerësuar Marrëveshjen e Ohrit duke ia dorëzuar implementimin figurave me bindje antishqiptare dhe antiperëndimore, si Ivan Stoillkoviç; • kanë fshirë diasporën nga përfaqësimi politik dhe kanë zvogëluar shqiptarët në përllogaritjet zyrtare; • nuk respektojnë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe kanë zhvlerësuar Inspektoratin e gjuhëve dhe Agjencinë e gjuhëve. Sot, përveç dështimit me ndryshimet kushtetuese, kjo qeveri hap fronte të reja kundër mekanizmave të barazisë si shumica e Badenterit, një nga shtyllat më të forta kushtetuese që garanton stabilitetin ndëretnik, barazinë reale në vend dhe mbron nga majorizimi. Çdo tentativë për ta relativizuar ose rishikuar Badenterin është tentativë për ta kthyer shtetin pas në përjashtim dhe diskriminim. Jemi dëshmitarë se gjithnjë e më shumë po zënë vend ide të rrezikshme, që përfaqësojnë ata që besojnë se shtetet multietnike nuk funksionojnë dhe se duhet ndërtuar shtete etnike. Kjo qasje manifestohet në dy drejtime: përmes goditjeve të Marrëveshjes së Ohrit, që rrënojnë barazinë e brendshme, dhe përmes bllokimit të rrugës europiane, që e izolon vendin dhe e kthen mbrapa. Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet forca politike që ka mbrojtur dhe do të mbrojë Marrëveshjen e Ohrit, kursin euroatlantik të vendit dhe dinjitetin e qytetarëve. Shqiptarët nuk do të lejojnë kthimin e shtetit në padrejtësi dhe përjashtim. Tetori është afër dhe populli do të flasë fuqishëm. Ora e përgjegjësisë politike dhe juridike po afron. Marrëveshja e Ohrit nuk cenohet, barazia nuk negociohet.

“Vera e Ohrit” pa kulturë shqiptare, një tjetër dëshmi e përjashtimit sistematik

Këtë vit, manifestimi shtetëror “Vera e Ohrit”, i financuar nga institucionet publike të vendit, po zhvillohet pa asnjë përfaqësim të kulturës shqiptare në programin zyrtar. Në një shtet ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të popullsisë dhe të jetës kulturore, përjashtimi i plotë i çdo elementi shqiptar nga një festival kombëtar është i papranueshëm dhe shqetësues.
Programi zyrtar i “Verës së Ohrit” përfshin koncerte, shfaqje teatrore dhe mbrëmje të veçanta kushtuar kulturave evropiane, por asnjë ngjarje muzikore, teatrale apo ekspozitë nuk përfaqëson trashëgiminë e pasur kulturore shqiptare. Kjo heshtje kulturore është në vetvete një mesazh përjashtues dhe dëshmi se qasja ndaj kulturës shqiptare në institucionet shtetërore nuk është përfaqësuese, por margjinalizuese.
Ironikisht, festivali u hap në prani të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, por as kjo nuk mjaftoi që organizatorët të reflektojnë mbi përfshirjen e gjuhës dhe kulturës shqipe në program. Jo vetëm që nuk ka asnjë përfaqësim të artistëve shqiptarë, por mungon plotësisht çdo pikë që do pasqyronte identitetin, traditën apo krijimtarinë bashkëkohore shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Kultura shqiptare është dhe duhet të jetë pjesë e natyrshme e çdo ngjarjeje kulturore të nivelit kombëtar. Mungesa e saj në një manifestim të tillë nuk është çështje organizative, por tregues i një politike përjashtuese që po zë rrënjë në sistemin institucional të kulturës.
Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin e thellë për këtë qasje përjashtuese dhe u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të japin shpjegime për këtë anashkalim të plotë. Qeveria, Ministria e Kulturës dhe drejtuesit e festivalit duhet të mbajnë përgjegjësi për mungesën e përfaqësimit të një prej komuniteteve kryesore të këtij vendi, jo vetëm në gjuhë, por në shpirt, në art dhe në identitet.
BDI do të vazhdojë të mbrojë diversitetin kukturor dhe, në kuadër të saj, përfaqësimin e denjë të kulturës shqiptare në të gjitha nivelet institucionale, me bindjen se kultura nuk është përjashtuese, por shtyllë e bashkëjetesës dhe zhvillimit shoqëror.

Kontrolloni gjithashtu

Time Kadrijaj:  Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha po vepron në kundërshtim me Kushtetutën e vendit

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka deklaruar se kryetari i Kuvendit, …