Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar se është duke zhvilluar diskutime me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje që do të zhbllokonte procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, i cili ka dështuar për herën e 47-të. Deputetja e LVV-së, Liza Gashi, tha se partia e saj është e hapur për një marrëveshje politike me Nismën, por njëkohësisht theksoi se nuk do të heqin dorë nga kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit. “Jemi duke diskutuar për të proceduar tutje me Nismën. Albulena Haxhiu është kandidate nga partia jonë dhe në këtë rast do të vazhdojmë të mbështesim zgjedhjen e një gruaje adekuate,” deklaroi Gashi. Ajo shtoi se takimet ndërmjet LVV-së dhe Nismës janë në vijim e sipër dhe se ekziston gatishmëri për dialog politik më të gjerë. “Ne kemi mbajtur mbledhje me Nismën dhe do të vazhdojmë të mbajmë takime të tjera. Gjatë këtyre takimeve kemi pasur disa diskutime dhe do të vazhdojmë të jemi të hapur për debat. Po ashtu, i kemi bërë ftesë opozitës për një bashkëpunim më të gjerë sa i përket konstituimit,” shtoi ajo.
