Shukri Buja, kandidat i PDK-së, për kryetar të Komunës së Lipjanit, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila në rigjykim e shpalli atë dhe nëntë të tjerë fajtorë për rastin “Veteranët”, duke i dënuar me nga një vit burgim. Ai ka cilësuar vendimin si të pabazë dhe të motivuar politikisht, duke thënë se qëllimi është pengimi i tij në garën për pushtetin lokal në Lipjan. “Tentimi për të më ndalur në rrugëtimin tim politik, përmes një vendimi të pabazë, qesharak dhe politik, është i dështuar që në nisje,” u shpreh Buja. “Asgjë dhe askush nuk do ta ndalë përpjekjen time për të ndryshuar drejtimin e gabuar që ka marrë Lipjani.” “Edhe kur drejtësia merr vendime të padrejta e të motivuara politikisht, unë nuk i mohoj, por i sfidoj me dinjitet dhe në rrugë ligjore,” tha Buja, duke konfirmuar se do ta vazhdojë garën politike, pasi vendimi nuk është i formës së prerë dhe nuk e pengon ligjërisht kandidimin e tij. “Unë kam sakrifikuar rininë në burgjet serbe, kam luftuar për çlirim, kam ndihmuar në ndërtimin e institucioneve dhe kam shërbyer me përkushtim në komunën tonë. Kjo e fundit? Një betejë e vogël, qesharake dhe e motivuar politikisht – që do të përfundojë atje ku u takojnë vendimeve të padrejta: në shportën e mbeturinave historike,” përfundoi ai.
