Rexhep Qosja: Pushteti i korruptuar (protagonistët dhe viktimat), botimet Toena, Tiranë, 2016
Akdemik Rexhep Qosja është i njohur pos tjerash edhe në fushën e kritikës së dukurive devijante në shoqëri. Madje i pa kompromis, duke i emëruar gjërat ashtu siç janë, e shpeshherë duke përmendur edhe emrat e protagonistëve të këtyre dukurive.
Në librin me titull “Pushteti i korruptuar” brenda njëzet shkrimeve, Rexhep Qosja shkruan për dukuritë e ndryshme devijante, në fusha të ndryshme të shoqërisë, të cilat mund të lexohen qoftë si të veçanta, e veçmas si tërësi.
Në këtë libër gjenden shkrimet si: Shpresat dhe zhgënjimet; Partitë dhe prijësit e tyre të gjithmonëshëm; Edhe viktimat e rreme duan të pushtetojnë; Zgjedhjet me shpërdorimet e pazgjedhura; Demokracia totalitare; Elitë intelektuale dhe politike apo elitë koloniale; Sa shpejtë e sa lehtë e ndërrojnë lëkurën; Privatizimet dhe uzurpimet; Korrupsioni i gjithkundshëm; Nepotizmi – e keqja e heshtur; Arsimi – sasia pa cilësi; Kultura e shpërfillur dhe shpërfillësit e saj; Shëndetësia pa shëndet; Politika e provincializimit; Politika e jashtme e puthadorëve të brendshëm; Kiçi mjet pushtetor i kiç njerëzve politik; Fjalimi i arrivistit; Çorodia gjuhësore e pushtetarëve; Dhuna ndaj medieve dhe mediet e dhunshme, dhe, Ne jemi fajtorë pse i durojmë.
Rexhep Qosja, në secilin nga këto shkrime, në mënyrë analitike paraqet të metat e shumta në temat që trajton, ku secili shkrim është temë në vete, ku secilës temë autori i bën radiografinë sociologjike dhe jo vetëm.
Këto të meta në secilën fushë që e trajton, kanë ekzistuar edhe para se të shkruaj autori për këto tema, dhe mjerisht ekzistojnë edhe sot e kësaj dite, që padyshim janë shqetësuese për proceset dhe pengesa për sukseset. Kështu me ndonjë përjashtim të rrallë të ndonjë personazhi apo emri të ndonjë institucioni apo subjekti politik, gjërat, ku më shumë e ku më pak, janë të pranishme edhe sot, si në Kosovë, po ashtu edhe në Shqipëri.
Ndonëse temat në dukje të parë të lënë përshtypje sikur janë të njohura për disa lexues, analiza shterruese që i bën autori secilës temë, e bën të domosdoshëm leximin nga të gjitha shtresat e lexuesve. Disa nga formulimet e akademik Rexhep Qosjes për këto tema, janë të karakretit aksiomatik, të cilat si fenomene, për kah thellësia e mendimit janë të pranueshme edhe në shoqëritë tjera ku janë të pranishme në çfarëdo forme këto të meta.
Libri ndonëse i botuar në vitin 2016, me përmbajtjen e të gjitha temave që parashtron, nuk e ka humbur vlerën e aktualitetit as në kohën e sotme, e mjerisht si duket as në të ardhmen e afërme.
Prandaj ia vlenë të lexohet, si për shkak të temës që trajton, për shkak të faktografisë që ofron dhe mënyrës së shtjellimit të fakteve që ofron.
Autori sigurisht që nuk i gëzohet asnjërës nga të metat që janë të pranishme në shoqërinë shqiptare, prandaj edhe me mëllef, shpeshherë përdor tone fshikulluese e kamxhikosëse, me qëllim që kjo shoqëri të zgjohet nga letargjia dhe të shërohet nga këto sëmundje të shoqërisë shqiptare.
Fundja autori nuk e shkruan librin për të bërë kritik ndaj të metave për hirë të kritikës, por përmes kritikave ai jep mesazhe, që këto dukuri devijante, të çrrënjosen njëherë e përgjithëmonë nga mendësia e individit, apo mendësia e institucionit cilido qoftë ai.