Kuvendi dështoi sërish të konstituohet, aktivizohet masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese

Edhe përpjekja e fundit e deputetëve të legjislaturës së nëntë për ta konstituar Kuvendin e Kosovës ka dështuar, duke e zgjatur krizën institucionale. Seanca e 54-t konstituive, e mbajtur tetë orë pas asaj paraprake, përfundoi pa kuorum, pasi partitë opozitare nuk propozuan kandidatë për formimin e komisionit për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit.

Afati 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve ka përfunduar, duke e pamundësuar çdo veprim të mëtejmë për konstituimin e Kuvendit. Në vendimin e saj të 24 korrikut, Gjykata ka vendosur një masë të përkohshme ex officio, e cila do të jetë në fuqi nga 27 korriku deri më 8 gusht. Kjo masë ndalon çdo vendim apo veprim të deputetëve të zgjedhur që lidhet me konstituimin e Kuvendit, për të shmangur “dëme të pariparueshme për rendin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës”.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, konfirmoi një takim me presidenten Vjosa Osmani, por theksoi se nuk është arritur asnjë marrëveshje. Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se u duhen vota, “por jo me çdo kusht”.

Pas seancës, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se Kosova ka mbetur pa institucione funksionale dhe se “qeveria e papërgjegjshme i ka mbyllur gojën jo vetëm institucioneve, por edhe aleatëve ndërkombëtarë”.

Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, deputetët nuk mund të ndërmarrin asnjë hap deri në afatin e përcaktuar, duke lënë pezull konstituimin e Kuvendit dhe nisjen e punës së institucioneve.

Kontrolloni gjithashtu

Zahrije Podrimqaku, mes lotësh para mediave rrëfen torturat nga gardiania Nadica Cvetkoviq

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca fillestare ndaj të akuzuarës Nadica Cvetkoviq, e …