Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka thënë se tani është koha për reflektim të thellë në politikën kosovare.
Permes një postimi në Facebook, Pacolli thotë se po jetojmë në një kohë kur politika në Kosovë është kthyer në një luftë të brendshme për pushtet, sesa si përpjekje për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët.
“Kemi humbur drejtimin strategjik, ndërsa partitë politike – në pushtet dhe në opozitë – po sillen si në fushatë të përhershme. Dialogu me Serbinë ka stagnuar, integrimi evropian është larg, dhe qytetarët po lodhen nga premtimet e pambajtura”, shkruan tutje Pacolli.
Tutje, ish-presidenti i Kosovës, thotë se institucionet tona kanë nevojë për llogaridhënie, për më shumë transparencë, pa arrogancë politike.
“Te gjyqësori ka pretendime ndërhyrjeje, ai nuk funksionon lirshëm, korrupsioni është shumë i pranishëm nëpër institucione, e të rinjtë po largohen nga vendi sepse nuk shohin shpresë. Kosova nuk e meriton këtë ngecje. Ajo meriton politikë që i shërben qytetarit, jo vetes. Meriton unitet kur është fjala për interesa madhore kombëtare. Nuk ka kohë për ego personale apo për gjuhë përçarëse. Sot, më shumë se kurrë, na duhet një veprim politike i dikujt që dëgjon, reflekton dhe vepron me përgjegjësi. Sepse vetëm atëherë mund të flasim për të ardhmen”!, ka përfunduar shkrimin Behxhet Pacolli.