E ngarkuara me punë e SHBA-së Anu Prattipati kërkon mosbllokim të partive në zgjedhje: Bllokimi minon demokracinë

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Anu Prattipati, ka zhvilluar takime me drejtuesit e partive kryesore opozitare – PDK-së, AAK-së dhe LDK-së – ku ka përcjellë një mesazh të qartë në prag të procesit zgjedhor lokal: partitë e kualifikuara nuk duhet të bllokohen. Në një deklaratë të publikuar nga ambasada amerikane, thuhet se Prattipati theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së të gjitha partive në zgjedhje si një parim thelbësor demokratik. “Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të votojnë për përfaqësuesit e tyre. Bllokimi i partive të kualifikuara përmes taktikave politike ose procedurale minon demokracinë”, thuhet në deklaratë. Ndonëse nuk u përmend drejtpërdrejt, komentet e saj vijnë në një kohë kur po diskutohet mundësia e pjesëmarrjes ose jo të Listës Serbe në zgjedhjet në veri të Kosovës. Gjatë takimeve, zyrtarja amerikane diskutoi edhe për situatën politike të krijuar pas zgjedhjeve nacionale, duke theksuar se liderët e Kosovës kanë përgjegjësi që të punojnë së bashku për zgjidhjen e sfidave dhe përmbushjen e mandatit që u është dhënë nga qytetarët.

Kontrolloni gjithashtu

Mosmarrëveshjet VV – Nisma: bashkëpunim i pamundur për Qeverinë Kurti 3

Në skenën politike kosovare po vazhdojnë debatet për mundësinë e krijimit të Qeverisë së tretë …