Pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese për anulimin e disa vazhdimeve të seancës konstituive të Kuvendit dhe përcaktimin e një afati 30-ditor për përfundimin e saj, Lëvizja Vetëvendosje ka shtuar tonet e retorikës politike, duke prekur edhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetëm dy ditë më parë, deputetja e zgjedhur Arbëreshë Kryeziu-Hyseni reagoi ndaj vizitës së Ngarkuarës me Punë të Ambasadës amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, në Gjykatën Kushtetuese, duke bërë aludime për qëllimet e saj. Ndërkohë, Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u rikthye tek çështja e gjyqtarit të Kushtetueses, Radomir Llaban, të cilin e akuzoi se është bashkëpunëtor i agjencisë serbe të sigurisë BIA dhe i afërt me Milan Radoiçiqin e Vladimir Radivojeviqin, të përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023. Në të njëjtën ditë kur skadonte masa e përkohshme, Gjykata Kushtetuese, bazuar në kërkesat e LDK-së dhe PDK-së, lëshoi një vendim të ri duke kërkuar sqarime mbi çështje kushtetuese të konstituimit të kuvendit dhe duke përsëritur urdhrin që kryetari dhe nënkryetarët të zgjidhen brenda 30 ditësh.
